"Memorizimi i Kuranit", FSK: Pjestarët nuk i thyen rregullat

Kosova

"Memorizimi i Kuranit", FSK: Pjestarët nuk i thyen rregullat

Më: 13 mars 2013 Në ora: 15:00

Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës ka mohuar se pjesëtar të FSK-së kanë marrë pjesë në një garë të memorizimit të Kuranit në Arabinë Saudite.
MFSK-ja ka sqaruar se Ligji për FSK-në, nuk ua ndalon asnjë pjesëtari të FSK-së, që t’i mbajnë ritet fetare, por, gjithashtu edhe gjatë pushimit vjetor, nuk i ndalon, që të mos shkojnë apo qëndrojnë jashtë vendit.
“Komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Kadri Kastrati, me të marrë informatën, se dy pjesëtarë të FSK-së kanë marrë pjesë në një garë për memorizimin e kuranit në Arabinë Saudite, ka kërkuar menjëherë që të njoftohet rreth të gjitha detajeve për vizitën e tyre, në Arabinë Saudite”, thuhet në sqarimin e MFSK-së.
Me tutje ata sqarojnë së të dy pjesëtarët e FSK-së, në Arabinë Saudite kanë shkuar privatisht, gjatë pushimit të tyre vjetore, dhe mësohet se kanë qenë mysafirë special dhe nuk kanë marrë pjesë në memorizimin e kuranit, por vetëm në cilësinë e mysafirëve. Shpenzimet e udhëtimit të këtyre dy pjesëtarëve nuk i ka paguar FSK-ja.
“Të gjithë pjesëtarët e FSK-së në kohën e tyre të lirë, janë të lejuar ta praktikojnë fenë e tyre, pra këta nuk kanë shkelur asnjë ligj apo urdhër (pasi që nuk kishte asnjë urdhër i dhënë nga eprorët e tyre, për të marrë pjesë në memorizimin e Kuranit)”, thuhet në njoftim.
Sipas tyre, pjesëtarët e FSK-së, gjatë qëndrimit atje, nuk kanë bartur uniforma dhe shenja që identifikojnë se janë pjesëtarë të FSK-së.
“Në fund, Ligji për FSK-në, përcakton qartë rregullat dhe të drejtat për pjesëtarët e saj, prandaj të gjithë ata që bien ndeshë me ligjet, merren edhe masat adekuate ndëshkuese”, përfundon sqarimi i MFSK-së.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat