Thaçi: Përgjegjësitë për shtetin tonë i marrim ne

Kosova

Thaçi: Përgjegjësitë për shtetin tonë i marrim ne

Më: 14 mars 2013 Në ora: 14:40

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka takuar përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian, baroneshën Catherine Ashton, e cila vizitoi Kosovën.

Pas takimit në Zyrën e Kryeministrit, kryeministri Thaçi dhe baronesha Ashton kanë pasur një takim të përbashkët me presidenten Atifete Jahjaga, ndërsa më pas kanë takuar liderët e partive politike.

Pas takimeve, kryeministri Thaçi ka pasur një paraqitje para medieve.

Gjeni më poshtë të plotë fjalën e kryeministrit Thaçi para medieve:

Vizita sot e baroneshës Ashton në Republikën e Kosovës është një mesazh i fuqishëm për progresin e arritur në Kosovë, për zotimin e mbështetjes së plotë të BE-së për të arriturat në Kosovë, për bashkëpunimin tonë të ngushtë sot dhe në të ardhmen.

Në të njëjtën kohë, ne shprehëm përsëri në mënyrë unike qëndrimet tona, qëllimet tona, vizionin tonë, për të ardhmen e sigurt të Kosovën të evropiane, për t’u anëtarësuar në NATO, Bashkim Evropian, për ndërtimin e Kosovës së re demokratike, multietnike dhe evropiane.

Sot kam zhvilluar tri takime rresht me baroneshën Ashton, një takim në kryeministri, pastaj me presidenten dhe tash me liderët politikë të partive të ndryshme politike të Kosovës, pozitë dhe opozitë, por edhe të liderëve të etnive të ndryshme, pra të profileve të ndryshme politike.

Ishte konkludim i përbashkët se procesi i normalizimit të marrëdhënieve në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë duhet të vazhdojë, në suaza të respektimit të plotë të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, të standardeve evropiane.

Në të njëjtën kohë dua të theksoj se në këtë moment jemi në një fazë të fillimit të fundit për arritjen e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë, për normalizimin e plotë të gjendjes në veri, që të kemi lëvizje të lirë të njerëzve dhe mallrave, shpërbërjen e plotë të të gjitha strukturave ilegale të sigurisë, fillimin e funksionimit të sistemit të drejtësisë sipas ligjeve të Kosovës, pastaj të organizohen zgjedhjet lokale edhe në ato katër komuna në veri, në përputhshmëri me ligjet e Kosovës, si dhe më pas të formohet edhe Asociacioni i Komunave me shumicë serbe, gjithmonë sipas Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, pa asnjë mandat legjislativ, ekzekutiv apo të pushtetit të tretë.

Kështu që mbesim me optimizëm se gjërat po lëvizin në drejtimin e duhur. Takimi tjetër në mes të dy kryeministrave do të ndodh me datën 20 të këtij muaji. Presim që edhe Beogradi të jetë më pragmatik në qasjen e vet, sa i përket normalizimit të marrëdhënieve me shtetin e Kosovës, sepse ky proces është i pakthyeshëm, do të ndodh, Serbia duhet ta njeh realitetin e Kosovës. Është edhe fillimi i njohjes de juro për Republikën e Kosovës nga Serbia, ndërsa ne duhet të fokusohemi në kuadër të kompetencave, Kushtetutës, Ligjeve të Kosovës, që t’iu mundësojmë jetë më të mirë, më të sigurt, qytetarëve tanë në veri, që të ndodhin edhe investime socio-ekonomike, të ndryshojmë jetën e tyre për të mirë, të integrohen në jetën institucionale dhe shoqërore, edhe në nivelin lokal edhe në nivelin qendror. Mbes me shpresë dhe optimizëm se diçka e tillë do të ndodh.

Në të njëjtën kohë kemi diskutuar edhe për periudhat kohore të implementimit të marrëveshjes që mund të arrihet për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, për rolin që do ta ketë edhe NATO, KFOR-i, gjithashtu edhe EULEX-i bashkërisht me institucionet e Republikës së Kosovës, dhe mundësinë e krijimit të rrethanave lehtësuese, ndihmuese, nga Beogradi por edhe vendet tjera të rajonit dhe të gjitha vendet e Bashkimit Evropian.

Ajo që është shumë me rëndësi është se Bashkimi Evropian edhe vendet që e kanë njohur shtetin e Kosovës, që janë 22, dhe pesë të tjera që ende janë në proces të njohjes, janë unik në mbështetje të angazhimeve tona të përbashkëta për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore Kosovë-Serbi.

Pyetje:
A ka pas ndonjë kërkesë më specifike nga baronesha Ashton? Dhe në fund të këtij procesi a pritni ndonjë marrëveshje të shkruar?

Kryeministri Thaçi:
Ne presim marrëveshje për normalizimin e plotë të marrëdhënieve në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë. Kosova është atdhe i të gjithë qytetarëve të saj, respektohen të gjitha gjuhët që praktikohen dhe gjuhët që janë zyrtare në Republikën e Kosovës. Ndërsa, mendoj që gjërat duhet të lëvizin më shpejt, dhe jemi të interesuar që të jenë në nivel edhe më cilësor.

Çdokush sot e sheh se progresi po ndodh hap pas hapi. Kanë qenë probleme të grumbulluara një shekullore, për këto tek veriu kanë qenë të grumbulluara 13-14 vitet e fundit. Atje për herë të parë po fillon së funksionuar shteti ligjor, i drejtuar kundër askujt, por në shërbim të të gjithëve. Andaj unë pres që gjërat të lëvizin më shpejt drejt arritjes së një marrëveshje politike, për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve tona, që do të jenë me nënshkrimin e delegacioneve të shtetit të Kosovës dhe Serbisë, me garancën e plotë të Bashkimit Evropian, baroneshës Ashton, periudhat kohore të implementimit dhe mekanizmat implementues. Në të njëjtën kohë ju e dini se ky proces e ka mbështetjen e plotë të SHBA-së. Dje kam diskutuar edhe me zotin Reeker dhe jemi në kontakt të vazhdueshëm.

Pyetje:
Kryeministër, a keni kërkuar sqarim nga baronesha Ashton për deklaratat e Nikoliqit?

Kryeministri Thaçi:
Ka qenë befasi edhe për Brukselin, edhe për Prishtinë edhe për Beogradin se çka ka deklaruar presidenti Nikoliq. Ne nuk i themi Beogradit të dorëzohet, por të jetë më pragmatik. Sepse tek e fundit nuk ka çfarë të dorëzohet, Kosova është vend sovran, dhe është i pavarur dhe përgjegjësitë për shtetin tonë i marrim ne. Me Beogradin gjithçka ka përfunduar më 10 qershor 1999, sa i përket lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Por kemi obligim të ndërtojmë raporte të fqinjësisë së mirë, të normalizimit të marrëdhënieve, raporte të standardeve evropiane, prandaj në këtë drejtim mendoj se Beogradi duhet të jetë më pragmatik dhe të tërhiqet apo shkëputet nga politika tradicionale e së kaluarës, dhe të punoj sipas standardeve dhe vlerave evropiane.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat