Udhëtojmë në Bruksel me qëllimin më të mirë

Kosova

Udhëtojmë në Bruksel me qëllimin më të mirë

Më: 16 prill 2013 Në ora: 11:22

(I plotësuar)- Ne do ta respektojmë Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Kemi bërë kompromise me dokumentin Ahtisari. Shpresa ime është në reflektimin që duhet ta bëjë Beogradi në raport me propozimet e baroneshës Ashton dhe në përgjegjësinë tonë shtetërore, politike dhe qytetare. Punojmë me shpresë, optimizëm dhe besim për ndryshim të vlerave në kuptimin pozitiv të mundshëm. Në të gjitha takimet kemi punuar me shpresë dhe optimizëm, por edhe me qëllim të arritjes së marrëveshjes. Nuk kemi shkuar që të konfrontohemi, por të përmbyllim kapitullin e konfliktit. Më mban shpresa se do të arrihet marrëveshje – ka thënë Kryeministri Thaçi në konferencën për media në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, para nisjes për në Bruksel, ku pritet të zhvillojë takimin e nëntë të nivelit të lartë shtetërorë me përfaqësuesit e Republikës së Serbisë

Me ftesën e baroneshës Catherin Ashton, kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka udhëtuar sot për në Bruksel, ku pritet të zhvillojë takimin e nëntë të nivelit të lartë shtetërorë me përfaqësuesit e Republikës së Serbisë.

Kryeministri para nisjes ka mbajtur një konferencë për shtyp në Aeroportin Ndërkombëtarë të Prishtinës “Adem Jashari”, në të cilën ka deklaruar:

Kemi marrë ftesë nga baronesha Catherin Ashton për mundësinë e këtij takimi dhe ju kemi përgjigjur pozitivisht, duke respektuar angazhimet tona kushtetues e ligjore. Deri tani kemi zhvilluar tetë takime, të cilat kanë qenë në frymë pozitive, me përkushtime për të arritur deri te marrëveshja finale. Kemi qenë afër marrëveshje, dhe dua të besoj se gjatë këtyre ditëve Beogradi ka reflektuar për të marrë një përgjegjësi për të qenë më fleksibil dhe të largohen nga ngurtësia që ka pasur në takimet e fundit, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Zyra për Informim e Kryeministrisë.

Pozicioni i Kosovës është i qartë, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, me standarde evropiane. Ne kemi prezantuar opinionet dhe qëndrimet tona për domosdoshmërinë e shpërbërjes së strukturave ilegale në veri, edhe domosdoshmërinë e krijimit të kushteve dhe rrethanave për lëvizje të lirë të njerëzve dhe mallrave në veri.

Tashmë ka filluar zbatimi i marrëveshjeve për menaxhimin e integruar të kufirit dhe do të angazhohemi për një sistem unik, funksional të drejtësisë në tërë territorin e Kosovës dhe një sistem policor ku do të punohet sipas standardeve dhe ligjeve të Kosovës.

Ne vazhdimisht e kemi theksuar se adresa për negociata në mes të dy vendeve tona, është në Bruksel, me ndërmjetësim të baroneshës Ashton dhe në mbështetje të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Edhe sot, delegacioni kosovar udhëton me qëllimin më të mirë që të arrihet marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe fillimin e ndërtimit të një kapitulli të ri ndërmjet dy vendeve, kapitull ky që ka munguar për një shekull deri sot. Me arritjen e marrëveshjes nuk do të fitojë vetëm Kosova, por do të jetë mirë edhe për Serbinë dhe gjithë rajonin, do të jetë një lajm i mirë edhe për Bashkimin Evropian dhe për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Edhe në këtë takim, të nëntin me radhë, do të respektojmë në plotëni Rezolutën e Kuvendit të Kosovës, Kushtetutën e Kosovës, ligjet dhe standardet më të larta evropiane. Në rast të arritjes së marrëveshjes do të punohet për krijimin e shpejtë të kushteve për organizimin zgjedhjeve edhe në katër komunat në veri, që do të organizohen dhe menaxhohen nga OSBE-së me ftesë të institucioneve të Kosovës. Do të krijohen kushte socio-ekonomike për gjithë qytetarët, dhe do të krijohet asociacioni i komunave, por pa mandat legjislativ apo ekzekutiv.

Delegacioni i Kosovë në rast të vendimmarrjes do të jetë i angazhuar që të ruaj funksionalitetin e shtetit tonë, interesin e paqes dhe stabilitetit në rajon, perspektivën evropiane dhe euroatlantike. Shpresoj se gjërat do të lëvizin pozitivisht dhe investimet me bashkësinë ndërkombëtare do të kalojnë në fazën e re, atë të implementimit. Edhe kjo fazë nuk do të jetë e lehtë për shkak të grumbullimit të problemeve për 14 vjet, dhe ku akterë për implementim do të jenë institucionet e Kosovës, EULEX, KFOR.

Kosova shkon e përgatitur mirë edhe në takimin e 9-të dhe shpresoj të jetë takimi i marrëveshjes, sepse kemi investuar ide dhe mund. Kosova ka qenë e përgjegjshme dhe serioze në këtë proces.

Investimet tona, energjia jonë dhe zotimi, por edhe vendosmëria e BE, dhe mbështetja e SHBA-ve do të jetë siguri dhe garanci e suksesit për marrëveshje.BS

* * * * *

Thaçi: Udhëtojmë në Bruksel me qëllimin më të mirë

- Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në një takim me gazetarët të mbajtur pak pas orës 15:00, në aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës "Adem Jashari", ka konfirmuar ftesën nga baronesha Ashton, për takimin e së mërkurës.

"Kemi qenë afër [marrëveshjes] në takimin e fundit, por ende ka dallime. Unë besoj dhe shpresoj që gjatë këtyre ditëve Beogradi ka reflektuar që të jetë më fleksibil", ka thënë zoti Thaçi, duke saktësuar se pozicioni i Kosovës në këtë takim "është i qartë dhe në përputhje të plotë më Kushtetutën dhe ligjet në fuqi".

"Ne udhëtojmë me qëllimin më të mirë, që të arrihet marrëveshja më në fund për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë - Serbi", ka thënë Thaçi.

Catherine Ashton ka ndërmjetësuar deri më tash tetë raunde bisedimesh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për normalizimin e raporteve ndërmjet dy vendeve.

Për takimin e së mërkurës, të nëntin me radhë, zoti Thaçi tha se shpreson të jetë takim i marrëveshjes, duke marrë parasyshë investimet që janë bërë në arritjen e saj.

* * * * *
Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, ka bërë të ditur përmes një komunikate se ka ftuar kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiq dhe kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, të takohen në Bruksel të mërkurën, më 17 prill.

"Kam kërkuar nga ta të vijnë në një frymë konstruktive, të gatshëm për të eksploruar opsionet e ndryshme dhe për t'u pajtuar mbi një kompromis të ndërsjellë", citohet të ketë thënë baronesha Ashton.

Ashton ka ndërmjetësuar deri më tash tetë raunde bisedimesh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për normalizimin e raporteve ndërmjet dy vendeve.

* * * * *
Delegacioni i Kosovës dhe ai i Serbisë takohen sërish nesër në Bruksel, ka deklaruar Vlora Çitaku, Ministre për ntegrime evropiane në Qeverinë e Kosovës.

Zonja Çitaku, në rrjetin social Twitter, ka thënë se shpreson se kjo mundësi nuk do të humbet.

“Na duhet normalizimi dhe reformat”, ka thënë ministrja për integrime evropiane.

* * * * *

Dialogu ndërmjet Serbisë e Kosovës do të vazhdojë të mërkurën në Bruksel, shkruan gazeta “Blic” e Beogradit e cila u referohet burimeve diplomatike, pasi që të tri palët për këtë janë marrë vesh dje.


Ky burim diplomatik i ka thënë gazetës se formacionet e delegacioneve do të dihen sot edhe pse është e sigurt se në krye të atij serb do të jetë vet kryeministri Ivica Daçiq por nuk është e sigurt nëse do t’i bashkohet edhe nën-kryeministri i parë Vuçiq. Burimi ka deklaruar se delegacioni serb do të vjen në Bruksel me propozime konkrete.

Sikurse mëson gazeta nga qeveria e Serbisë, kushti i palës serbe është që nga marrëveshja e fundit (të cilën e ka refuzuar pala serbe) të hiqet pjesa sipas të cilës Mitrovica jugore do t’i bashkohej veriut të Kosovës dhe janë reale shanset që kjo të arrihet. Sepse, sikurse mësohet, edhe në Washington edhe në Berlin janë të gatshëm të ushtrojnë trysni mbi Prishtinën lidhur me këtë. (Në Berlin po qëndron ministri jashtëm i Kosovës dhe zëvendësministrja e jashtme e Serbisë e cila ka takim me këshilltarin e zonjës Merkel).

Gjithashtu Serbia do të mbetet në qëndrimin që një gjykatë e apelit duhet të jetë patjetër në Mitrovicën veriore, do të insistojë në policinë dhe që është më e rëndësishme, do të kërkojë kategorikisht që Forcat e Sigurisë të Kosovës (FSK) nuk munden të jenë në veri të Kosovës.

Sipas gazetës është e sigurt se marrëveshja duhet të arrihet deri të dielën duke qenë se përfaqësuesja e lartë e BE, Catherine Ashton, më 22 prill duhet ta paraqes shefeve të diplomacive të BE raportin mbi dialogun.

Të themi se pengesë kryesore për arritjen e marrëveshjes së ofruar nga Brukseli ka qenë presidenti serb Tomisllav Nikoliq i cili u është kërcënuar Daçiqit dhe Vuçiqit se nëse e pranojnë atë dokument do t’i shpallë fajtor për “shitjen e Kosovës”. Mirëpo pas shumë aktiviteteve diplomatike gjatë javës së shkuar, duket se Nikoliq e ka zbutur retorikën dhe dje në bisedë me kryetarin Parlamentit të Turqisë ka deklaruar se Serbia në dialog me Prishtinën ka treguar gatishmëri të qartë për hap esencial përpara dhe kompromis historik të dy palëve, ama për këtë aktualisht nuk pati vesh tek pjesëmarrësit tjerë në dialog.

Ai ka shtuar se vetëm me vazhdimin e negociatave ndërmjet Serbisë dhe, siç shprehet, institucioneve të përkohshme në Prishtinë mund të arrihet zgjidhja që do të ishte e pranueshme për të dy palët.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat