VV: Kjo është marrëveshje personale e Thaçit që saboton shtetndërtimin

Kosova

VV: Kjo është marrëveshje personale e Thaçit që saboton shtetndërtimin

Më: 20 prill 2013 Në ora: 17:26

Nuk pati raportim të Thaçit në Kuvendin e Kosovës as pas takimit të tetë dhe as pas takimit të nëntë në Bruksel. Këto dy takime ishin më të rëndësishmet pasi që aty u bënë koncesionet më të mëdha. Ndërkaq, pas takimit të dhjetë ai e bëri kompromisin e madh. Asnjë tekst asnjëherë nuk u publikua deri dje. Po ashtu, kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në emër të Komisionit dhe me pajtimin e të gjithë anëtarëve të tij, me datë 11 shkurt 2013 e ka ftuar Kryeministrin Thaçi që të vijë e të raportojë në KPJ. Sot e kësaj dite, në më shumë se dy muaj më vonë ai as që ka marrë përgjigje për këtë. Ky është dialogu më jotransparent në historinë e Kosovës.

Dialogu teknik ia solli Serbisë statusin e vendit kandidat, ndërsa dialogu politik do t’ia sjellë asaj datën e fillimit të negociatave për anëtarësim në BE. Duke fituar statusin e kandidatit Serbisë ju hapën dyert që të fitojë shumë më tepër fonde seç ka fituar deri më tani. Për më shumë, BE i ka ndarë këtij vendi 200 milionë euro në vit ende pa qenë shtet kandidat, kurse duke fituar kandidaturën i hapen dyert për së paku dyfishin e kësaj shumë në vit, mandej mundësi për fonde në 26 programe të ndryshme në të cilat deri më tani nuk ka pasur qasje, dhe tri shtylla në të cilat vetëm shtetet kandidate kanë qasje sa i përket fondeve të para-anëtarësimit, që quhen IPA. Pra, rriten shumat, rritet numri i programeve dhe me këto bëhet edhe përshpejtimi i integrimit.

Kjo marrëveshje është marrëveshje personale e Thaçit dhe ajo nuk duhet të bëhet edhe marrëveshje e Kosovës me Serbinë. Me këto 15 pika Prishtina dhe Beogradi zyrtar e ndajnë pushtetin dhe sovranitetin mbi Kosovën. Marrëdhënia ndërmjet shtetit të Kosovës dhe këtij Asociacioni serb që u formua nga Thaçi e Daçiq është e ngjashme me marrëdhënien ndërmjet shtetit të Bosnjës dhe Republika Srpska-s atje. Praktikisht, veriu i Mitrovicës po bëhet si Banja Lluka ndërkaq Graçanica si Pale. Me këtë Asociacion nuk po i bashkohet veriu i Kosovës komunave të Ahtisaarit në jug të Ibrit por anasjelltas. Shteti i Kosovës nuk do të mund të funksionojë kështu.

Lëvizja Vetëvendosje! është subjekti i vetëm politik në Kosovë i cili nuk ka pasur iluzione dhe nuk ka përhapur iluzione për këtë dialog politik ndërmjet Thaçit e Daçiqit në Bruksel. Analiza jonë ka qenë logjike, prandaj e saktë përveçse e vërtetë: duke i kuptuar premisat e dialogut, mund ta parashikosh rezultatin. Dialogu pa kushte për Serbinë e për çështje të brendshme të Kosovës sigurisht që nuk është as i drejtë, as i mirë e as i dobishëm.

Dialogu politik i Thaçit i sakrifikoi edhe shqiptarët në veri të Ibrit edhe ata në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc për hir të pushtetit të këtij në Prishtinë. Po ashtu, për më pak se një vit, Thaçi me këtë dialog ua ka mundësuar reahabilitimin politik, ndërkombëtar e historik kriminelëve Daçiq, Nikoliq e Vuçiq. Ky jo vetëm që nuk po i ndihmon shtetit të Kosovës e po e rrënon atë, por po i ndihmon shtetit të Serbisë dhe figurave më të errëta atje.

Thaçi nuk e refuzonte asnjë draft të marrëveshjes. Kundërshtimet e tij të nganjëhershme ishin të buta dhe kishin për qëllim që t’i shtohej trysnia. Ai e pranoi çdo koncesion shtesë dhe marrëveshja tash është shumë afër Platformës së Serbisë. Këtu duhet shtuar edhe dakordimet e mëhershme si puna e Fondit Zhvillimor për veriun. Kulmi i këtij rrënimi të shtetit të Kosovës sigurisht ishte marrëveshja anësore e Thaçit që FSK-ja të mos shkojë në veri pa leje nga KFOR-i i cili duhet t’i pyesë komunat në veri të Ibrit kjo është heqje dorë nga veriu dhe sovraniteti e integriteti territorial atje, thuhet në komunikatën e Vetëvendosjes.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat