Për dhe kundër marrëveshjes

Kosova

Për dhe kundër marrëveshjes

Më: 20 prill 2013 Në ora: 17:29

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka ritheksuar se marrëveshja e tij me homologun serb, Ivica Daçiq, paraqet një moment historik të vendosjes së normalitetit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Pas kthimit nga Brukseli, Thaçi ka mbajtur një konferencë për gazetarë, përmes së cilës ai ka shprehur edhe njëherë optimizmin se Kosova dhe Serbia kanë hapur një kapitull të ri me marrëveshjen e arritur.

Të dyja vendet, sipas tij, tani e kanë të hapur perspektivën evropiane. Të dyja vendet, sipas tij, tani e kanë të hapur perspektivën evropiane. Përderisa Kosova, sipas Thaçit, do të shtrijë autoritetin e saj në gjithë territorin, përfshirë edhe veriun.

Hashim Thaçi
“Kosova, përfundimisht, me marrëveshjen e djeshme po hyn në epokën e normalitetit. Tani, si institucione e shoqëri duhet t’i kanalizojmë të gjitha përpjekjet dhe energjitë tona në zhvillimin ekonomik të vendit dhe përmbushjen e reformave demokratike. Rruga drejt Bashkimit Evropian do të jetë e gjatë dhe do të kërkoj transformime rrënjësore dhe tani e tutje ky do të jetë prioriteti ynë kryesor”, është shprehur Thaçi.

Ndërkohë, partitë politike në Prishtinë vazhdojnë ta komentojnë marrëveshjen 15 pikëshe në parim të arritur ndërmjet kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Daçiq me ndërmjetësimin e shefes së diplomacisë evropiane, Catherine Ashton.

Dy partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë shprehur pozicione të ndryshme në lidhje me këtë marrëveshje. Përderisa LDK me disa vërejtje ka mbështetur arritjen e marrëveshjes dhe pret që ajo të zbatohet, Vetëvendosje ka kundërshtuar në tërësi atë, duke e vlerësuar si sabotim të shtet ndërtimit të Kosovës.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, në parim ka mbështetur marrëveshjen e Brukselit. Ndërkaq, ka kërkuar nga faktori ndërkombëtar që të ushtrojë trysninë e nevojshme mbi Beogradin që marrëveshja të zbatohet edhe në praktikë.

“Natyrisht që nuk mund të pritet gjithmonë që dialogu t’i plotëson të gjitha pritjet dhe kërkesat që ne i kemi pasur. Por, shpresojmë që Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të kontribuojnë që Serbia të implementojë atë që ka marrë si obligim nga ky dialog, në mënyrë që të mos interpretohet me dy kuptimësi, nga organet e Kosovës dhe atyre të Serbisë, dhe të mundësohet që përmes kësaj marrëveshje të ushtrohet pushteti në gjithë territorin e Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Mustafa.

Një qëndrim krejtësisht kundër marrëveshjes ka shprehur Lëvizja Vetëvendosje.

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka thënë se 15 pikat e marrëveshjes janë të dëmshme dhe kundër shtet ndërtimit të Kosovës. Ai ka theksuar se me këtë marrëveshje, Serbia ka realizuar synimet e saj për të mos lejuar shtrirjen e pushtetit të shtetit të Kosovës në veri, përderisa kryeministri Thaçi, ka pranuar pa asnjë kusht marrëveshjen e ofruar.

Kjo marrëveshje është sabotim i përbashkët i shtet-ndërtimit të Kosovës ndërmjet Thaçit dhe Daçiqit. Kjo marrëveshje është marrëveshje me të cilën Thaçi e Daçiqi e dështojnë shtet-ndërtimin në Kosovë dhe Serbia legjitimohet dhe forcohet Brenda shtetit të pavarur të Kosovës që sërish nuk njihet nga ana e Serbisë”, ka thënë Kurti.

Por, kryeministri Hashim Thaçi, ka mendim tjetër nga Kurti. Sipas Thaçit, Asociacioni i formuar i komunave serbe, do të funksionojë sipas ligjeve të Kosovës dhe pa kompetenca ekzekutive.

“Asociacioni i komunave do të funksionojë me ligjet e Kosovës dhe do t’i ketë po ato struktura që i ka asociacioni aktual i Kosovës, pa karakter legjislativ apo ekzekutiv”, ka thënë Thaçi.

Për të përmbushur edhe anën procedurale të marrëveshjes, Thaçi ka bërë të ditur se ka thirrur seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, të dielën në orën 20:00.

“Baronesha Ashton pret përgjigjen tonë deri të hënën dhe ne duhet t’i dërgojmë këtë përgjigje”, ka thënë ai. Por, nuk ka sqaruar nëse do të kërkojë ratifikimin e marrëveshjes nga Kuvendi, do të kërkojë debat apo vetëm mbështetje verbale përmes ndonjë rezolute.

Sidoqoftë, marrëveshja me inicialet e vendosura në të midis kryeministrave Thaçi e Daçiq, e ndërmjetësuar nga baronesha Catherine Ashton, ka marrë edhe një mbështetje të gjerë të faktorit ndërkombëtar.

Kjo marrëveshje tani pritet të plotësohet edhe me aneksin për zbatimin e saj, ku palë do të jenë Kosova, Serbia dhe Bashkimi Evropian, por në disa fusha edhe me asistencën e strukturave tjera ndërkombëtare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat