Thaçi sot raporton në Kuvend

Kosova

Thaçi sot raporton në Kuvend

Më: 21 prill 2013 Në ora: 10:36

Kuvendi i Republikës së Kosovës do të mbajë seancë sot, me kërkesë të kryeministrit Hashim Thaçi. Gjatë kësaj seance të jashtëzakonshme, Thaçi do të raportojë për Marrëveshjen për Normalizim në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë, e cila është përafruar të premten. Marrëveshja e përafruar nga të dy kryeministrat është në fazën e dhënies së pëlqimit për nënshkrimin formal, për çka duhet dhënë pëlqimi paraprak nga përfaqësuesit e të dy vendeve më së largu të hënën.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi përmes një shkrese zyrtare dërguar Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, i ka kërkuar mbajtjen e një seance te jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës për sot, duke filluar në orën 20:00.

Kërkesa është bërë në pajtim me nenin 69 paragrafi 4 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nenin 38 të Rregullores së Kuvendit të Kosovës , si dhe në përputhje me Rezolutën e miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë.

PDK, LDK, AAK, AKR dhe partive minoritetare e kan mirëpritur marrëveshjen dhe si rrjedhoj pritet që deputetët e tyre të votojnë pro Marrëveshjes së arritur mes dy vendeve, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje dhe ajo për Bashkim kanë paralajmëruar se do të votojnë kundër.

Kryeministri Hashim Thaçi, tha dje se me marrëveshjen e arritur, Kosova dhe Serbia kanë hapur një kapitull të ri dhe janë përcaktuar për europianizimin e rajonit. Sipas kryeministrit Thaçi, me këtë marrëveshje ka fituar Kosova, Serbia, rajoni, Bashkimi Evropian dhe mbi të gjitha ka fituar opsioni i paqes dhe stabilitetit. Thaçi tha se e di që kjo nuk është marrëveshje ideale.

“Është një marrëveshje racionale, nuk është ideale, jam shumë i vetëdijshëm, por aty kemi negociuar me Serbinë pas një konflikti njëshekullor. Është marrëveshja e parë që nënshkruhet në nivele politike të tilla mes Kosovës dhe Serbisë, pra marrëveshje ndërshtetërore”, tha ai.

Gjithsesi, sipas Thaçit, marrëveshja i hap rrugë shtrirjen e kushtetutshmërisë dhe ligjmërisë në këtë pjesë të vendit.

“Me këtë marrëveshje do të normalizojmë dhe funksionalizojmë gjendjen në vendin tonë. Do ta shtrijmë kushtetutshmërinë dhe ligjshmërisë në çdo cep të territorit të Republikës së Kosovës. Do të normalizojmë gjendjen në veri dhe do të çimentojmë të ardhmen tonë evropiane”, u shpreh Thaçi.

Kryeministri Thaçi, tha se marrëveshja hap përspektivë për qytetarët e veriut të vendit që të kthehen në pronat e tyre, të lëvizin lirshëm dhe të jetojnë pa frikë, andaj i ftoi ata që mos të bien pre e atyre që për 14 vjet e kanë mbajtur peng gjendjen në veri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat