Kuvendi me rezolutë miraton marrëveshjen me Serbinë (Video)

Kosova

Kuvendi me rezolutë miraton marrëveshjen me Serbinë (Video)

Më: 21 prill 2013 Në ora: 20:21

(I plotësuar) - Kuvendi me shumicë votash e ka miratuar një rezolutë, përkatësisht duke e tejkaluar numrin prej 2/3 të nevojshme e ka miratuar një rezolutë me të cilën i jep përkrahje dhe pëlqim marrëveshjes së arritur nga qeveria e Kosovës dhe e Serbisë dhe zbatimit të saj. Me 89 vota për, 5 kundër dhe 1 abstenim, Kuvendi e ka miratuar rezolutën.

Paraprakisht, Rexhep Selimi, deputet nga radhët e Vetëvendosjes, i ka bërë thirrje kryetarit të Kuvendit Jakup Krasniqi, që të mos lejojë votimin e kësaj rezolute, e cila, sipas tij, është kundër interesave të popullit dhe pavarësisë së vendit.

Ndërpritet për herë të dytë seanca nga Vetëvendosje

Pas më shumë se 15 minuta pauzë kryeministri Thaçi ka folur nën zhurmën shurdhuese të mëparshme të aktivizuar nga deputetët e Vetëvendosjes dhe ka bërë thirrje për miratimin e dokumentit. Më pas është ngjitur tek presidiumi edhe Liburn Aliu, që sa herë aktivizonte mikrofonin kryesuesi Krasniqi, fliste edhe ai. Pas deklarimit të Adem Grabovcit në emër të GP të PDK-së pro miratimit të dokumentit Ismet Beqiri tha se e ka shprehur mendimin e GP të LDK-së dhe po ashtu edhe Ardian Gjini. Pavarësisht lutjeve të Krasniqit për sjellje korrekte të deputetëve të VV, zhurma ka vazhdar, kështu që Krasniqi ka marrë vetë vendim për ndërprerjen e sërishme të seancës për një orë, ndërsa shihej kryeministri Thaçi t’ua bënte me dorë deputetëve të PDK-së, që të mos lëshonin ulëset e tyre, të rrinin në sallë, pavarësisht që të shumtën e kohës kur deputetët kanë diskutuar as ai dhe as shumica e kabinetit qeverisës nuk rrinin në vendet e tyre.

Kuvendi në pauzë të detyruar

Kuvendi i Kosovës është detyruar të shkojë në pushim, pauzë të dhunshme, pasi kur kryeministri Thaçi e mori fjalën pas përmbylljes së debatit, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosjes aktivizuan një incizim shurdhues që ngjante me zërin e kryeministrit dhe ai u detyrua të ndërpriste fjalim, ndërsa deputetë të kësaj lëvizje shpalosën parullën, para syve të Kryeministrit duke e bërë të padukshëm përballë deputetëve. Me këtë kryekuvendari Krasniqi kërkoi pauzë 10 minutëshe, ndërsa pa kthimit në Kuvend dhe fjalimit të Thaçit, pritet votimi për ratifikimin e marrëveshjes me Serbinë.

Hamiti: Marrëveshja mund të jetë fatale

Para se të ngjitej në foltore kryeministri Thaçi, prof.dr.Sabri Hamiti tha se do të ishte gabim fatal miratimi i kësaj marrëveshje pa iu dhënë kohë deputetëve për të vlerësuar pasojat e marrëveshjes, për të parë se sa ju jep të drejta plus serbëve në veri. Ai tha se gjithsesi kjo marrëveshje ju jep të drejta shtesë serbëve dhe kjo krijon asimetri dhe që ka pasoja kushtetuese, prandaj për pasoja kushtetuese duhet që, të vendoset më ngadalë. "Nuk jemi në prush, nuk jemi në luftë, pse duhet të ngutemi, e pasojat mund të jenë fatale, për vendin dhe për vetë Thaçin, ka thënë Hamiti, diskutuesi i fundit në debat, i cili ia kujtoi kryeministrit se në shtatë raunde, përkatësisht debate në Kuvend ai asnjëherë nuk kishte sjellë një dokument të shkruar dhe tash kishte sjellë një letër të shkruar, por e cila duhet të vlerësohet me kujdes, pasi që bëhet fjalë për të drejta plus për një pjesë të serbëve, dhe me të cilët nuk mund të ketë marrëveshje derisa ata nuk e njohin pavarësinë e Kosovës dhe derisa nk e bën këtë as Serbia, as marrëveshja nuk mund të zbatohet.

Rexhep Selimi tha se “ju Kryeministër i mashtruat bashkëluftëtarët, familjet e dëshmorëve, mashtrove edhe miqtë ndërkombëtar”. Ai tha se sikur ju të tregonit apo ta dinte Serbia nuk do të kishte bërë fare luftë. Ai i tha kryeministrit se ju në vend që të arrestoni vrasësit e Enver Zymberit, ju atij po ia bëni koleg, polic.
Ai tha se ju jeni marrë vesh me Serbinë, por keni bërë Pazar pa hanxhinj. Ai i tha: “dëgjo Hashim Thaçi kudo që të jesh, nuk do të jetë ballafaqimi i juaj i fundit me ne, me popullin e Kosovës”. Ai tha se populli di të fal, por nuk do t’ia fal kurrë Serbisë, atë çfarë ka bërë Serbia mbi popullin e Kosovës.

Kryekvendari Krasniqi: Marrëveshjes po i mungon vetëm emri autonomi

Kryekvendari Jakup Krasniqi tha se nuk beson se Serbia i ka autorizuar qeveritarët tanë të flasin në emër të saj, të cilët sipas tij shumëherë po flasin në emër të saj.

Ai tha se 15 pikat e marrëveshje janë vetëm kushtet për ti shuar strukturat paralele, dhe këto nuk i përmbyllin kompromiset.
Ai tha se kështu si janë pikat do të duhej të ishin reciproke edhe për Serbinë. Ai tha se marrëveshja thyen konceptin qytetar të shtetit të Kosovës.
Ai tha se Kuvendi është kthyer në institucion që miraton ligje me 31 vota, që tregon se tashmë është gjysmakë.
Ai tha se interpretimet e Thaçit po kundërshtohen nga bashkëbiseduesi i tij, Ivica Daçiq.
Krasniqi tha se marrëveshja është në kundërshtim jo vetëm me rezolutën e Kuvendit, por edhe me Kushtetutën. Ai tha se është shkuar përtej pakos Ahtisari. Ai tha se dokumentit po i mungon vetëm emri autonomi, por e keqja është se ky dokument nuk tregon se sa e thellë është kjo autonomi. Ai tha se dokumenti asnjëherë nuk e përmend Repblikën e Kosovës. Ai tha se pika e 15 ia lejon Serbisë vazhdimin e agresivitetit ndaj Kosovës. Ai tha se nuk do ta kundërshtonte ratifikimin e një marrëveshje që normalizon raportet, por jo një marrëveshje që nuk zgjidh çështjet. Ai tha se marrëveshja duhet të detajizohet dhe të plotësohet teksti.

H. Krasniqi: Kosovës duhej ti bashkohet Sanxhaku dhe Kosova Lindore

Halit Krasniqi deputet i PDK-së tha se Serbia i shpëtoi ndëshkimit nga bashkësia ndërkombëtare. Pasi sipas tij, pas krimeve të kryera në Ballkan do të duhej të ishte biseduar për bashkimin Sanxhakut dhe të Kosovës Lindore shtetit të Kosovës, ndërsa Vojvodina Hungarisë.

Pacolli: Kjo marrëveshje do ta ketë fatin e fusnotës

Blerim Shala në emër të GP të AAK-së tha se me këtë marrëveshje krijohen mundësi për integrimin e veriut, që serbët të bëhen tatimpagues dhe qytetarë të disiplinuar të shtetit të Kosovës. Ai tha se domosdoshmëria ishte ajo që e përcaktoi këtë marrëveshje.

Zv.kryeministri Behgjet Pacolli ka folur për marrëveshjen duke e përkrahur marrëveshjen, tha se Kosova duhej të vepronte me kujdes që të mos pengohej. Ai tha se pavarësisht sa ishte i vështirë dialogu, nuk kishte mundësi

Ai tha se këtë dialog nuk e konsideron të fundit, por vetëm uverturë të rrugës që do të vazhdohet. Ai tha se të rinjtë tanë duhet të jetojnë si të rinjtë e botës, që të jetojnë pa brenga lufte, dhe në paqe. Ai tha se marrëveshja është udhërrëfyese për arritjen e kësaj marrëveshje. Ai tha se sikurse ndodhi me fusnotën dhe gjashtëpikëshin do të ndodhë edhe me këtë marrëveshje, që do të jetë një kontratë paqeje me Serbinë. Ai tha se kjo marrëveshje duhet të pasohet me një ofertë ekonomike. Ai tha se duhet të fitohet pavarësia e plotë edhe në energjetikë dhe telekom.
Pacolli bëri thirrje që të ratifikohet marrëveshje dhe të përqafohet paqa dhe jo dhuna.

Kurti: Marrëveshja është e padrejtë dhe e turpshme

Albin Kurti në emër të GP të Vetëvendosjes tha se marrëveshja është në dëm të Kosovës. Ai tha se dialogu kërkon që të krijohet një komision hetimor për të parë se si është arritur marrëveshja. Ai tha se diferencimi i nisur pas demonstratave të 1981, dhe majorizmi i shqiptarëve nga pakica serbe po rikthene me këtë marrëveshje.
Ai tha se me këto 15 pika bosnjizohet Kosova. Ai tha se Thaçi i braktisi shqiptarët si në veri edhe në jg dhe në Kosovën Lindore. Ai tha se Serbia duhet ta ndryshojë Kushtetutën dhe ta njeh Kosovën, kushti moral të kthejë trupat e 1700 viktimave. Ai tha se si kusht drejtësie, është fakti se në Kosovë janë vrarë 12000 mijë veta. Serbia ti dorëzojë kriminelët e luftës, duhet të paguajë dëmet e luftës, të kthejë pensionet etj.
Ai tha se shumica bëhet e vlefshme vetëm duke ia shtuar fjalën serbe. Ai tha se Asociacioni ka të drejtë vetoje, edhe para presidentit edhe kryeministrit. Ai tha se Asociacioni i komunave ka mundësi të rritjes së kompetencave dhe zvogëlim. Ai tha se nuk sqarohet as roli dhe përfaqësia. Ai tha se Asociacioni shkatërron integritetin institucional të Kosovës.
Në gjyqësi tha se është krijuar homogjeni gjyqësore dhe se praktikisht veriu u Kosovës po banjollukizohet, vendi do të ketë dy kryeqytete.
Ai tha se as për zgjedhjet nuk krijohet qartësi se cilave dokumente duhet ti përmbahen për zgjedhjet. Ai tha se marrëveshja është antishtetërore dhe antikushtetuese. “Kjo që bëri kryeministri është agresion konstitucional”, tha Kurti. Ai tha se perimetri i Kuvendit është përplot policë, marrëveshja është e padrejtë dhe e turpshme.

Dr. Arsim Bajrami në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së tha se ky grup e përkrah marrëveshjen e cila tha se i jep fund mosmarrëveshje shumë vjeçare, dhe se Asociacioni i komunave nuk është entitet kushtetues, dhe se ai do të ketë vetëm status. Ai tha se kompetencat që mund ti delegohen asociacionit duhet të qartësohet dhe se nuk mund ti delegohen veçmas nga ndonjë komunë, por kjo duhet të bëhet me votim nga Kuvendi me 2/3 e votave.
Ai tha se marrëveshja ruan shtetin unitar të Kosovës dhe kushtetues. Ai tha se marrëveshja i jep fund destruktivitet shtetëror të Serbisë në Kosovë.

Ismet Beqiri Kryetari i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri ka thënë se LDK përkundër vërejtjeve që ka në këtë draft marrëveshje jep pëlqimin e saj në parim. Ai i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të garantoj implementimin e saj.

“Patjetër se duhet të vlerësojmë angazhimin e BE-së dhe SHBA-së në këtë proces. Ne e themi qartë se garancionet dhe mbështetja e SHBA-së dhe BE-së janë arsye kryesore, sepse ne e përkrahim në parim këtë marrëveshje. Janë të njëjtët faktor që na përkrahën në formimin dhe ndërtimin e shtetit tonë. Ne si subjekt vëmë interesat shtetëror para interesave të tjera”, ka theksuar deputeti Beqiri.

Raportimi i Kryeministrit

Asociacioni i komunave serbe ka të njëjtën fuqi dhe kompetenca ekzekutive sikurse ka Asociacioni i Komunave të Kosovës, tha kryeministri Hashim Thaçi duke iu drejtuar Kuvendit të Kosovës në raportimin e tij për marrëveshjen me Serbinë, duke i kërkuar përkrahjen për këtë marrëveshje.
Ai gjatë fjalës së tij përmendi rrugëtimin gjashtë mujor të negociatave, gjatë të cilave tha ai, gjithmonë janë marrë para sysh dhe janë respektuar ligjet e vendit e Kushtetuta.

“Marrëveshja, ka thënë ai është marrëveshje për të ardhmen, për paqen e sigurinë, në Kosovë e në rajon, është marrëveshje që siguron sovranitetin tonë në gjithë territorin, largimin e strukturave paralele me marrëveshje do ligjet dhe Kushtetuta të respektohen ne çdo cep te territorit.

“Kjo marrëveshja është më e mira e mundshme për rrethanat e tashme”, ka thënë pastaj Thaçi për marrëveshjen dhe ka lutur qytetarët që të mos frikësohen nga kjo marrëveshje.

Pastaj Thaçi ka lexuar një për një pikat e marrëveshjes dhe i ka shpjeguar ato sipas mënyrës së vet.

“Asnjëra nga pikët me asgjë nuk e rrezikon tërësinë territoriale të vendit”, ka thënë Thaçi.

Pika 4 dhe 5 janë kushtetuese dhe ligjore bazuar në ligjet e Kosovës. Ai tha se komunat që do të jenë pjesë e Asociacionit mund të dërgojnë në Asociacion, dhe këto kompetenca mund të abrogohen kurdo nga komunat. Ai tha se këto kompetenca nuk kanë asgjë kontestuese.
Bashkësia Asociacioni do të ketë rol pjesëmarrjes në këshillin e komuniteteve, ku do të mund ti prezantojnë interesat e tyre. Sipas pikës 7 do të ketë vetëm një polici të Kosovës, dhe se sipas pikës 8, strukturat ilegale të Serbisë do të legalizohen, dhe se ato më nuk do të organizojnë si të tilla. Sipas pikës 9 do të ketë një komandant rajonal për komunat serbe në veri, një serb i emëruar nga Ministria e Brendshme sipas listës. Thaçi tha se kjo pikë që mund të nxisë debate, marrëveshja e arritur është kompromis, sipas të cilës të gjithë komandantët rajonal të policisë janë nën kontroll të zinxhirit komandues. Pika 10 për gjykatën e apelit, paneli do të ketë shumicë serbe dhe ata do të vendosin në panel në varësi të rastit. Ai tha se kjo konfirmon se strukturat ilegale në gjyqësi do të jenë të shpërbëra dhe do të jenë pjesë e subjektit juridik të Kosovës, ndërsa shumica e panelit serb është në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën.
Duke folur për pikën 11 tha se zgjedhjet lokale do të mbahen këtë vit dhe se duhet të mbahen në kohën me zgjedhjet lokale sipas afatit ligjor dhe kushtetues për zgjedhjet lokale në Republikën e Kosovës.
Me këta ai tha se është arritur një fitore e madhe e demokracisë.
Ai tha se deri më 26 prill do të përcaktohet afati kohor për zbatimin e marrëveshjes, sepse fati i marrëveshjes varet nga zbatimi.
Ai tha se në bashkëpunim me EULEX-in dhe KFOR-in që përmban një plan shumë serioz për zbatimin e planit. Ai tha se javën që vjen në koordinim me planin zbatues.
Ai tha se bisedimet për energjinë dhe telekomin, palët duhet të arrijnë marrëveshje deri më 15 qershor.
Ai tha se pika 14 parasheh procesin integrues dhe se kjo nënkupton një çështje kyçe që do të fuqizojë subjektivitetin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Ai tha se pret që pesë vende të BE-së ta njohin Kosovën në të ardhmen e afërt.
Tani pra Serbia nuk do të mund inkurajojë të tjerët për pengimin e integrimit të Kosovës në strukturat ndërkombëtare, BE etj.
Ai tha se anëtarësimi i Kosovës në traktate nënkupton hapjen e rrugës së integrimeve. Ai tha se për këtë pikë baronesha Eshton do të bëjë një sqarim shtesë dhe ai do të jetë zyrtar pas raportimit në Komisionin Evropian.
Ai tha se komiteti i zbatimit do të jetë në nivelin më të lartë, në përbërje nga kryeministrat e dy vendeve dhe nga BE-ja.
Ai tha se marrëveshja është në përputhje plotësisht me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Dhe se tash kjo kushtetutë do të mund të zbatohet në tërë vendin dhe konsolidon shtetin e Kosovës. Ai më pas kërkoi miratimin nga Kuvendi dhe tha se është i gatshëm të dëgjojë shqetësimet e deputetëve dhe ti përcjellë ato.
bs

Fillon seanca

Ka nisur seanca plenare e Kuvendit të Kosovës, ku pritet që Kryeministri Hashim Thaçi të raportojë para të zgjedhurve të popullit për marrëveshjen e arritur në Bruksel me homologun e tij serb, Ivica Dacic.

Kjo do të jetë një seancë informuese dhe nuk do të ketë ratifikim të marrëveshjes, pasi që siç dihet, në takimin e 19 prillit dy kryeministrat i kanë vënë firmat e tyre në marrëveshje, çka do të thotë se marrëveshja nuk ka ende formë të prerë.

Shumica e grupeve parlamentare, përveç Lëvizjes Vetëvendosje, pritet t’i japin mbështetje Kryeministrit për marrëveshjen e arritur.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat