Dështon rezoluta për Kosovën Lindore

Kosova

Dështon rezoluta për Kosovën Lindore

Më: 31 maj 2013 Në ora: 11:50

Në mungesë të kuorumit, Kuvendi i Kosovës ka dështuar të miratojë Rezolutën për Luginën e Preshevës.
Në momentin e votimit prezentë në sallën e Parlamentit kanë qenë vetëm 56 deputetë, ndërsa Kryetari i Kuvendit e ka ndërprerë seancën.
Veç kësaj, LDK dhe Vetëvendosje kanë kundërshtuar propozimin që në rezolutë të futet edhe pika, e cila obligon Qeverinë të propozojë ndryshime kushtetuese që kanë të bëjnë me shqiptarët që jetojnë jashtë terrirotit të Kosovës.
"Në sallë janë 56 deputetë. Në mungesë të kuorumit seanca ndërpritet. Në seancën e radhës e votojmë tekstin e Rezolutës", ka thënë Kryetari i Kuvendit.

Thaçi: Ndryshime kushtetuese për Luginën

Kryeministri Hashim Thaçi, ka propozuar që në vend të një Rezolute të Kuvendit të Kosovës, siç kishte propozuar deputeti nga radhët e LDK-së, Lutfi Haziri, të nisë ndryshimi i Kushtetutës së Kosovës, duke ndryshuar Pikën 4 që do të sanksiononte të drejtën e Kosovës për t’u kujdesur për shqiptarët jashtë kufijve, në bazë të të drejtës ndërkombëtare.
"Unë propozoj që ta ndryshojmë Kushtetutën e Kosovës, konkretisht nenin 1 të saj. Në pikën 4 të nenit ,1 duhet të thuhet se Kosova interesohet për të drejtat e shqiptarëve jashtë kufijve të saj, në bazë të ligjeve dhe kësaj kushtetute", tha Thaçi para deputetëvve, derisa ka shtuar se kjo çështje nuk zgjidhet me politikë stinore paraelektorale.
Kreu i ekzekutivit ka thënë se çështjen e shqiptarëve atje e ka përmendur në çdo takim që kanë pasur brenda dhe jashtë vendit, ndërsa ka thënë nuk mund të ketë normalizimin të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë pa u zgjidhur çështja e shqiptarëve në Luginë.
Kryeministri Thaçi ka thënë se megjithatë nuk mund të bëhet një balancë ndërmjet veriut të Kosovës dhe shqiptarëve të tri komunat me popullsi shqiptare në këtë pjesë të Serbisë.
Ndërkohë, iniciuesi i këtij debati parlamentar, deputeti Lutfi Haziri ka thënë se miratimi i kësaj Rezolute të Kuvendit është e domosdoshme për të kanalizuar veprimet për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve atje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat