Përurohen dy shtëpi në “Kroin e Vitakut” në veri

Kosova

Përurohen dy shtëpi në “Kroin e Vitakut” në veri

Më: 20 korrik 2013 Në ora: 15:49

Rexhep Xhaka dhe Afrim Olloni së bashku me familjet e tyre, kanë nisur jetën e re në shtëpitë e rindërtuara në kuadër të aksionit humanitar “Ndihmo edhe ti” në Kroin e Vitakut në veri të Mitrovicës. Ata kanë falënderuar donatorët dhe komunën që u kanë ndihmuar për t’u vendosur në shtëpitë e tyre e të reja.

Rexhep Xhaka, tha se prej përfundimit të luftës kanë jetuar në kushte të rënda në jug të qytetit. “Që 14 vite kemi jetuar me qira, tash deshi fati që të na ndihmojnë dhe të kthehemi në shtëpinë tonë”, ka thënë Xhaka.

Ndërkaq, kryetari i komunës, Avni Kastrati, i cili së bashku me nënkryetarin, Riza Haziri dhe kryesuesin e Kuvendit të Komunës, Rrustem Musa, morën pjesë në përurimin e këtyre shtëpive, theksoi se procesi i rindërtimit është duke vazhduar. “Ne po punojmë në lagje të ndryshme të veriut që të krijojmë kushte për t’u kthyer të gjithë ata që kanë jetuar më parë këtu, të cilëve u ishin djegur shtëpitë në luftë”, theksoi Kastrati.

Ai paralajmëroi përurimin e shtëpive të tjera në javët tjera. “Do të vazhdojmë me punë. Është duke u punuar në Kroin e Vitakut dhe në Lagjen e Boshnjakëve. Jemi shumë të lumtur që po mund t’u ndihmojnë qytetarëve tanë që të kthehen në shtëpitë e tyre”, tha Kastrati.

Ndryshe, shtëpitë që u përuruan të shtunën janë rindërtuar nga kompania “Buqaj” dhe kompania “Ariani”, ndërsa në kuadër të aksionit humanitar deri tani janë rindërtuar 50 shtëpi në lagje të ndryshme të veriut.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat