‘Civilna Zastita’ pengon punët, hap gropë në kroin e Vitakut

Kosova

‘Civilna Zastita’ pengon punët, hap gropë në kroin e Vitakut

Më: 9 gusht 2013 Në ora: 19:39

Pjesëtarë të të ashtuquajturës ‘Civilna Zastita’ kanë hapur ditë më parë një gropë të madhe në thellësi të lagjes ‘Kroi i Vitakut’ në veri të Mitrovicës, me qëllim të pengimit të rindërtimit të shtëpive shqiptare në këtë lagje.

Drejtori për Mbrojte dhe Shpëtim në Mitrovicë, Behxhet Bala, ka thënë se kjo gropë e cila është hapur nga ana e grupeve të caktuara serbe, është bërë vetëm për të penguar punimet, por që së shpejti do të mbyllet dhe punimet në rindërtimin e shtëpive të shqiptarëve do të vazhdojnë.

“Hapja e gropës nga ana e Mbrojtjes Civile serbe në Kroin e Vitakut është bërë me makineri të rëndë. Kjo gropë, përveç që është bërë për të penguar punimet, ka për qëllim edhe spastrimin etnik të kësaj lagje, që tani është e banuar me popullatë të përzier”, ka thënë Bala.

Ai ka apeluar tek organet gjegjëse ndërkombëtare që struktura e këtyre njerëzve të shpërbëhet sa më parë, sepse siç u shpreh, po thuajse të gjitha aktivitetet ilegale në veri organizohen nga Mbrojtja Civile.

Bala premtoi që javën e ardhme do të mbulohet ajo gropë dhe procesi i rindërtimit do të vazhdojë.

Në lidhje me këtë, ka reaguar edhe i pari i qytetit të Mitrovicës, Avni Kastrati. Sipas tij, strukturat vendore dhe ndërkombëtare të sigurisë nuk duhet të lejojnë një situatë të tillë, transmeton expres.

“Në të njëjtën kohë që strukturat ilegale serbe pengojnë rindërtimin e shtëpive në Kroin e Vitakut, po të njëjtat struktura ndërtojnë objekte për banim kolektiv në Lagjen e Boshnjakëve”, ka thënë Kastrati.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat