Kosova kërkon nga Maqedonia të mos e përshkallëzojë situatën

Kosova

Kosova kërkon nga Maqedonia të mos e përshkallëzojë situatën

Më: 10 shtator 2013 Në ora: 11:20

(E plotësuar) - Bllokohet kufiri Kosovë-Maqedoni në dy vendkalimet kufitare në Han të Elezit dhe Glloboçicë, për shkak të protestës së transportuesve të Maqedonisë.

Disa kamionë dhe autobusë kanë ndalur automjetet e tyre qindra metra larg vendkalimeve kufitare në pjesën maqedonase, dhe nuk lënë makinat që të kalojnë, për shkak të pakënaqësisë me embargon tregtare që imponoi Kosova të hënën.

Doganat e Kosovës shpjegojnë se qarkullimi me Maqedoninë pothuajse është ndërprerë i tëri.

“Është bllokuar transporti edhe i udhëtarëve edhe i maunave. Kjo për shkak se shoqata e transportuesve të Maqedonisë është duke protestuar në palën maqedonase”, thotë për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i doganave Adriatik Stavileci.

Sipas tij, në zonën neutrale kufitare Maqedoni-Kosovë, vazhdojnë të qëndrojnë dhjeta kamionë transportues, të cilët kanë ngelur aty prej se ka hyrë në fuqi udhëzimi për ndalimin e importit të produkteve maqedonase.

Në bazë të asaj që thonë në Prishtinë duket se këta kamionë do të mbesin edhe për një kohë të ngujuar në këtë tokë të askujt.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë Mimoza Kusari-Lila thotë për Radion Evropa e Lirë, se topi është në fushën e Shkupit zyrtar.

“Tërësisht situata varet nga pala maqedonase. Në rast se Qeveria e Maqedonisë ka për synim zgjidhjen e situatës dhe heqjen e masave, atëherë në të njëjtin moment ne do të heqim masat tona”, shpjegon ajo.

Bllokada e rrugëve që çojnë për në kufirin maqedonas-kosovar janë rezultat i “betejës” tregtare ndërmjet të dy vendeve, e cila u nxit pas ndalimit të importit të miellit dhe grurit të prodhuar në Kosovë për në Maqedoni.

Më pas Kosova vendosi embargo ndaj produkteve maqedonase.

“Vendimi nuk do të tërhiqet, përderisa të jetë në fuqi vendimi i Maqedonisë, në fakt dy vendimet e Maqedonisë, edhe të kufizimit të miellit, edhe të kufizimit të lëvizjes së lirë të qytetarëve”, këmbëngul zëvendëskryeministrja Mimoza Kusari-Lila.

Të dielën Shkupi zyrtar e çoi tutje këtë reciprocitet, por jashtë aspektit tregtar.

Maqedonia futi një taksë rrugore, ku secili kosovar që shkel tokën maqedonase duhet të paguaj 2 euro, ndërsa për makinë 5 euro.

Prishtina u irritua nga ky vendim dhe nga e hëna mbylli kufirin për të gjitha produktet e prodhuara në Maqedoni.

Ditë më parë në Prishtinë qëndroi edhe ministri i Ekonomisë së Maqedonisë Valon Saraqini, i cili u prit nga ministrja Kusari-Lila dhe ministri i Financave Besim Beqaj.

Zgjidhje megjithatë për tejkalimin e këtyre telasheve nuk u gjet.

Të martën ministri Beqaj tha se i vjen keq për vendimin që ka marr Prishtina për mbylljen e kufirit për produktet maqedonase, të cilin e quajti “jo shumë popullist”.

Sipas tij Kosova ishte e detyruar që të kundërpërgjigjet Maqedonisë.

“Masa që fillimisht e kanë pasur karakterin ekonomik, dhe pastaj ka kaluar në karakter të lëvizjes së lirë. Masa që janë për të ardhur keq. Ne nuk kemi dashur që të marrim masa të bllokimit të lëvizjes së qytetarëve, sepse do të dëmtoheshin qytetarët tonë, andej dhe këndej kufirit. Por kemi marr masa për të balancuar, dhe balancimi është që ne nuk do të lejojmë asnjë produkt nga Maqedonia, përderisa ata të heqin të gjitha masat që kanë vënë pa të drejtë, për produktet dhe qytetarët e Republikës së Kosovës”, thotë ministri Beqaj.

Ndërkaq zëvendëskryeministrja Mimoza Kusari-Lila i ka bërë thirrje Shkupit zyrtar që të arsyetojë me gjendjen e krijuar.

“I thërrasim qeverisë maqedonase që të jetë më e vëmendshme ndaj situatës në terren, në shtetin e saj. Por natyrisht edhe në kuadër të raportit me fqinjët, sepse kushtëzimet dhe forma e të kushtëzuarit të tregtimit ka filluar nga Maqedonia”, tha Kusari-Lila.

Sipas policisë kufitare, në Han të Elezit dhe Glloboçicë, kufijtë vazhdojnë të jenë të mbyllur për qarkullim të lirë të automjeteve, ndërsa udhëtarët po këshillohen që të kalojnë në këmbë kufirin dhe të gjejnë ndonjë mjet transportues për të vazhduar udhëtimin.

Rreth 300 milionë euro është vlera e mallit që importohet në Kosovë nga Maqedonia, kurse më pak se 20 milion euro është plasmani i produkteve kosovare në tregun maqedonas.

Vazhdon bllokada në vendkalimin kufitar Bllacë

Vazhdon edhe sot te mbetet i bllokuar në tërësi qarkullimi i makinave në vendkalimin kufitar Bllacë. Kamionët transportues dhe autobusët e shoqatës “Malamatrans” kanë bllokuar korsitë për hyrje dhe dalje ne Maqedoni, në shenjë revolte ndaj embargos së mallrave të vënë nga autoritetet kosovare.
Për momentin qytetarët e Kosovës por dhe ata të Maqedonisë për të qarkulluar po e shfrytëzojnë vendkalimin kufitar të Glloboçicës.

Mediat proqeveritare kane thënë sonte se Shkupi është i gatshëm, të vërë në zbatim edhe regjimin e vizave për shtetasit e Kosovës, me të vetmin qëllim pezullimin e embargos.

Kurse, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës edhe sot thanë se janë për fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim me të gjitha vendet, por përsëritën se masat a ndërmarra ndaj Maqedonisë janë bërë me qëllim të balancimit të veprimeve të qeverisë maqedonase.

Ministri i Financave, Besim Beqaj shprehu keqardhje për bllokimin e tërësishëm të kufirit nga ana e Maqedonisë, por theksoi se qeveria e Kosovës gjithnjë do ta ruajnë identitetin shtetëror, interesin e qytetarit dhe të ekonomisë vendore.

”Qeveria e Kosovës ka qenë e shtyrë të marrë vendim për bllokimin e mallrave me origjinë nga Maqedonia, si kundërpërgjigje ndaj masave të marra nga qeveria maqedonase, fillimisht për bllokimin e miellit dhe më pas edhe për pengimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve”, ka theksuar Beqaj në një takim me përfaqësues të biznesit dhe të shoqatave të prodhuesve dhe përpunuesve të produkteve ushqimore.

Beqaj theksoi se edhe në takimin e djeshëm ua kanë bërë me dije zyrtarëve të qeverisë maqedonase se janë për fqinjësi të mirë dhe marrëdhënie të mira ekonomike, por theksoi se qeveria angazhohet për mbrojtjen e interesit të Kosovës.

Kryetari i Odës Ekonomike Safet Gërxhaliu, tha se bllokadat e ndryshme që vendet e tjera ia bëjnë Kosovës, duhet të na shtyjnë të forcojmë kapacitetet e brendshme dhe prodhimin vendor.

Kurse kryetari i Aleancës së bizneseve, Agim Shahini, theksoi se Kosova nuk do të ketë krizë nga bllokada e Maqedonisë, por tash do të gjenden rrugë alternative te furnizimit.

Ndryshe, në këtë takim u bë e ditur se prej sot do të zbatohet norma e sheshtë e tatimit për bujqit, nga 16 për qind në zero, që pritet të ndikojë në zhvillimin e mëtejme të sektorit të bujqësisë.

Transportuesit nga Maqedonia bllokojnë Bllacën

Transportuesit e shoqatës “Makmatrans” mbrëmë kanë bllokuar me kamionë vendkalimin kufitar mes Maqedonisë dhe Kosovës në Bllacë, në shenjë pakënaqësie ndaj vendosjes së embargos nga pala kosovare.

Ky veprim i tyre ka bllokuar lëvizjen e automjeteve me udhëtarë në të dyja anët e kufirit, njofton korrespondenti i Radios Evropa e Lirë në Shkup.

Transportuesit kanë kërkuar nga Qeveria e Maqedonisë zgjidhjen e shpejtë të situatës, përfshirë edhe heqjen e tasave rrugore për shtetasit e Kosovës.

Nga odat ekonomike dhe shoqata e bujqve kanë vlerësuar se nga masa e Kosovës, humbjet e Maqedonisë sillen në rreth 1 milion dollarë.

Ndërkohë, mediat në gjuhën maqedonase, duke u thirrur në burime qeveritare, kanë njoftuar edhe mundësinë e aplikimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Qeveria e Maqedonisë sot pritet të mbajë një seancë, në të cilën do të shqyrtohen zhvillimet e fundit me Kosovën, ndërsa në të do të raportojë ministri i Ekonomisë, Valon Saraçini, pas takimeve të një dite më parë që ka pasur në Prishtinë me ministren e Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat