Të vërtetat e shqiptarëve të Sanxhakut në Serbi (video)

Kosova

Të vërtetat e shqiptarëve të Sanxhakut në Serbi (video)

Më: 8 tetor 2013 Në ora: 16:35

Historia e shqiptarëve është një histori e ndarë mes visesh të ndryshme të Ballkanit dhe jo vetëm…herë e njohur, por edhe e panjohur, e dukshme, por edhe e padukshme.
Shqiptaret i gjen sot kudo në të gjithë rajonin. Siç janë edhe shqiptarët që jetojnë në zonën e Sanxhakut në Serbi. Për ta, është folur pak ose aspak, ndaj le t’i zbulojmë… Kështu nis emisioni i Top Channal për Sanxhakun e dikurshëm shqiptar, që s’është më.

Dikur, Sanxhaku ka qenë pjesë e vilajetit te Kosovës, që së bashku me vilajetin e Janinës, Manastirit dhe Shkodrës përbënin Shqipërinë e viteve të lidhjes së Prizerenit në 1878-n.
Në 1912, kjo zonë u pushtua përfundimisht nga Serbia dhe Mali i Zi. Shqiptarët nëndhunën dhe masakrat e vazhdueshme u detyruan të shpërngulën në masë, duke u vendosur në Turqi, por edhe Siri e Jordani.

Të tjerët të mbetur tashmë nga shumicë e pakicë iu nënshtruan një procesi përzierje asimiluese me boshnjaket, me të cilet i bashkonte në këtë zone feja, por jo gjuha sllave që megjithatë mbeti alternativa e vetme në kushtet e presionit dhe mungesës së shkollave shqipe.
E megjithatë, në zonën e ndarë mes Serbisë e Malit të Zi, shqiptaret nuk janë shuar.

Ata janë sërisht aty, të deklaruar nën detyrim si boshnjakë... Rrugëtimi ynë ndalet në Sanxhakun e Pazarit të ri apo siç quhet ndryshe, Novi Pazarit që sot ndodhet brenda kufirit serb. Një rrugëtim që na duhet ta ndërmarrim me një makinë me targa Serbie e me një kamera gjysmë amatore.
Shqiptaret kanë zgjedhur të jetojnë në zona të thella për të mos humbur identitetin e tyre. Të grupuar në disa fshatra ata e kane shfrytëzuar këtë mundësi për të mos iu nënshtruar procesit të asimilimit.

Fshati Uglla, pjesë e rajonit të Peshterit, i fshehur pas kthesash të ngatërruara, rreth 1 orë nga Pazari i Ri apo Novi Pazar, siç i thonë serbët është stacioni i parë.
Jane mikpritës, duket se mezi e kishin pritur një vizitë të tillë. Me shqipen që sado arkaike, nuk ka humbur mes këtyre mureve.

« Të parët tanë nuk kanë ditur si të flasin serbisht. Të kishim shkollën do të ishim edhe ne kështu, por ne s’kemi shkollë shqip, vetëm sërisht », thotë Sali Bajri.
Latif Huka, një tjetër banor « boshnjak » i Novi Pazarit, thotë : «Zorr është me ruajtur gjuhën, se nuk e kemi shkollën , nuk na lejne ata neve. Zorr, zorr. Kush martohet me boshnjake e nuk din gruaja gjuhën, fëmija nuk mund me e dit ».

Në familje të tilla të lidhura fort pas tradites, gjuha është kaluar brez pas brezi, deri tek më të vegjlit.

Jo gjithkund është njësoj. Tek të rinjtë, siç tregojnë të moshuarit, gjërat kanë nisur të zbehen.
« Krejt ishalla kam qenë prej vetes , e deri sa të vdes , sa për mua sa për vllazën ne jemi shqiptar », thotë Abaz Huka.

Një tjetër banor i këtij fshati, Arif Mujezinoviç shprehet : «Këtu shqipe, veç kur mblidhemi ne pleqt që jemi disa vetë flasim shqip, se këto të rinjtë kërrkush . Nuk e dijnë se kanë shkuar në shkollë sërbçe ».
Të jesh shqiptar këtu nuk është e thjeshtë... Perkundrazi, ketu shqiptaret jane komuniteti që gezon me pak te drejta, me pak mundësi. Për më tepër, këto të drejta nuk mund t’i kërkojnë ose më mirë nuk kanë ku t’i kërkojnë.

Në Boroshticë, një fshat tjetër jo larg, banorët të tregojnë jo pa ndrojtje mbi presionin shtetëror që bëhet vazhdimisht mbi këto zona…
« Qe tash, edhe shqiptari s’guxon as me hy këtu. Duhet me u lajmeru menjehere kur hyn ketu. Pse? Çka don? Çfarë pune ke? Çfarë ke? », tregon një banor. « Po shkon të merr atje shkon ne stacion (policor) me vete, çka qysh, ja ashtu. Të pyesin pse ke fol, çka ke fol… ».

Këtu gjen mjaft mbiemra të njohur të zonës se Shkodrës si Shkreli, Dukagjini etj... Një pjesë janë detyruar t’i ndryshojne, duke u shtuar prapashtesa sllave, si e vetmja mënyrë për të mos patur probleme me autoritetet vendase.
« E si mundet me qenë mirë kur ta merr dikush gjuhën e s’të len me fol shqip. Baba dhe nana me kanë vdek , e dua Shqipërinë barabar me nanën dhe me babën », thotë një shqiptar i Sanxhakut.

Në fshatra të tjerë situata është më vështirë sepse asimilimi ka qenë thuajse tërësor, ka ende shumë shqiptarë po qe për fat të keq nuk flasin më gjuhën e tyre.
Në Arapoviç na presin mbi 20 burra të fshatit, të gjithë shqiptar, por askush nuk mundet të flasë shqip. Ndaj edhe thërrasin një tjetër më të moshuar.

« Unë thashë ma pare, ma shumë ka boshnjakë. Nuk kemi shkollë shqip, po martohena me bosnjakë e qashtu femijët pas nanave po e humbim gjuhën », thotë i moshuari.
Gjithçka duket si nj fotografi qe tregon fatin e shqiptarëve e që mund ta prekësh në shumë zona të Ballkanit, por edhe më gjerë... Kanë mbetur të tillë vetëm në rrënjë, sepse në të sotmen vështirë kanë ruajtur diçka nga e shkuara e tyre.

Në këto zona, shqiptarët janë detyruar të deklarohen boshnjakë, siç e pranojnë edhe banorët e një tjetër fshati, Bashicës.
“Po, po ma para kemi folë na këtu krejt shqip, na kanë thirrë shqiptarë. Tash na thonë bosanec. Tash jemi shkru boshnjakë”, thonë në Bashicë.

Edhe pse shume kujtojnë mbrojtjen që patriotet Haqif Blyta e Shaban Polluzha i bënë qytetit nga çetnikët në qytetin e Pazarit të Ri, andej nga viti 1941 shqiptarët janë asimiluar në masë.....
“Asimilimi ka ba të vetën, kemi pasë shumë presion, e kemi humbë gjuhën, s’kemi pasë asni munësi”, shprehet me keqardhje një banor i zonës.

Edhe vetë myftiu i komunitetit mysliman në Serbi, i njohur si një mbështetës i fortë i të drejtave të boshnjakëve, përfaqësues dhe kryesues i një sërë shoqatash dhe grupimesh kulturore boshnjake... në fakt, siç edhe ai vetë pohon vjen nga rrënjë shqiptare.
“Fakt është se edhe nëna ime vjen nga Shkreli, e ka prejardhje nga veriu i Shqipërisë, sikur edhe fisi i babës është diku nga Gusinja (Gucia), ndaj nuk e shmang e nuk e përjashtoj dot që të ketë prejardhje shqiptare. Bosnjakët nuk kanë dashur të asimilojnë kërrkënd dhe nëse kjo ka ndodhur, është bërë prej presionit të tjetërkujt”, thotë Muamer Zukurliq, kryemyftiu i komunitetit mysliman në Serbi.

Ka shumë të tjerë në qytet, që druhen të pohojnë apo e kanë humbur identitetin e tyre... presioni i madh e i vazhdueshëm nga brezi në brez ka bërë që tek një pjesë e madhe të fshihet vetëdija kombëtare, deri tek shumë qytetarë të sotëm që janë shkëputur nga rrënjët e tyre.
E kështu ka ndodhur edhe në shumë e shumë fshatra të tjerë të Sanxhakut në Serbi ku jetojnë sot shqiptarët.

Dhjetëra shqiponja fluturojnë në kuotë të ulët mbi këto fshatra. Shqiponja kufitare i quajnë banorët e zonës, sepse dikur këtu ka qenë kufiri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat