Kush qëndron prapa sulmeve në veri?

Kosova

Kush qëndron prapa sulmeve në veri?

Më: 4 nëntor 2013 Në ora: 19:20

Thyerja e qendrave të votimit në Mitrovicën e veriut nga persona të maskuar, ka dëmtuar procesin zgjedhor në këtë komunë, ndërkohë që këto incidente janë shënuar si raste që kanë rrezikuar sigurinë, vlerësojnë zyrtarët e Policisë së Kosovës.

Megjithatë, ata theksojnë se këto incidente nuk nënkuptojnë dështimin e ruajtjes së sigurisë së përgjithshme nga organet e rendit në atë pjesë të Kosovës.

Zëvendëskomandanti i Policisë në veri të Kosovës, Besim Hoti, duke folur për Radion Evropa e Lirë, ka shpjeguar situatën kur personat e maskuar kanë sulmuar qendrën e votimit në shkollën “Shën Sava” në Mitrovicën e veriut.

Ai thekson se ligjërisht, policia ka qenë e obliguar të qëndrojë afër vendvotimeve dhe jo brenda tyre, ndërkaq sulmi i huliganëve, siç i ka quajtur ai, ka qenë mjaft i shpejtë.

“Sulmi i parë, i cili ka qenë i orkestruar prej grupeve të huliganëve, ka qenë shumë i shpejtë, i koordinuar mirë dhe kjo ka shkaktuar kryesisht pasigurinë te personeli që ka qenë i caktuar për mbikëqyrjen e zgjedhjeve dhe ata janë larguar. Ka qenë e pamundur që të parandalohet një sulm i tillë, por kjo nuk nënkupton se policia ka dështuar në procesin e vet”.

“Ajo çfarë vërtetë ka qenë tensionuese dhe të tjerët mund të mos e kenë ditur, është vet prezenca e numrit të qytetarëve për ta shkaktuar një trazirë më të madhe në qytet, do të thotë, ata që kanë qenë për dhe kundër zgjedhjeve. Qëllimi kryesor ka qenë që ne t’i parandalojmë këto veprime ndërmjet tyre dhe kjo është evituar me shumë sukses”, theksoi Hoti.

Ndaj incidenteve të së dielës në Mitrovicën e veriut ka reaguar edhe misioni EULEX.

Zëdhënësi i këtij misioni, Blerim Krasniqi, ka sqaruar angazhimet e EULEX-it pas incidenteve.

“EULEX-i i është përgjigjur menjëherë sulmit në qendrën e votimit në veri të Mitrovicës dhe ka dhënë mbështetje shtesë për Policinë e Kosovës në mënyrë që ta sigurojë stafin e OSBE-së dhe Misionit Vëzhgues të BE-së, që kanë qenë të pranishëm atje”.

“Qëllimi strategjik ishte ndalimi i sulmeve në stacionet tjera në komunën e Mitrovicës së Veriut dhe gjetkë në veri të Kosovës. Kjo, në mënyrë efektive ka ndalur përshkallëzimin e dhunës dhe pengimin e mëtejshëm të procesit të votimit”, ka theksuar Krasniqi.

Por, në anën tjetër, njëri prej liderëve të serbëve të veriut, Marko Jakshiq, anëtar i Shtabit për bojkotimin e zgjedhjeve, ka akuzuar ish-pjesëtarët dhe pjesëtarët e xhandarmërisë serbe për sulmet mbi qendrat e votimit.
“Në vendvotimin te shkolla e mjekësisë, komandanti i dikurshëm i xhandarmërisë Bratislav Dikiq, u ka thënë njerëzve tanë, të cilët vëzhgonin, ‘pse jeni pasiv? Ju do të duhej t’i thyeni kutitë e votimit dhe ne do t’ju ndihmojmë në këtë’”, ka shpjeguar Jakshiq situatën që sipas tij kishte ndodhur pak para sulmit në qendrat e votimit.

Ai gjithashtu ka shtuar se para se kjo të ndodhë, pjesëtarët e Shtabit për bojkotimin e zgjedhjeve, kanë pasur rastin të takojnë njerëz, për të cilët e dinë se i takojnë xhandarmërisë serbe, të cilët gjithashtu i kishin cytur që t’i sulmojnë qendrat e votimit, duke ofruar ndihmën e tyre.

Por, sipas tij, ky edhe ka qenë qëllimi i xhandarmërisë, në mënyrë që më pas të fajësohen pjesëtarët e Shtabit për bojkotimin e zgjedhjeve.

Jakshiq, thotë se ata qysh më parë kishin paralajmëruar opinionin përmes medieve se sulmet mund të ndodhin, por sipas tij, organet e rendit, Policia e Kosovës dhe EULEX-i, nuk kanë qenë të afta t’i parandalojnë sulmet.

Ai ka deklaruar se, megjithatë, në afërsi të qendrave të votimit, kanë qenë një numër kamerash, të cilat e kanë regjistruar ngjarjen.

Në anën tjetër, zëvendëskomandanti i Policisë së Kosovës në veri, Hoti, i ka vlerësuar si spekulime këto deklarata, duke theksuar se ende nuk ka fakte të prekshme se xhandarmeria serbe ka qenë e pranishme në veri të vendit, në ditën e votimeve.

“Këto janë spekulime. Këto janë çështje hipotetike. Mendoj që çfarëdo që flitet tash nuk mund të dokumentohet. Thjeshtë, kemi të bëjmë me fakte kundër opinioneve. Ne fakte të tilla nuk kemi siguruar. Kjo mbetet një opinion, një spekulim”, theksoi Hoti.

Ai ka shtuar se tashmë janë iniciuar tetë raste për këtë proces dhe se organet e rendit janë proces e sipër të identifikimit të personave të mundshëm që kanë kryer sulmet.

Ndaj akuzave të Marko Jakshiqit, i cili është anëtar i Partisë Demokratike të Serbisë, kanë reaguar edhe zyrtarët e Qeverisë së Serbisë.

Sekretari shtetëror i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, Vanja Vukiq, i ka cilësuar si të pasakta akuzat se zëvendësdrejtori i policisë serbe, Bratisllav Dikiq ka iniciuar incidentet në qendrat e votimit në Mitrovicën e veriut.

“Në mënyrë absolute, kjo nuk është e saktë. Nga Partia Demokratike e Serbisë po vijnë akuza të ndryshme, të cilat deri më tash nuk janë vërtetuar si të sakta”, ka theksuar Vukiq.

Ndryshe, misioni EULEX ka dënuar veprimet e dhunshme që janë kryer në Mitrovicën e veriut, ditën e diel, duke i vlerësuar si sulme të drejtë për drejta mbi demokracinë për faktin se kishin për qëllim pengimin e njerëzve q të realizojnë të drejtat e tyre.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat