Hoxhiq: Institucionet e sigurisë të mobilizohen më mirë

Kosova

Hoxhiq: Institucionet e sigurisë të mobilizohen më mirë

Më: 8 nëntor 2013 Në ora: 11:42

Koordinatorja e Zyrës Administrative në veri të Mitrovicës, Adriana Hoxhiq, ka thënë se institucionet e sigurisë duhet të mobilizohen më mirë në mënyrë që më 17 nëntor procesi zgjedhor të jetë në nivel.

Në një prononcim për Radio Kosovën Hoxhiq është shprehur skeptike se 17 nëntori mund të kalojë pa tentime për të shkaktuar incidente nga ana e ekstremistëve.

Shefja e Zyrës Administrative në veri të Mitrovicës, Adriana Hoxhiq, konstaton se incidentet e tre nëntorit, të shkaktuara në pjesën veriore të Mitrovicës, duhet të jenë shembull për një mobilizim më të mirë të të gjithë partnerëve që merren me çështjen e veriut.

Sipas saj, as 17 nëntori nuk do të jetë i lehtë për ata që dëshirojnë të votojnë, meqë, siç thotë ajo, mund të ketë përsëri tentime për të përsëritur tre nëntorin.

“Ajo ditë nuk do të jetë ditë e lehtë dhe nuk e besoj se gjërat do të shkojnë ashtu siç i kemi planifikuar, pa kurrfarë incidenti. Me siguri se do të kemi tensione, por unë besoje se për shkak të eksperiencës që e patëm më tre nëntor, kësaj radhe edhe policia edhe EULEX-i, por edhe KFOR-i do të jenë më të angazhuar që më në fund të kemi një ditë të suksesshme”.

Hoxhiq, thekson më tutje se akterët që merren me çështjen e veriut, duhet që jenë më të angazhuar duke parandaluar çfarëdo incidente të mundshme më 17 nëntor.

“Ma merr mendja se ka me pasur tentime të tilla për ta dëmtuar imazhin e procesit zgjedhor duke penguar qytetarët që të dalin në votime. Por, tani varet tek të gjithë ata që merren me çështjen e veriut dhe të shkojë procesi ashtu siç duhet”.

Veç tjerash, shefja e Zyrës Administrative në veri të Mitrovicës, e ka dënuar sulmin e djeshëm në “Lagjen e Boshnjakëve”. Ajo thekson se ky sulm mund të jetë përpjekje për t`i frikësuar qytetarët që të mos marrin pjesë në zgjedhjet e 17 nëntorit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat