Ahmeti: Personalisht, Isa nuk më ka uruar

Kosova

Ahmeti: Personalisht, Isa nuk më ka uruar

Nga: Mentor Hajrizi Më: 3 dhjetor 2013 Në ora: 14:52

Burrështetasi i Prishtinës, i cili më 1 dhjetor nga qytetarët e Prishtinës është përzgjedhur tashmë kryetar i tyre, Shpend Ahmeti nga Lëvizja Vetëvendosje!, nuk e ka fort dert pse nuk ia ka uruar fitoren kundërshtari i tij, ish-kryetari i deritanishëm i kryeqendrës së Kosovës, Isa Mustafa i LDK-së, madje as nuk u druhet sfidave që e presin atë.

Edhe pse Ahmeti nuk i ka marrë ende çelësat, nuk e ka problem aspak se mendon dikush si ai, apo jo.

“Nuk është problem që dikush nuk mendon si unë. Ai është problemi më i vogël.Por, në qoftë se të gjithë pajtohemi me qëllimin që ta përmirësojmë jetën, atëherë, i kemi punët mirë”, ka thënë kryetari i ri i Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Shpendi mund të ketë marrë shumë urime me rastin e fitores së tij, por nuk mori urim personal nga LDK-ja, nga vetë Isa Mustafa.

“Jo. Personalisht nuk më ka uruar. Por e pashë dje përmes medieve që më kishte uruar fitoren. Mendoj që është një hap shumë i mirë, një hap demokratik dhe për mua kjo mjafton”, ka theksuar për gazetën ‘Bota sot’, z. Ahmeti.

Ai ka folur se prioriteti i tij gjatë mandatit që do ta ushtrojë do të jetë qasja në institucione, posaqërisht, i atyre me karroca dhe me nevoja të veçanta, që sipas tij, janë të garantuara me ligj dhe kushtetutë.

“I kam tre-katër persona që i njoh unë personalisht”, pohoi Ahmeti.

Lëvizja Vetëvendosje!, me në krye Shpend Ahmetin është e hapur të bashkëpunojë. Prandaj, as që druhet prej sfidave që e presin. Për të cilat ka potencuar vetë Ahmeti për gazetën ‘Bota sot’.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat