Ahmeti: Nuk do t’i heq simbolet shtetërore nga Komuna e Prishtinës

Kosova

Ahmeti: Nuk do t’i heq simbolet shtetërore nga Komuna e Prishtinës

Më: 7 dhjetor 2013 Në ora: 14:44

Shpend Ahmeti nuk do t’i heq simbolet shtetërore nga Komuna e Prishtinës, edhe pse subjekti i tij është kundër tyre. Ai thotë se ndërrimi i simboleve i takon nivelit qendror.

Kryetari i sapo zgjedhur i Prishtinës, Shpend Ahmeti thotë se nuk do t’i heq simbolet shtetërore nga Komuna e Prishtinës- anipse Vetëvendosje nuk i ka ato fort në qejf.

Ahmeti thotë se flamuri kombëtar tashmë është në Komunën e Prishtinës, por dhe stemat dhe simbolet e tjera shtetërore të Kosovës, ai do i lë aty, sepse heqja apo vendosja e tyre i takon nivelit qendror, e jo atij lokal.

“Lëvizja Vetëvendosje e ka futur flamurin kombëtar në institucione, por në të njëjtën kohë ne luftojmë që politikisht dhe institucionalisht ta ndërrojmë simbolin në gjithë shtetin sepse ai flamur nuk e përfaqëson vullnetin e popullit”, ka thënë Kryetari i zgjedhur i Prishtinës, Shpend Ahmeti në një intervistë për “Epoka e Re”.

“Nuk mendoj se çështjen mund ta zgjidhim nga bishti. Ani pse edhe tani flamuri kombëtar është në komunën e Prishtinës, megjithatë stema dhe gjërat e tilla do të mbesin, për shkak se ato i rregullon niveli qendror”.

Një gjë e tillë i mbetet Kuvendit të Kosovës. Do të vazhdojmë t’i përdorim simbolet që janë edhe në Kuvendin e Kosovës”.

Ahmeti është shprehur se ai nuk ka pasur koacilion me PDK’në dhe më asnjë subjekt tjetër politik. Për më tepër Ahmeti thotë se Vetëvendosje ka marrë vota edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

“Unë kam pasur votues edhe nga LDK-ja. A i bie kjo që kam pasur marrëveshje me disa degë të LDK-së në Prishtinë? Jo”.

Shpend Ahmeti thotë se asnjëherë nuk do të marr ndonjë plan nga LDK sepse ata konkurruan pikërisht sepse janë ndryshe dhe duan të sjellin ndryshim në qeverisjen dhe politikat qeverisëse në Komunën e Prishtinës.

“Për mua si kryetar janë të rëndësishme ato 12 zotimet të cilat i kemi dhënë gjatë fushatës. Kjo nuk do të thotë se tash jam i mbyllur ndaj pjesëve të programeve të cilat janë të mira, nuk po them të Isa Mustafës, sepse ne kemi qenë për ndryshime”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat