Puset në Fushën e Pajtimit do të rifunksionalizohen shumë shpejt

Kosova

Puset në Fushën e Pajtimit do të rifunksionalizohen shumë shpejt

Më: 19 shkurt 2014 Në ora: 18:07

Të mërkurën, kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, bashkë me Drejtorin e Drejtorisë së Inspeksionit, Xhelal Sveçla, me Drejtorin e Drejtorisë së Infrastrukturës Lokale, Hysen Durmishi, inspektorë dhe inxhinierë të tjerë, vizituan puset e Ujësjellësit Rajonal Prishtina që ndodhen në Fushën e Pajtimit.

Kjo vizitë është pjesë e planit të Komunës për të përmirësuar furnizimin me ujë të pijshëm si në aspektin emergjent gjatë periudhës së thatësirës, ashtu edhe në aspektin afatgjatë, të furnizimin të pandërprerë me ujë.

Pas komunikimit me ujësjellësin në aspektin infrastrukturor ku komuna e Prishtinës mund të ndihmojë KUR Prishtina, janë identifikuar punimet që mund të bëhen në riparimin dhe funksionalizimin e puseve ekzistuese në Fushën e Pajtimin dhe në fshatrat në regjionin e fshatit Llukar, si edhe punimet në identifikimin e puseve të reja në regjionin e Gërmisë.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, shpjegoi para gazetarëve se në atë vend janë 9 puse që sipas ujësjellësit mund të prodhohen deri në 60 litra në sekondë.

Përderisa në të kaluarën këto puse janë përdorë për furnizim të disa lagjeve me ujë që disa vite ato janë jashtë funksionit. Në fakt që nga periudha e pasluftës ajo pjesë e Prishtinës është përdorë në mënyrë joformale si deponi e mbeturinave ndërtimore.

Sasitë e pakontrolluara të mbeturinave ndërtimore i kanë mbuluar puset dhe tani nevojitet një punë për lirimin e tyre dhe funksionalizimin e tyre nga ana e ujësjellësit. Po ashtu, në diskutime me ujësjellësin do të qartësohen edhe masat e tjera për mbrojtjen e asaj toke nga mbeturinat e mëtutjeshme, sepse hidrogjeologët konfirmojnë se ajo pjesë është e pasur me ujë dhe si e tillë ajo mund të jetë objekt studimi për burime tjera që do të ndihmojnë furnizimin me ujë.

"Në bashkëpunim me Ujësjellësin Rajonal Prishtina do ta bëjmë sa më shpejt pastrimin përreth këtyre puseve, në mënyrë që t’i funksionalizojmë ato. Më tej do të shohim mundësinë e hapjeve të puseve të reja në këtë pjesë, ashtu që të kemi sa më shumë burime për furnizim me ujë të pijshëm”, theksoi Ahmeti.

Dy puset e tjera në fshatin Llukar, prodhojnë nga 50 litra ujë në sekondë. Kryetari i Komunës, Shpend Ahmeti, tha se uji në këto puse është i pijshëm, i pastër, por tash për tash derdhet pa përdorim. Ujësjellësi tanimë është duke punuar në funksionalizimin e këtyre dy puseve të cilat janë jashtë përdorimit që nga viti 1989 mirëpo tash për shkak të nevojave të Prishtinës mund të futen prapë në funksion. “Sipas ekspertizës thuhet se në këtë pjesë ka mundësi edhe për puse tjera.

Ujësjellësi do ta ketë përkrahjen maksimale të Komunës që t’i funksionalizojë këto sa më shpejtë”, tha ndër të tjera Ahmeti.

Ahmeti më tej foli edhe për kërkesën që kishte marr nga kompania Ibër-Lepenci, për pastrimin e kanalit që vjen nga Ujmani. “Ne i kemi identifikuar 12 lidhje ilegale në kanalizim në këtë kanal nga Komuna e Prishtinës, dhe besoj që deri në fund të javës do t’i mënjanojmë të gjitha ato. Sa i përket Komunës së Prishtinës, nuk do të ketë më probleme në këtë kanal”, tha në fund Ahmeti.

Ai theksoi po ashtu se të gjitha kërkesave të institucioneve tjera që kanë të bëjnë me furnizimin me ujë të pijshëm, komuna e Prishtinës do të ju përgjigjet me prioritet, dhe po ashtu konfirmojë iniciativat e komunës për identifikimin e burimeve të reja.

Javën e kaluar, Kryetari i Komunës kishte kërkuar informacione shtesë nga Ujësjellësi Regjional Prishtina, mbi konsumatorët dhe rrjetin brenda qytetit, në mënyrë që të merren masat ndaj keqpërdoruesve. “Është e domosdoshme që të kuptojmë se ku po shkon uji i Prishtinës.

Është e vërtetë që thatësira e ka theksuar dukshëm problemin e ujit, por thatësira nuk është problemi i vetëm. Në qoftë se ka koordinim dhe angazhim të gjitha institucioneve, Prishtina brenda 24 muajve mund të ketë ujë 24 orë në ditë.

Çuditërisht përgjigjet nga ujësjellësi tregojnë se shpenzuesit më të mëdhenj të ujit në mënyrë joracionale janë institucionet publike.

Andaj duhet të fillojmë nga institucionet shtetërore në mënyrë që porosia të bartet edhe tek qytetarët”, tha në fund Ahmeti.









Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat