Thaçi: Gjykata Speciale, mënyrë e vetme për të larguar “retë e zeza”

Kosova

Thaçi: Gjykata Speciale, mënyrë e vetme për të larguar “retë e zeza”

Më: 14 prill 2015 Në ora: 22:09

Një nga qëllimet kryesore të Kosovës është integrimi saj në Bashkimin Evropian, shkruan e përjavshmja sllovene “Reporter”, për çka është e rëndësishme edhe pjesëmarrja e pakicës serbe në pushtet.

Marrëveshja kryesore me Serbinë është arritur në verën e vitit 2013 në Bruksel dhe në kuadër të kësaj marrëveshjeje, shkruan kjo e përjavshme sllovene duke cituar zëvendëskryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçin, si dhe në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës janë organizuar edhe zgjedhjet lokale dhe të përgjithshme.

“Serbët tani janë pjesë e Parlamentit të Kosovës dhe në ditët e ardhshme do të jenë prapë pjesë edhe e qeverisë. Kosova është atdhe i të gjithë banorëve të saj dhe së bashku ne mund të ndërtojmë një të ardhme për pjesëmarrje në institucionet shtetërore”, citohet të ketë thënë zëvendëskryeministri Thaçi për “Reporter”.

Me Marrëveshjen e Brukselit, sipas Thaçit, do të krijohet asociacioni i komunave me popullatë serbe, të cilat do të kenë një rëndësi lokale dhe rajonale në fushën e infrastrukturës, të kulturës, arsimit. Por, edhe pse asociacioni nuk do të ketë asnjë funksion legjislativ dhe as ekzekutiv, sipas Thaçit, ai kurrë nuk do të jetë autonomi dhe as nuk do jetë një model i ngjashëm i Republikës Serbe në Bosnjë e Hercegovinë.

“Ky asociacion do të veprojë në përputhje me ligjet e Republikës së Kosovës dhe standardet evropiane të funksionimit të pushtetit lokal”, ka thënë Thaçi.

Në pyetjen e Reporterit se pse nuk e ka marrë postin e kryeministrit pasi ka fituar zgjedhjet e vitit të kaluar, Thaçi është përgjigjur se edhe në Kosovë ka ndodhur ajo çfarë ka ndodhur në vende të tjera, për shembull në Slloveni.

“Kryeministri nuk është nga partia që ka marrë më së shumti vota në zgjedhje as në Slloveni. Partia jonë për së treti herë me radhë ka fituar me një shumicë solide, por ne kemi arritur një marrëveshje me Lidhjen Demokratike të Kosovës, në interes të shtetit. Kemi bërë sakrifica dhe kemi krijuar një qeveri stabile të qendrës së djathtë. Qeveria është duke punuar me një shumicë prej dy të tretave të votave në Parlament, koalicioni përfshin të gjitha pakicat që janë në qeveri dhe kjo ishte një zgjidhje e arsyeshme. Ne ramë dakord që zoti Mustafa ta udhëheqë Qeverinë, unë e kam ushtruar tashmë dy mandate dhe me marrëveshje në vitin e ardhshëm zgjedhem President i vendit dhe kjo është një mënyrë për ndarjen e balancuar të pushtetit”, ka thënë Thaçi, transmeton javorja sllovene “Reporter”.

Ai ka thënë se është i gatshëm ta kërkojë edhe votën e qytetarëve të Kosovës dhe është i sigurt se do ta merrte shumicën e votave të tyre, sikur kreu i shtetit të mos zgjedhej nga parlamenti. “Unë jam i përgatitur për të dyja mundësitë, për tetë vjet unë kam bërë politikë me mbështetjen më të madhe në vend. Mendoj se edhe në zgjedhje të drejtpërdrejta do të merrja mbështetjen masive të qytetarëve për President”, ka thënë Thaçi.

Për marrëveshjen e arritur me Beogradin për Gjyqësorin, Thaçi ka thënë se gjyqtarët serbë ngadalë do të integrohen në sistemin e drejtësisë së Kosovës. “Marrëveshja demonstron përparim të mirë, ne jemi shumë të vendosur për të vazhduar dialogun mes Kosovës dhe Serbisë për të arritur marrëveshje të reja. Në fund të fundit, do të ketë një normalizim të plotë të marrëdhënieve mes dy vendeve”, ka thënë ai.

Ndërsa, i pyetur se cili partner është më i rëndësishëm për Kosovën, Shtetet e Bashkuara apo Bashkimi Evropian, zëvendëskryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se Kosova ka një partneritet të veçantë dhe miqësi të përjetshme me SHBA-të, por ajo është duke bërë përpjekje për t'u integruar në BE, sepse kjo është rruga e vetme e Kosovës.

“Unë besoj se BE-ja do të jetë më e pasur nga një vend i ri, i cili ka një miqësi shumë të ngushtë me Shtetet e Bashkuara. Së fundi, SHBA dhe BE kanë një sistem të vlerave të barabarta për zbatimin e të cilave ne jemi duke bërë përpjekje edhe në Kosovë”, ka thënë Thaçi.

E për sa i përket krijimit të Gjykatës Speciale, zëvendëskryeministri Thaçi, ka thënë se Kosova ka qenë gjithmonë e gatshme për të bashkëpunuar me Tribunalin e Hagës për krime lufte në ish-Jugosllavi dhe të gjithë të akuzuarit nga Kosova kanë shkuar në Hagë vullnetarisht dhe janë liruar.

“Themelimi i Gjykatës nuk është i lehtë, është barrë e rëndë për ne, por kjo është e vetmja mënyrë për të hequr qafe një lloj reje të zezë mbi Kosovën. Gjykata do të veprojë në përputhje me ligjet e Kosovës”, ka thënë Thaçi për të përjavshmen sllovene “Reporter”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat