Protesta po vjen, kërkesat po shtohen, gjaku po nxehet!

Kosova

Protesta po vjen, kërkesat po shtohen, gjaku po nxehet!

Më: 15 prill 2015 Në ora: 09:37

Partitë e opozitës në Kuvendin e Kosovës, të shtunën do të protestojnë kundër kapjes së shtetit. Kështu, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, e kanë caktuar 18 prillin si datë për të protestuar kundër Qeverisë. Po ashtu, opozita i ka një varg kërkesash për të cilat do të dalë në rrugë.

Ish-lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti në protestën e së shtunës do të marr pjesë, por nuk beson se kërkesat e protestës do të realizohen. Megjithatë, Kurti ka paralajmëruar protesta të tjera edhe pas 18 prillit.

“Nuk jam aq optimist, por jemi të vendosur, jemi insistues për këtë gjë, e besojmë se është e vërtetë edhe e drejtë. Mendojmë se edhe kërkesat nuk janë të parealizueshme nëse ka vullnet dhe që të gjitha janë të arsyeshme, të matshme dhe shumë konkrete”, ka theksuar Kurti ditë më parë.

Njohësit e çështjeve politike i kanë vlerësuar si të drejta kërkesat e protestuesve. Madje sipas tyre, ka edhe shumë kërkesa tjera për të cilat mund të protestohet.

Sipas tyre, opozita duhet patjetër të reflektoj dhe ta promovojë një kulturë të re të protestës, demonstratës dhe artikulimit të kërkesave.

“Shteti është kapur, kjo nuk do koment, por, kapjen e shtetit e mundësoi kultura dhe mentaliteti komunistëve shqipfolës, qofshin ata stalinist, enverist, titist dhe shpeshherë edhe opozitar. Prandaj, edhe nëse proteston, opozita nuk duhet ta fajësoj popullin për zgjedhjen e bërë, sepse vet opozita nuk e ka profilizuar veten sipas shijes dhe pritjeve të elektoratit”, ka theksuar Arbër Gashi për gazetën “Bota sot”.

Ai thekson se, elektorati i Kosovës është pragmatik, i fokusuar rreth interesit nacional dhe atij ekonomik. “Mbi të gjitha, elektorati i Kosovës e do hyrjen në BE si qytetar i dinjitetshëm e jo assesi si skllav i përbuzur e komb i ndarë si mos më keq”, vlerëson Gashi.

Rezultati i protestës, sipas Gashit, varet nga artikulimi i kërkesave. “Drejtuesit aktual të opozitës, me përjashtim të drejtuesve të AAK-së, janë shquar në të kaluarën për protesta të dhunshme, djegie flamujsh dhe për kapje të shtetit (Nisma për PDK-në e re). Çfarë i sjell politika e opozitës së sotme shtetit? Cila është vlera e kësaj politike opozitare? Qytetarët e duan dhe e kërkojnë një perspektivë të re. Protesta e datës 18 është një mundësi e mirë për të promovuar kulturën e protestës paqësore, reflektimin e opozitës mbi gabimet e së kaluarës dhe hapjen e një dialogu për vlerat që i ofrojmë shoqërisë”, thotë njohësi i çështjeve politike Arbër Gashi.

Ndërsa, Seremb Gjergji, thotë se, demokracia sjellë një sërë faktorësh që secila parti politike duhet të marrë parasysh. Vota është faktori më qendror.

“Duke u bazuar në votën e Sovranit, opozita është e fuqishme aq sa edhe është vota e tyre. Qeveria aktuale, nga pikëpamja e jashtme publike, jo vetëm qe nuk e ka kapë pushtetin, por as vetveten Lëvizjet dhe veprimet e ngadalshme sociale të kësaj qeverie. Mundësia e dobët e reformimit të segmenteve vitale të shtetit - poashtu është faktorë që tregon se kjo qeveri nuk është e fuqishme e veçmas për ta kapur shtetin”, thotë ai.

Kurse, mbi nocionin shtet - është përgjegjësi e Presidentes që përfaqëson popullin e Kosovës, dhe jo i partive politike apo grupeve të interesit.

“Partitë opozitare - që i përkrahë në dalje të çfarëdo proteste paqësore, sëpari e gjithë partia duhet të besoi në këtë protestë. Kurse, për ta fituar edhe përkrahjen popullore - duhet të përzgjedhin më shumë faktorë se sa vetëm "Kapjen e shtetit". Në shekullin 21 - secila parti politike duhet mbështetët në fakte dhe faktorë konstruktiv dhe jo në demagogji që nuk qojnë askund. Kosova, edhe pse po hyn në Pranverë dhe koha është nxehur, nuk ka nevojë për protesta, por për punë të pandërprerë nga Presidentja e deri tek ajo familja që jeton në maje të bjeshkës. Kurse, Qeveria vërtetë ka nevojë të bëjë ndryshime drastike në përmirësimin dhe avancimin e jetesës së qytetarëve të Kosovës. Veçmas të krijoi Perspektivë”, thotë Seremb Gjergji.

Në protestën e paralajmëruare me 18 prill, partitë opozitarë kanë përcaktuar pikat kryesore, të cilat janë: Trepça të shpallet me ligj ndërmarrje publike me status të veçantë; të shkarkohet Hajredin Kuqi; të dorëhiqet Enver Hasani; të shkarkohet menaxhmenti i RTK-së; kundër çmimit të lartë të rrymës si dhe kundër uzurpimit të sistemit të drejtësisë dhe kundër Asociacionit të Komunave më shumicë Serbe. Bota sot

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat