Vetëvendosje edhe në Mitrovicë fton për pjesëmarrje në protestë

Kosova

Vetëvendosje edhe në Mitrovicë fton për pjesëmarrje në protestë

Më: 16 prill 2015 Në ora: 17:48

Dega e Lëvizjes Vetëvendosje në Mitrovicë vlerëson se që nga fillimi i mandatit të qeverisjes aktuale, në Kosovë është thelluar degradimi politik, ekonomik dhe social.

Thonë se sot shteti i Kosovës dhe qytetarët e saj rrezikohen nga vendimet e kësaj qeverie, andaj sipas tyre, është momenti i fundit që të dilet dhe të protestohet më 18 prill në Prishtinë.

Kështu u tha gjatë një konference me gazetarë të kësaj Lëvizje, të mbajtur në Mitrovicë.

Deputetja në Kuvendin e Kosovës nga radhët e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, ka përmendur një sërë pikash për të cilat tha se është momenti i fundit që qytetarët duhet të dalin në protestë.

Mst/ Haxhiu: Qytetarët e Kosovës rrezikohen nga vendimet e kësaj qeverie

“Sot jemi dëshmitarë të asaj se prej fillimit të mandatit të kësaj Qeverie në Kosovë është thelluar degradimi politik, ekonomik dhe social. Sot shteti i Kosovës dhe qytetarët e kësaj Republike, rrezikohen nga vendimet e kësaj qeverie, andaj është momenti i fundit që të dalim. Protesta e organizuar nga tri subjektet opozitare dhe e cila është mbështetur nga shumë shoqata e organizata, do tëjetë protestë paqësore dhe do të përqendrohet në këto pika, të shfuqizohen vendimet e ZRE-së për shpenzim të energjisë elektrike. Gjatë këtyre dy muajve jemi ballafaquar me shqetësimet dhe ankesat e qytetarëve të Republikës për faturat e larta të energjisë. Për sa kohë kemi një grup politikanësh të pasur e milionerë, në anën tjetër qytetarët e Republikës së Kosovës janë qytetarët më të varfër në Evropë, të cilët po luftojnë për minimumin jetik, në ndërkohë paguajnë faturat më të shtrenjta të energjisë në gjithë Evropën. Së dyti Trepça të shpallet me ligj ndërmarrje publike me status të veçantë, kombinati Trepça është me rëndësi nacionale dhe strategjike, andaj Trepça me ligj duhet të shpallet e pa-privatizueshme”, ka thënë mes tjerash Haxhiu.

Sipas saj, po ashtu sistemi i drejtësisë është i kapur dhe për gjithë këtë është përgjegjës ministri Hajredin Kuçi, i cili duhet të shkarkohet, ndërsa ka përmendur dorëheqjen e Enver Hasanit dhe pika tjera, për të cilat qytetarët duhet të protestojnë.

Në anën tjetër, kryetari i Vetëvendosjes në Mitrovicë, Faruk Mujka, ka folur më shumë për specifikat e organizimit të protestës në Mitrovicë, për një dalje sa më masovike në protestën e 18 prillit.

Mst/ Mujka: Rezultatet e kesaj qeverisje kanë reflektuar më shumë në qytetin e Mitrovicës

“Në qytetin e Mitrovicës më shumë janë shprehur rezultatet negative të kësaj qeverisje të çoroditur dhe ne jemi duke përgatitur së bashku me subjektet opozitare të AAK-së dhe Nisma-s në Mitrovicë, por edhe me disa OJQ dhe organizata sindikale, që të ketë një bashkërenditje dhe pjesëmarrje më masive në protestën e 18 prillit. Shtrenjtimi i rrymës, pastaj krijimin e Asociacionit të Komunave, e deri tek ligji për Trepçën, janë faktorë kryesorë për mitrovicasit pse duhet të dalin në protestë”, theksoi Mujka.

Haxhiu dhe Mujka kanë ftuar qytetarët që të dalin në numër sa më të madh në këtë protestë, duke potencuar se ajo do të jetë paqësore. /A. Damati/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat