Studentët e UP-së solidarizohen me viktimat në Kumanovë

Kosova

Studentët e UP-së solidarizohen me viktimat në Kumanovë

Më: 12 maj 2015 Në ora: 20:51

Për t’u solidarizuar me viktimat në Kumanovë, Grupi i Pavarur i Studentëve kanë ndezur qirinj sot para Teatrit Kombëtar në Prishtinë.

Përmes këtij aksioni ata dënojnë veprimet e shtetit maqedonas ndaj shqiptarëve atje. Për studentët, ky është vetëm aksioni i parë kushtuar bashkëkombësve në Maqedoni. Ata thanë se do të vazhdojnë me organizimin e një koncerti humanitarë në hapësira e Universitetit të Prishtinës, e me të mbledhurat nga ai koncert do t’iu dalin në ndihmë shqiptarëve në Kumanovë.

Argjend Softoli: Po solidarizohemi me viktimat në Maqedoni

“Nëpërmjet këtij aksioni simbolik ne sot jemi solidarizuar me viktimat civile në Maqedoni. Dhe, natyrisht dënojmë aktet makabre që ka bërë pushteti maqedon në atë vend. Natyrisht ky është aksioni I parë simbolik që ne e kemi marrë. Do të vazhdojmë me ndihma të tjera, qoftë materiale të tjera për qytetin e Kumanovës dhe qytetarët shqiptarë që janë në Maqedoni”, tha Argjend Softoli.

Këtu ai fjalën e pati për një organizim të një koncerti që pritet ta bëjnë në hapësirat e UP-së në bashkëpunim me estradën kosovare. Të hollat e mbledhura nga ai koncert tha se do t’iu dërgohen familjeve të “Lagjes së Trimave” në Kumanovë.

Studentët u zotuan se do të bëjnë çfarë të kenë mundësi që të iu dalin në ndihmë shqiptarëve të prekur nga trazirat e fundit në Kumanovë./G.KADRIJA.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat