“Kumanova” mund të luhat raportet Kosovë- Maqedoni

Kosova

“Kumanova” mund të luhat raportet Kosovë- Maqedoni

Më: 16 maj 2015 Në ora: 08:31

Situata e fundit në Kumanovë mund të luhat raportet në mes të Kosovës dhe Maqedonisë, sado që zyrtarë kosovarë për dallim nga ata maqedonas kanë tentuar të jenë sa më neutral në tërë këtë situatë. Gjë e cila nuk ka ndodhur edhe me zyrtarë maqedonas të cilët i kanë quajtur terroristë pjesëmarrësit e grupit në Maqedoni, një numër i së cilëve tashmë i konfirmuar ishte nga Kosova.

Kështu vlerëson shoqëria civile në vend, sipas të cilëve të dyja vendet duhet të kenë kujdes në mënyrën se si sillen në këtë situatë, e që pastaj të mos ketë acarim tëmarrëdhënieve dy paleshe.

Petrit Zogaj nga Lëvizja “Fol”, ka deklaruar për KosovaPress se e tërë ajo që po ndodh në Maqedoni është si pasojë e një sistemi diktatorial të qeverisjes, dhe situata është dashur të plas diku. Zogaj vlerëson se ajo çfarë ka ndodhur në Maqedoni nuk e prek vetëm Kosovës por edhe tërë rajonin. Për Zogajn, Kosova duhet të ketë kujdes që përkundër kësaj që ka ndodhur të ketë raporte normale me Maqedonin, ani pse kjo e fundit ka bërë disa deklarata të rënda për pjesëmarrësit e konfliktit në Kumanovë.

Zogaj: Situatë nuk prek vetëm Kosovën por tërë rajonin

“Ajo çfarë ka ndodh padyshim që prek jo vetëm Kosovën, por prek edhe rajonin, pasi që e kemi parë se në gjithë rajonin ka këso shqetësime të brendshme të minoriteteve, njerëzve pakicë në shtete e ndryshme dhesigurisht që një tentim i dhezjes së një situate diku mund të reflektoj edhe diku tjetër. Ajo çfarë Kosova duhet të ketë kujdes është që të ketë raporte normale me një shtet, ani pse këtu po flasim për Maqedoninë, ani pse kemi parë deklarata të zyrtarëve maqedonë se grupi që është referuar madje si terroristë, të cilën nuk e bëri publik thuajse me ditë të tëra, vijnë shumica nga Kosova”, theksoi Zogaj.

Sipas Zogajt, dy shtetet duhet të merren vesh dhe të komunikojnë për të kuptuar se çfarë ka ndodhur, kush janë njerëzit dhe qëllimi i të gjithë atij aksioni.

Situata e krijuar së fundmi nuk do të duhej të ndikojë në ftohjen e raporteve mes dy vendeve, mirëpo për drejtorin e FOL, ka tendenca që të ketë acarim të marrëdhënieve.

Zogaj: Ka tendenca që të ketë acarim të marrëdhënieve

“Unë besoj që nuk i ftoh marrëdhëniet si marrëdhënie shtetërore por ka tendenca që këto marrëdhënie të krijojnë njëfarë lloj acarimi të panevojshëm sepse nuk kemi të bëjmë këtu me pozicionime të shteteve po me individë që kalojnë kufirin ilegalisht, dhe mund të krijojnë këso problemesh siç kanë krijuar në Kumanovë dhe mbi të gjitha duhet të shihen arsye pse ndodhi pikërisht në Kumanovë e pse nga një grup e jo nga qytetarët që janë duke protestuar dhe po vazhdojnë të protestojnë në Maqedoni kundër qeverisë së Gruevskit”, nënvizoj Zogaj.

Ndërsa, Fisnik Korenica nga Grupi për Studime Politike dhe Juridike ka thënë për KosovaPress se ngjarja e fundit në Kumanovë do të ketë ndikime relativisht substancial në marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Maqedonisë, por kjo varet kryesisht nga ajo nëse Qeveria Gruevski do të vazhdoj të jetë në pushtet.

Korenica vlerëson se institucionet e vendit, përkatësisht Qeveria në raport me krizën e krijuar atje është treguar shumë e butë me një gjuhë shumë neutrale, gjë e cila sipas tij edhe i ka ndihmuar Gruevskit dhe Ali Ahmetit.

Korenica: Neutraliteti i liderëve institucional ndihmoj Gruevskin

“Në përgjithësi liderët institucional tentuan të kenë një gjuhë shumë neutrale dhe ky neutralitet aq i madh edhe i kryeministrit, edhe ministrit të jashtëm, në njëfarë forme i ndihmoj edhe Gruevksit edhe Ali Ahmetit, atjeqë ata të jenë më të balancuar në kuptim të përkrahjes që ata morën nga Kosova... Në relacion me krizën atje, unë mendoj që qeveria jonë kishte një zë shumë të zbutur, tepër të zbutur , dhe në njëfarë forme frikësohej se mos po e merrte rolin e viktimës. Por Kosova në parim nuk ka pse të jetë viktimë në një procesi i cili në sytë e SHBA dhe shtetet kryesore të BE-së në njëfarë forme është i ngritur nga vet Gruevksi “, deklaroi Korenica.

E për Driton Selmanaj nga KDI, sa më shpejtë që të ketë qartësim të situatës, aq më e lehtë do të jetë edhe mos cenimi i marrëdhënieve të mira në mes të dyja vendeve.

Sipas tij, pjesëmarrja individuale e qytetarëve të Kosovës në tërë atë që ndodhi në Kumanovë, nuk i bartin përgjegjësi shtetit të Kosovës në asnjë dimension.

Selmanaj: Qartësimi i situatës ndihmon marrëdhëniet mes dy vendeve

“Sa më shumë të qartësohet situata se çfarë ka ndodhur atje, aq më lehtë do të kalohet kjo situatë në raportet ndër shtetëror, sepse sa më shumë të qartësohet se dikush nga shteti ka qenë të involvuar për këtë rast, atëherë Kosova pothuajse si shtet e bëjnë absolutisht të pafajshëm po thuajse pa asnjë përgjegjësi, diplomatike as politike”,tha Selmanaj.

Ndryshe, në përleshjen e armatosur që ka filluar në orët e para të mëngjesit të së shtunës në Lagjen e Trimave në Kumanovë, janë vrarë 10 persona nga grupi i armatosur dhe 8 policë. Kurse, në polici po mbahen 30 persona.

Mësohet se janë gjithsej 68 objekte që kanë pësuar dëme nga luftimet e fundjavës së shkuar, prej të cilave 28 shtëpi janë vlerësuar si “të shkatërruara plotësisht”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat