​Shkolla Amerikane në Kosovë nxjerrë 62 nxënës të diplomuar

Kosova

​Shkolla Amerikane në Kosovë nxjerrë 62 nxënës të diplomuar

Më: 8 qershor 2015 Në ora: 21:35

Diellza Salihu sot mori diplomën e përfundimit të mësimeve si nxënëse e Shkollës Amerikane në Kosovë. Ajo u zgjedhë si nxënësja me të arriturat më të larta akademike për këtë gjeneratë. Gëzimi e mërzia përcjellën sot Diellzën.

E para, sepse kaloi vite të tëra me njerëz që sot po i quan familja e dytë, dhe e dyta sepse sot po ndahet nga ta.

Si ajo, mësimet në këtë shkollë i përfunduan edhe 61 nxënës të tjerë. Të gjithë të cilët i thanë mirupafshim njëri tjetrit vlerësuan se gjatë tetë orëve të mësimit, aty u bënë motra e vëllezër e përpos kësaj mësuan shumë e shumë gjëra.

Salihu: ASK, familja jonë e dytë

“Kemi qenë shumë të vegjël kur kemi hyrë për herë të parë në dyert e kësaj shkolle si nxënës dhe nuk kemi pas ide që do ta njihnim edhe një familje këtu. Familjen tonë të dytë. Kemi kaluar tetë orë në ditë në këtë shkollë, gjatë tre ose katër viteve. Jemi bërë motra dhe vëllezër. Kemi mësuar shumë gjatë kësaj kohe, duke u rritur me dije dhe maturi. Dua që të gjithë ne të jemi mirënjohës për njerëzit e mrekullueshëm që i kemi takuar këtu, prej profesorëve deri të Axha Idriz, roja i sigurimit. Sa për ne nxënësit, kemi përballuar shumë pengesa, kemi pas mosmarrëveshje për shumë gjëra, dhe kemi qenë të bezdisshëm ndaj njëri tjetrit, por, hej, kjo është diçka që motrat dhe vëllezërit e bëjnë zakonisht”, tha ajo.

Bashkë me Diellzën sot diplomuan edhe 61 nxënës tjerë të American School of Kosovo.

Me një ceremoni solemne, ata përmbyllën sot gjithë atë që e jetuan së bashku si nxënës të kësaj shkolle.

E krye-drejtori i Shkollës Amerikane të Kosovës, Ardian Hoxha, nxënësit që diplomuan i quajti lider të ardhshëm.

Ardian Hoxha: Ju do t’i bëni ndryshimet

“Ju mund të bëni ndryshime në do segment të jetës. Kosova, shteti ynë, është një vend shumë i vogël, dhe sfidat që i kemi ne sot, ju të diplomuarit tanë mund t’i zgjid hni, dhe do i zgjidhni shumë shpejtë shumë lehtë. Kjo kërkon fuqi dhe karakter të fortë. Por, do që mund të bëhet, dhe këtë e presim nga ju”, tha ai.

Gëzimin e diplomimit me nxënësit e ndau edhe këshilltari akademik i tyre profesori Erëblir Kadriu.

Kadriu: Nxënësit e ASK-së kanë fituar bursa prej më shumë se 1 milionë dollarë

“Sot do t’i harrojmë të gjitha, do t’i harrojmë dënimet, suspendimet, dhe i’u përgëzojmë juve si individ dhe si studentë të ASK-së... Zakonisht, në ceremonitë e studimeve dhe diplomimeve, zakonisht flasin për të arriturat e studentëve tanë. E sa i’u përket studimeve këtë vit, edhe pse një numër relativisht jo fort i madh keni aplikuar, mirëpo nëse vetëm e kalkulojmë të gjitha bursat që ju i keni fituar si studentë të ASK-së, dhe më duhet të them se është një shumë bukur e madhe. Shuma e bursave të fituar a është 1 milionë e 787 mijë e 500 dollarë, dhe kjo është ajo që ju duhet të krenoheni për të arriturat e juaja”, tha ai.

Ceremonia e diplomimit të 62 nxënësve të Shkollës Amerikane të Kosovës u përcjellë edhe me muzikë dhe video të punuara nga nxënësit, të cilat tregonin jetën e nxënësve në këtë shkollë./G.KADRIJA/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat