Opozita nuk tërhiqet për Specialen

Kosova

Opozita nuk tërhiqet për Specialen

Më: 9 korrik 2015 Në ora: 16:02

Kundërshtuesit Speciales i kanë kthyer përgjigje ambasadores amerikane Tracey Ann Jacobson, e cila ka deklaruar se ata deputetë që po e kundërshtojnë këtë gjykatë, po e bëjnë për interesa personale

Përfaqësuesit e opozitës kanë thënë se Gjykatën Speciale e kundërshtojnë për shkak se si e tillë e cënon sovranitetin e Kosovës dhe është gjykatë vetëm për shqiptarët.

Përfaqësuesit e partive opozitare kanë hedhur poshtë pretendimet e ambasadores amerikane në Kosovë, Tracey Ann Jacobson, se po e kundërshtojnë Gjykatën Speciale për interesa personale. Donika Kadaj Bujupi, shefe e Grupit Parlamentar të AAK-së, tha se qëndrimi kundër Gjykatës Speciale, nuk ka të bëjë me asnjë çështje individuale apo me agjenda të ndryshme.

“Prej vitit 2000 Aleanca e ka dëshmuar më shumë se një herë se asnjë çështje individuale nuk qëndron mbi interesin e shtetit. Liderët tanë kanë bashkëpunuar me drejtësinë edhe vendore edhe ndërkombëtare”, tha Kadaj Bujupi për Radio Kosovën.

Kurse Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje tha se arsyet e kundërshtimit të Gjykatës Speciale janë parimore.

“E vetmja arsye se pse ne e kundërshtojmë Gjykatën Speciale, është për shkak se është gjykatë etnike, po bëhet vetëm për shqiptarët dhe kjo është e padrejtë. E dyta është që e cënon sovranitetin e Republikës së Kosovës. Ne jemi deputetë dhe e kemi obligim të mbrojmë sovranitetin dhe luftën e drejtë të UÇK-së”, tha Haxhiu për Radio Kosovën.

Radio Kosova ka provuar të marrë një opinion rreth deklaratave të ambasadores amerikane, edhe nga ata deputetë të PDK-së që kanë votuar kundër Gjykatës Speciale, por ata nuk kanë dashur të flasin. Sidoqoftë, në seancën e Kuvendit deputeti i PDK-së, Nait Hasani e ka quajtur të padrejtë kërkesën që të votohet kjo gjykatë, teksa ka përmendur krimet që Serbia ka kryer në Kosovë.

“EULEX-I e UNMIK-u që 15 vjet në Kosovë të gjitha veprimet i kanë bërë, çka duan tani prej nesh. Edhe ne e duam Kosovën, kemi luftuar dhe jemi të gatshëm të luftojmë dhe të vdesim përsëri për Kosovën. Por ta dënojmë veten, ata kërkojnë që ne të bëjmë vetëvrasje me dorën tonë dhe të themi nuk kemi çka kërkojmë më tutje, të pajtohemi me të gjitha”, tha Hasani.

Ambasadorja në largim e SHBA-së, Tracey Ann Jacobson një ditë më parë në një intervistë ka thënë se kundërshtarët e Gjykatës Speciale kanë arsye të ndryshme, disa dyshojnë për vete, të tjerët kanë miq që ua merr mendja se mund të akuzohen, ka edhe prej atyre nga opozita të cilët, jo se kanë diçka kundër Speciales, por e bëjnë për të fituar poenë politikë kundër qeverisjes aktuale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat