Pacolli: Viktimat e Srebrenicës po nderohen duke u rivarrosur për Ramazan

Kosova

Pacolli: Viktimat e Srebrenicës po nderohen duke u rivarrosur për Ramazan

Më: 11 korrik 2015 Në ora: 14:10

Lideri i AKR-së, Behgjet Pacolli ka thënë se përkujtimet e sotme të tragjedisë së Srebrenicës, që thuajse e gjithë bota donte ta quante gjenocid, janë diçka me vlerë jashtëzakonisht emocionale, por edhe politike.

Sipas Pacollit, “ceremonitë e sotme ku marrin pjesë shumë liderë të rëndësishëm botërorë të asaj kohe dhe kohës moderne, i japin një varr dinjitoz atyre që vdiqën-besnikë të identitetit të tyre”.

“Këto ceremoni do të detyrojnë edhe përfaqësuesit e vendeve që e kryen këtë tragjedi, të përulen para arkëmorteve me eshtrat e viktimave. Ky është nderim i madh për viktimat, që për më shumë po rivarrosen në një muaj të shenjtë, muajin e Ramazanit”, ka shkruar Pacolli në Facebook.

Ceremonitë e sotme, sipas tij, e vënë drejt gishtin mbi shkaktarin kryesor të gjenocidit në rajon, që është Serbia e Millosheviqit.

“Është për t’u vlerësuar pjesëmarrja e Presidentit serb në këtë ceremoni, por do të vlerësohej edhe më shumë nëse ai me zë të fortë do të kërkonte falje për gjenocidet që Serbia ka shkaktuar në Ish Jugosllavi, në Bosnjë, në Kosovë dhe kudo”.

“Por këto ceremoni, përkufizimi juridik i gjithë asaj që ndodhi kanë një vlerë të jashtëzakonshme aktuale politike. Perëndimi me në krye SHBA, e ndali gjenocidin në Bosnjë dhe Kosovë. Lufta që udhëhoqën SHBA-të në mbështetje të popullsive me shumicë myslimane, nuk ishte një luftë fetare, por luftë për të drejtat universale njerëzore, për të ndalur gjenocidin”.

“Sjellja ndërkombëtare, sjellja e Perëndimit me në krye SHBA-të, ndaj Srebrenicës, ndaj zgjidhjes së pasojave të saj, mund të tentohet të zbatohet diku gjetkë, duke e përdorur atë si precedent për konflikte të tjera ndëretnike. Kjo është arsyeja pse në Këshillin e sigurimit, Rusia vendosi veto”, ka përfunduar Behgjet Pacolli.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat