Çfarë po kërkon ISIS-i te shqiptarët?

Kosova

Çfarë po kërkon ISIS-i te shqiptarët?

Nga: Nehat SHAQIRI Më: 12 korrik 2015 Në ora: 11:05

Shqiptarët gjithnjë e më shumë po kthehen në viktima të organizatës terroriste ISIS, ose në ndonjë rast edhe duke luftuar kundër saj, në luftën në Siri. Prerja e kokave dhe brutaliteti i ekstremistëve në Lindjen e Mesme, po bëhet nga xhihadistë që pretendojnë se kanë ngritur kalifatin e quajtur “Shteti Islamik”. Njëri prej rasteve të fundit që përfundoi tragjikisht është ai i Valdet Gashit, ish kampion bote në një sport i tai-boxit, i cili la pas vetes dy fëmijë, gruan e ve dhe nënën në vaj. Deri më tani janë dhjetëra shqiptarë që kanë rënë “xhihad” për Shtetin Islamik i Irakut (ISIS). Kjo ka bërë që imazhi i shqiptarëve në përgjithësi të vazhdoj të dëmtohet për shkak të pranisë të bashkëkombësve në luftërat në Lindjen e mesme.
Kurse, Milazim Haxhiaj nga Rakoshi i Istogut, Besnik Latifi, Enis Latifi dhe Gazmend Haliti nga Mitrovica si dhe një person N.N., janë të arrestuarit e së shtunës, që dyshohen për terrorizëm. Latifi dhe Haliti kanë qenë të arrestuar nga Policia e Kosovës edhe më parë nën dyshimin e përfshirjes në luftime në Siri. Ndërkohë, i arrestuari tjetër Milazim Haxhiaj, bashkë me dy të dyshuarit e tjerë, janë kapur në flagrancë mëngjesin e së shtunës në magjistralen Prishtinë-Gjilan, derisa me vete kishin maska dhe shenja të organizatës famëkeqe ISIS.
Politologu Mentor Tahiri, thekson se, në shumë raste është duke u manipuluar me numrin e qytetarëve nga viset shqiptare të cilët i janë bashkëngjitur IS-it apo edhe grupeve tjera në Lindjen e mesme, andaj është vështirë të vlerësohet nëse ky numër është në rritje apo rënie.
“Ajo që duhet të na shqetësojë më tepër se numri i tyre, është vetë burimi ideologjik i cili vazhdon të jetë motor i nxitjes për të ndërmarrë diçka të tillë. Prania e shqiptarëve në Siri dhe Irak, është produkt i një fushate shumëvjeçare të indoktrinimit i cili ka ndodhur veçanërisht në dhjetëvjeçarin e fundit, e ku është shfrytëzuar maksimalisht gjendja e vështirësuar sociale e kombinuar me krizën e identitetit. Praktikisht çdo qytetar i Kosovës, është dëshmitar për propagandime radikale të zhvilluara nga klerikë të pandërgjegjshëm, pavarësisht se kjo nuk përkon aspak me Islamin, dhe atë që Islami predikon si religjion dhe filozofi e të jetuarit. Megjithatë qëndrimet radikale duket se janë toleruar në heshtje”, thotë Tahiri për gazetën “Bota sot”.
Në anën tjetër, sipas Tahirit, reagimi institucional ka qenë relativisht i vonshëm, në kuptimin që nuk është dalluar vetë momenti kur ajo që dikur quhej ‘‘Pranverë Arabe’’ në Siri dhe që si e tillë kishte edhe përkrahjen perëndimore, u shndërrua në një luftë të një karakterit krejtësisht tjetër.
“Institucionet e Kosovës përgjatë gjithë periudhës 2012-2013, natyrshëm u rreshtuan përkrahë qëndrimeve të demokracive perëndimore, kurse në këtë drejtim një kohë të gjatë, lufta kundër regjimit të Al Asad, ishte përkrahur me qëndrime të vazhdueshme deklarative. Përgjithësisht gjatë kësaj periudhe, vetë shkuarja e individëve të caktuar në Siri, nuk ishte cilësuar si diçka armiqësore, por pikërisht gjatë kësaj periudhe mund të jenë krijuar kanale e nevojshme të komunikimit që japin rezultate gjerë me sot. Imazhi i shqiptarëve kudo, do të vazhdoj të dëmtohet për shkak të pranisë të bashkëkombësëve në luftërat në Lindjen e mesme. Tani për tani këtë nuk do ta vërejmë në qëndrime zyrtare të qeverive, por kjo mund të krijoj thellimin e stereotipeve që janë të pranishëm në qëndrimet kundrejt shqiptarëve. Për të ndalur thellimin e kësaj, vetë shqiptarët, si individ dhe kolektiv, duhet të japin mesazhe të qarta, ku mbi të gjitha do të çmohet distancimi nga radikalizmat ideologjike që manipulojnë me religjionin”, thotë politologu Mentor Tahiri.
Ndryshe, në media ka qarkulluar edhe një dokument ku thuhet se Policia e Kosovës, bazuar në rrezikun e lartë që mund t’i kanoset nga përgatitjet për sulm terrorist nga pjesëtarë të ISIS-it, ka kërkuar nga zinxhiri komandues shtim të lartë të vigjilencës në Prishtinë. Në dokument kërkohet që masat e sigurisë të rriten me theks të veçantë në afërsi të liqeneve artificiale dhe fabrikave të ujit, pasi kishin informacione, se ato mund të ishin cak i terroristëve.
Ndërkohë, arrestimi i tre të dyshuarve ka ndodhur pikërisht në afërsi të liqenit të Badovcit, përderisa policia nuk ka dhënë detaje rreth dokumentit të publikuar dhe nëse liqeni i Badovcit ishte cak i sulmit të këtij grupi me qëllim shkaktimin e dëmeve të mëdha, që do të reflektonin në jetën e qindra mijëra qytetarëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat