Jahjaga e Veseli, pishmanë që paralajmëruan takimin me Nuland

Kosova

Jahjaga e Veseli, pishmanë që paralajmëruan takimin me Nuland

Më: 12 korrik 2015 Në ora: 14:39

Ndihmësja për çështje të Evropës dhe Azisë të sekretarit të shtetit, John Kerry, Victoria Nuland, sot do të vizitojë Kosovën, me ç’rast do të takojë zyrtarët më të lartë shtetërorë.

Dje zyra për media e Kuvendit të Kosovës raportoi për një takim që zyrtarja amerikane do të zhvillojë me kryeparlamentarin Kadri Veseli, ashtu siç bëri me dije edhe zyra për informim e presidentes Atifete Jahjaga.

Mirëpo, të dy këto institucione, me sa duket, kanë zbuluar një “sekret shtetëror” dhe sot i kanë rënë pishman për njoftimet e djeshme.

“Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, pret në takim zonjën Victoria Nuland, ndihmëssekretare amerikane e Shtetit. Shënim: Takimi do të mbahet pa media”, thuhet në njoftimin e sotëm për media të Departamentit të Informacionit dhe Komunikimit me Publikun të zyrës së Presidentes.

Edhe zyra për informimin e kryeparlamentarit Veseli ka lëshuar një njoftim të ngjashëm ku ka bërë me dije se takimi do të mbahet pa praninë e mediave dhe nuk do të ketë as deklarime pas takimit.

“Njoftim lidhur me takimin e paralajmëruar të kryetarit Veseli me znj. Nuland: Gjatë takimit të sotëm të kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, me ndihmësen për çështje të Evropës dhe Azisë të sekretarit të shtetit, John Kerry, znj.Victoria Nuland, të paralajmëruar dje, ju njoftojmë se nuk do të ketë deklarime për media e as pamje. Lidhur me takimin, do të njoftoheni nëpërmjet një komunikate. Kërkojmë mirëkuptimin tuaj”, nis dhe përfundon njoftimi i sotëm për media i zyrës për media dhe marrëdhënie me publikun e Kuvendit të Kosovës.

Ndërkaq, zyra për informim e Kryeministrisë, me sa duket e ka kuptuar më herët mesazhin e Departamentit Amerikan të Shtetit për të mos njoftuar fare për takimin që kreu i qeverisë, Isa Mustafa, mund ta zhvillojë me zyrtaren amerikane.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat