U përurua objekti i ri i shkollës së mesme profesionale

Kosova

U përurua objekti i ri i shkollës së mesme profesionale

Më: 7 shtator 2015 Në ora: 18:44

Është përuruar sot objekti i ri i shkollës së mesme profesionale “Jonuz Zejnullahu” në Viti, me një solemnitet ku morën pjesë përfaqësues të Institucioneve komunale, punëtorëve arsimor e nxënësve të kësaj shkolle. Kryetari i komunës së Vitisë Sokol Haliti, theksoi veçantinë e ditës së sotme të përurimit të objektit të shkollës, duke e ndërlidhur me datën historike të 7 Shtatori -Shpalljes së Kushtetutës së Republikës së Kosovës më 1990 në Kaqanik.

“Jo rastësisht sot është përurimi i këtij objekti gjigant të shkollës së mesme profesionale, tepër të mirëpritur e të nevojshëm, që është investim i Ministrisë së Arsimit, andaj më lejoni që në emër të Qeverisë komunale dhe në emër tuajin të falënderoj Ministrinë e cila ka bërë këtë investim dhe ata që kanë implementuar këtë projekt. Vërtet kjo na gëzon për faktin se hapsira shkollore dhe ambientet e tilla me kabinete të pasura, me mjete konkretizuese, me ambient të shkëlqyer Brenda dhe jashtë, me qendra sportive rekreative që I kanë munguar Vitisë. Kjo është një risi, një mrekulli ta quaja, me standarde evropiane dhe ne nuk jemi ndal me kaq por kemi vazhduar me lirimin e ambientit jashtë shkollës, do të për8urojmë edhe projekte të tjera shkollore, ku së shpejti do të përurojmë objektin e ri të shkollës në Ballancë, Sadovinë të Çerkezëve, kemi filluar ndërtimin e shkollës në Beguncë, po ashtu do të nisim së shpejti edhe shkollën fillore në Pozheran.

Kështu do ta kompletojmë infrastrukturën shkollore dhe mësimdhënia dhe mësimnxënia do të jenë të cilësisë më të lartë dhe puna e këtij personeli do të ketë rezultate të mira për nxjerrjen e kuadrove profesionale jo vetëm për Vitinë por edhe për tërë vendin”, ka thënë kryetari Haliti. Ndërsa Nijazi Lutfiu drejtori i shkollës së mesme profesionale “Jonuz Zejnullahu”, u shpreh se përurimi i objektit të shkollës së re, është një moment që nuk do të harrohet asnjëherë, sepse e kaluara dhe e tanishmja na bënë ti kujtojmë dy ambiente mësimi me dallime të pa përshkruara.

“Të dashur nxënës, juve ju mbetet që ta ruani dhe shfrytëzoni këtë ambient shkollor që nuk e kemi pasur kurrë më parë, për të mësuar edhe më shumë dhe për tu përgatitur në aspektin teknik dhe profesional për të vazhduar në karrierën tuaj jetësore. Prerjen e shiritit që simbolizon edhe përurimin e objektit të kësaj shkolle, e bënë kryetari Sokol Haliti, drejtori I Drejtorisë së Arsimit Qahil Sinani dhe drejtori I shkollës Nijazi Lutfiu.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat