​A ka kapacitete Kosova të pranojë refugjatë nga Siria?!

Kosova

​A ka kapacitete Kosova të pranojë refugjatë nga Siria?!

Më: 20 shtator 2015 Në ora: 15:27

Vala e refugjatëve sirianë është duke vazhduar çdo ditë dhe kjo po pasqyrohet nëpër medie çdo herë e më shumë, duke u bërë kështu temë kryesore për ditë me radhë për mediat botërore.

Sipas medieve ndërkombëtare kohëve të fundit, e në numër më të madh gjatë muajit gusht dhe shtator janë larguar mbi 350 mijë sirian nga vendi i tyre, pas konfliktit që është duke ndodhur atje, drejt vendeve me vizë Shengen.

Kështu, shumë nga këto vende kanë hapur dyert për t’i strehuar një numër të madh të tyre.

Por, një gjë të tillë ende nuk e ka bërë asnjë vend i Ballkanit, madje as Kosova, e cila posedon vetëm një qendër të azilkërkuesve.

Kjo qendër e cila gjendet në Magure të komunës së Lipjanit, ka kapacitet me mundësi akomodimi për 60 persona deri në mundësi maksimale rreth 120. Por, në anën tjetër kushtet të cilat i posedon ajo janë të standardeve Evropiane dhe konsiderohet si njëra ndër qendrat më të mira në Evropë. Ajo përveç strehimit, ofron edhe kënde të lojërave për fëmijë dhe të rritur, bibliotekën si dhe qasje në internet.

Këtë e ka bërë të ditur për KosovaPress, udhëheqësi i Qendrës së Azilkërkuesve, Fitim Zariqi, i cili tha se gjatë këtij viti nga 55 azilkërkues sa kanë qenë në këtë qendër, 80 % e tyre kanë qenë nga Siria, por për momentin aty nuk ndodhet asnjë.

Zariqi: Për momentin nuk kemi sirian në qendër

“Për momentin nuk kemi sirian në qendër, kemi të akomoduar privat që ka mbrojtje plotësuese, por jo në qendër. Të gjithë që kanë qenë janë larguar nga qendra, për ne nuk dihet vendndodhja e tyre... Sipas informatave që i kemi ata largohen në vendet perëndimore për një jetë më të mirë. Sigurisht këtu dihet që shumica e atyre që vijnë këtu, Kosovën e shfrytëzojnë si vend transit që të kalojnë në vende të tjera evropiane që kanë ekonomi më të zhvilluar, sepse shpesh herë ankohen ata se nuk po munden të gjejnë punë këtu ose nuk janë pagat e mëdha edhe në rast se gjejnë punë”, tha Zariqi.

Por, sipas tij, Ministria e Punëve të Brendshme tani është duke u përgatitur në rast se do të ketë fluks të madh të refugjatëve, duke bërë kështu identifikimin e disa objekteve tjera dhe duke u marrë me përllogaritjet se sa do t’i kushtonte Kosovës në rast se do të ketë një fluks të madh.

Edhe pse ende nuk dihet shuma e këtyre përllogaritjeve, ai bëri të ditur se refugjatëve do t’u shërbime dhe produkte në vlerë prej 21 euro në ditë, shumë kjo që u ofrohet azilantëve të tanishëm.

Zariqi: Refugjatëve do t’u ofrohen vetëm kushtet bazë

“Ne kemi bërë përllogaritje sa i përket një azilkërkuesi. Në këtë rast kërkohet se, refugjatëve, nëse ka fluks të madh, u ofrohen disa produkte bazë, ose shà «rbime bazë, ndërsa azilkërkuesit tani për tani kanë disa shërbime pak më të mëdha. Një azil kërkues tani për tani kushton rreth 21 euro në ditë, këtu duke përfshirë të gjitha shërbimet që shkojnë në funksion të azilkërkuesit siç janë pakot higjienike, shujta ditore, veshmbathje, rryma që harxhohet, uji, transporti, nafta - të gjitha do të thotë që shkojnë në funksion të azilkërkuesve, që harxhon qendra gjatë ditës për një azilkërkues”, u shpreh ai.

Ndërkohë që Qeveria e Kosovës ende nuk ka marrë ndonjë vendim nëse do të pranojë apo jo refugjatë nga Siria, shumë personalitete të larta të vendit tonë, duke filluar nga presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, ministra e këshilltarë të ndryshëm, madje edhe vetë qytetarët kanë kërkuar nga ky institucion që të japë dritën e gjelbër për këta refugjatë.

Këshilltari i presidentes Jahjaga, Arbër Vllahiu ka bërë të ditur përmes telefonit për KosovaPress, se presidentja tanimë veç ka kërkuar nga institucionet përgjegjëse që të bëjnë vlerësimin e kapaciteteve që ka Kosova për të pranuar refugjatë.

“Presidentja Jahjaga ka kërkuar që të bëhen vlerësimet marrë parasysh edhe kufizimet si dhe resurset që ka vendi ynë, dhe pas konsultave me faktorin ndërkombëtarë në Kosovë dhe njëkohësisht edhe duke marrë parasysh vullnetin e qytetarëve të Kosovës, për t’ju dalë në ndihmë këtyre refugjatëve”, ka thënë Vllahiu.

Gjithashtu, edhe kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, Enver Hoxhaj, tha se ata si komision duhet të kërkojnë nga shteti dhe qytetarët që të shohin mundësitë për pranimin e refugjatëve sirianë.

Hoxhaj: Kosova duhet të pranojë refugjatë sirianë

“Unë mendoj se ne s i Komision për Punë të Jashtme do të duhet të kërkojmë prej shtetit tonë dhe prej shoqërisë që të shohim mundësinë që edhe ne si vend i vogël t’i hapim dyert për këta refugjatë. Mendoj që është një pjesë e vetëdijes tonë historike, meqë para 15 viteve shumica prej nesh si qytetarë kanë qenë refugjatë dhe jam i mendimit që shtetit dhe shoqëria jonë, por edhe presidentja edhe Qeveria, por mbi të gjitha edhe institucionet e tjera, edhe Bashkësia Islame, Kisha Katolike edhe Komunat do të duhej që të shprehin vullnet që ne të jemi pranë këtyre njerëzve”, tha Hoxhaj.

Në anën tjetër, këshilltar i sigurisë ne zyrën e kryeministrit, Edon Myftari, thotë se Kosova nuk mund të përballojë një fluks të madh të refugjatëve, për shkak të gjendjes ekonomike sociale të ciline ka ajo. por megjithatë, edhe ai mendon se Kosova duhet t’u ndihmojë.

Myftari: Kosova nuk i ka kushtet për të pranuar refugjatë

Kosova nuk është prekur nga kjo vala e refugjatëve të konfliktit në Siri. Për fat të mirë ne shtetet e Ballkanit Perëndimorë, Kosova në veçanti nuk i kemi do të thotë edhe gjendjen tonë ekonomike sociale që të përballojmë një fluks të madh. Sido që të jetë unë jam i bindur që si institucione do të jemi të gatshëm për atë mundësi që kemi t’u ofrojmë ndihmën vetëm nëse kemi refugjatë sirianë, që për momentin nuk kemi”, tha ai.

Pos tyre, edhe kryetarja e Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, javë më parë ka shprehur qëndrimin e saj se vendi ynë duhet të solidarizohet me këta refugjatë, duke thënë se Kosova duhet t’i kuptojë ata më mirë se askush, pasi që, tha ajo, vite më parë edhe shteti ynë ka pasur nj ë histori të ngjashme.

Gjithashtu, KosovaPress, ka kontaktuar përmes telefonit edhe me Kryqin e Kuq në Prishtinë, të cilët u shprehën se janë të gatshëm që menjëherë të pranojnë refugjatët nga Siria. Sekretari i Kryqit të Kuq, Agron Humolli ka thënë se ata kanë kapacitet të mjaftueshëm dhe se gjithmonë janë në gjendje gatishmëri për t’u ndihmuar njerëzve që kanë nevojë për raste të tilla. Ai shoti se edhe më parë ata e kanë bërë një gjë të tillë, duke ndihmuar qytetarët e Luginës së Preshevës dhe të Maqedonisë dhe se një sfide të tillë ia kanë dal me sukses.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat