Dhjetë pikat e MSA-së, sipas Lumir Abdixhikut

Kosova

Dhjetë pikat e MSA-së, sipas Lumir Abdixhikut

Më: 2 nëntor 2015 Në ora: 16:46

Drejtori i Riinvestit, Lumir Abdixhiku, ka bindjen se MSA-ja ka kaluar kornizat ekonomike e politike. Me qëllim të kontributit në debatin për MSA-në, ai ka paraqitur 10 pika në lidhje me këtë çështje.
1) Tregtia e lirë me BE-në dhe anëtarësimi në BE janë të ndërlidhura – shkojnë bashkë. Nuk mund të kesh mbyllje tregtare me Evropë përderisa kërkon vend në Evropë. Prandaj, të gjithë ata që në njërën anë pretendojnë anëtarësim në BE, e në anën tjetër kundërshtojnë MSA-në mbi motivet e tregtisë së lirë me BE-në, nuk kanë ide se çfarë flasin.

2) Politikisht, kishte me qenë një rast absurd pasja e tregtisë së lirë me Serbinë, Maqedoninë apo dhe Bosnje e Hercegovinën (siç e kishim deri sot), e refuzimi i saj me vendet e BE-së. E pakuptimtë.

3) Pas MSA-së, produktet dhe shërbimet nga BE do të bëhen më të lira – sepse nuk do të paguhet doganë mbi to. Ky akt, nëse asgjë tjetër, i bën produktet evropiane më konkurruese se ato serbe e maqedonase. MSA godet në radhë të parë importet nga këto dy vende.

4) Zbatimi i MSA-së nënkupton dhe të hyra më të pakta doganore. Por kjo nuk do të thotë humbje financiare për kosovarët. Në fund të fundit, doganën mbi produkte evropiane e paguajnë vet kosovarët. Sot, në vend se këto para të përfundojnë në buxhet, mbesin në xhep të kosovarëve.

5) MSA do të rëndojë konkurrencën për prodhuesit e krijuesit vendorë. Për këtë Kosova duhet të krijojë politika ekonomike që rrisin prodhimin vendor; në të kundërtën siç është dëshmuar deri më tani, pa një ekonomi krijuese, pa një bilanc të përmirësuar tregtar, rimëkëmbja ekonomike është e pamundur. MSA pra vetëm si akt përfundimtar e jo proces, është e pakuptimtë.

6) Në ndihmë të këtyre politikave shërbejnë disa masa të parapara me vet marrëveshjen – që duket se është lexuar pak nga shumë kundërshtues të saj. Së pari, implementimi i MSA-së është gradual; pra heqja e doganës për shumë produkte bëhet nëpër vite – jo menjëherë. Kjo jep kohë. Së dyti, janë plot produkte kosovare që mbesin të mbrojtura nga importet e parapara edhe pas marrëveshjes. Përfundimisht, BE ndanë plot 650 milionë euro ndihmë për bizneset kosovare. Pra secila humbje eventuale mund të kompensohet njëtrajtësisht; po ditëm. Tjetër çka se a to të dimë a jo të bëjmë një gjë të tillë.

7) Shkon pa u thënë, se MSA hap një treg të ri për ndërmarrjet eksportuese kosovare; pa doganë në gjithë Evropën. Ndonëse një treg i tillë ka qenë i hapur dhe më parë – me masa preferenciale vjetore – nënshkrimi e sigurimi afatgjatë i të drejtës mbi eksport të lirë jep siguri për shumë investime. Sërish, tjetër çka se a dimë apo jo ti sjellim e ndërtojmë këto investime.

8) Pika më e dobët e marrëveshjes mbetet trajtimi i BE-së pa paragjykim ndaj statusit – as njohje e as mosnjohje. Ky fakt fatkeq, ka kohë që nuk bën më risi; por megjithatë mbetet jashtë kontrollit tonë. Janë pesë shtete që nuk na njohin. Dhe përderisa ka vetëm një shtet në BE që nuk njeh Kosovën, BE do ta ketë të pamundur trajtimin e Kosovës si shtet.

9) Alternativa e mos-nënshkrimit të MSA-së sepse BE nuk na gjykon statusin tonë, ka qenë refuzimi i secilës marrëdhënie kontraktuale me BE. Refuzimi dhe pritja deri sa Spanja – për shembull – të zgjedhë problemin në Kataluni, nëse e zgjedhë ndonjëherë gjithsesi, kishte me qenë shumë i kushtueshëm dhe i pakuptueshëm. Pritje e pafundmë.

10) MSA natyrisht nuk na bën më pak neve shtet; përkundrazi, shfrytëzimi i mirë i saj veçse na forcon. Shtet mbesim pranoj apo nuk pranoj Spanja me Rumaninë, Sllovakinë, Greqinë e Qipron. Shtet mbesim sepse e kemi shpallur veten si të tillë dhe sepse shumë vende më të rëndësishme na njohin si të tillë. MSA është një mekanizëm që na afron me BE-në; dhe për secilin pretendues që pranon BE-në si shtëpinë tonë përfundimtare është e pa-alternativë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat