Ymeri: Hashim Thaçi, përgjegjësi kryesor për mos anëtarësim në UNESCO

Kosova

Ymeri: Hashim Thaçi, përgjegjësi kryesor për mos anëtarësim në UNESCO

Më: 13 nëntor 2015 Në ora: 13:18

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje!, Visar Ymeri, ka kritikuar zëvendëskryeministrin, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçin, për mospranimin e Kosovës në UNESCO.

Ymeri në profilin e tij në “Facebook” ka shkruar se dështimi për t’u anëtarësuar në UNESCO do të na ndjekë, neve si shtet, për një kohë të gjatë. “Ka shumë faktorë që e kanë kushtëzuar këtë dështim. Kryesori nga ta lidhet me Hashim Thaçin, me paaftësinë, sharlatanizmin e ambicien e tij të sëmurë personale”, ka shkruar Ymeri.

Ai ka thënë se Thaçi është sjellë karshi konferencës së UNESCO-s sikur aty shefa të shefave të ishin Adem Grabovci e Ismet Beqiri, të cilët i “sjell e i pështjell”.

Postimi i plotë i Visar Ymerit:
Dështimi për t’u anëtarësuar në UNESCO do të na ndjekë, neve si shtet, për një kohë të gjatë. Përgjegjësia e drejtpërdrejtë politike bie mbi Hashim Thaçin, tash ministër i Jashtëm, kohë më parë kryeministër i Republikës.
Ka shumë faktorë që e kanë kushtëzuar këtë dështim. Kryesori nga ta lidhet me Hashim Thaçin, me paaftësinë, sharlatanizmin e ambicien e tij të sëmurë personale.

Dështimi për sigurimin e votave, madje edhe të shteteve që na kanë njohur, nuk do koment. Aq më i rëndë është fakti kur tri vende, Japonia, Polonia e Koreja e Jugut, të cilat abstenuan, janë njëkohësisht shtete të cilat nuk kanë ngurruar fare ta njohin Kosovën dhe në të cilat ndikimi diplomatik i ShBA-së është jashtëzakonisht i madh. Si dështoi Thaçi t’i sigurojë të paktën këto vota PËR? Apo edhe këto na qenkan vende diktatoriale!?

Procesi nuk duket të ketë qenë i mbështetur, ashtu siç po thuhet, nga shtetet e Quintit që nga fillimi i tij.

Fushata ka qenë e orientuar kah diplomacia publike e jo kah ajo klasike, për qëllime promovimi personal të Hashim Thaçit e të Petrit Selimit, e që rezultoi në fund me disfatë të madhe. Ajo është udhëhequr si ndërmarrje private e Hashim Thaçit. Ndërkohë që tash dështimin po do t’ia faturojë tërë Republikës së Kosovës.

Fushata e Hashim Thaçit e Petrit Selimit nuk e ka respektuar fare parimin e konfindencialitetit dhe heshtjes duke bërë shumë bujë e tepër shumë reklamë personale nëpër rrjetet sociale e faqen e internetit të MPJ-së, gjë që e ka dëmtuar shumë procesin e lobimit.

Hashim Thaçi është sjellë karshi konferencës së UNESCO-s sikur aty shefa të shefave të ishin Adem Grabovci e Ismet Beqiri, të cilët i “sjell e i pështjell”. Por ja që kjo sjellje e pështjellje e Hashim Thaçit po u kushtojnë shumë shtrenjtë Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të kësaj Republike.

Nuk mund të shpëtohet edhe Thaçi edhe Republika. Ne duhet ta shpëtojmë Republikën. Prandaj Thaçi duhet të dorëhiqet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat