Kosova në mbështetje të Francës

Kosova

Kosova në mbështetje të Francës

Më: 14 nëntor 2015 Në ora: 14:30

Udhëheqësit politikë në Kosovë, Bashkësia Islame dhe shoqëria civile shprehën dhimbjen e tyre dhe mbështetjen për popullin francez pas sulmeve të së premtes mbrëma në Paris.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, është shprehur e tronditur me sulmet terroriste në ‎Paris dhe humbjen e shumë jetëve të pafajshme në këto sulme.

“E ndajmë dhembjen me Francën dhe qëndrojmë me popullin francez kundër terrorizmit”, ka shkruar Jahjaga në profilin e saj në Facebook.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, nëpërmjet një deklarate, ka shprehur dhimbjen e tij të thellë për viktimat e sulmeve të së premtes mbrëma në Paris, duke dënuar fuqishëm përpjekjet për terrorizimin e popullit francez me akte mizore e terroriste, përmes të cilave po synohet të mbillet frika në krejt botën e civilizuar.

“Në këto momente të vështira, ne ndajmë dhimbjen me popullin dhe institucionet e Francës, por edhe me mbarë botën demokratike, e cila duhet të mobilizohet fuqishëm për ta mundur të keqen që po i kanoset njerëzimit”, ka theksuar kryeministri Mustafa.

Edhe udhëheqësit e institucioneve dhe partive politike u shprehën të tronditur nga sulmet në Paris, ndërsa solidarizohen me popullin francez.

Përfaqësues të shoqërisë civile ndezën qirinjë në nderim të viktimave.

Sulmet u dënuan ashpër edhe nga Bashkësia Islame e Kosovës.

“Në këto momente të vështira për Francën ne ndajmë dhimbjen dhe pikëllimin e thellë me familjarët e viktimave, me popullin francez dhe me të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë, duke u lutur që bota mos të përballet me veprime të tilla të tmerrshme”, thuhet në një komunikatë, në të cilën theksohet se aktet e tilla terroriste që sjellin viktima, terror e dhunë ndaj njerëzve të pafajshëm janë të papranueshme, antihumane e antinjerëzore dhe si të tilla paraqesin rrezik e sfidë për njerizimin në përgjithësi e botën demokratike në veçanti.

“Mbrëmë në Paris u atakuan liria, demokracia dhe vlerat qytetëruese e civilizuese. Jemi të bindur që Franca dhe bota demokratike nuk do të përulen para së keqes, dhunës e terrorizimit, por do të gjejnë rrugën e duhet dhe masat e nevojshme që ngjarje të tilla mos të përsëriten më”, thuhet në komunikatë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat