Kerry: SHBA nuk do të mbështesin asnjë marrëveshje që kërcënon sovranitetin dhe territorin e Kosovës (Foto/ Video)

Kosova

Kerry: SHBA nuk do të mbështesin asnjë marrëveshje që kërcënon sovranitetin dhe territorin e Kosovës (Foto/ Video)

Nga: Mimozë Lakna Më: 2 dhjetor 2015 Në ora: 07:15

(E plotësuar) - Me nderime të larta shtetërore është pritur në në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, sekretarin amerikan të Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, John Kerry.

Duke i uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, kryeministri Mustafa, e falënderoi sekretarin Kerry për vizitën, dhe i shprehu njëkohësisht mirënjohjen e Qeverisë dhe të qytetarëve të Kosovës për mbështetjen që SHBA-të kanë dhënë dhe po vazhdojnë të japin për Kosovën.

Kryeministri Mustafa, në takim me sekretarin Kerry, ka qenë i shoqëruar nga zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Jashtëm, Hashim Thaçi dhe zëvendëskryeministri Branimir Stojanoviq, dhe Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë Greg Delawie.

Pas takimit, kryeministri Isa Mustafa dhe sekretari John Kerry, i janë drejtuar gazetarëve në një konferencë për medie.

Në fjalën e tij, Kryeminisri Isa Mustafa tha se e ka njoftuar Sekretarin Kerry, lidhur me situatën aktuale në vend dhe prioritetet e Republikës së Kosovës.

Mustafa ka falënderuar sekretarin Kerry për ndihmën e SHBA-ve ndaj Kosovës së pasluftës, në shumë fusha, si në sektorin e sigurisë, institucionet e sundimit të ligjit, asistencës ndaj FSK-së, si dhe ndihmën e SHBA-ve që strehuan qytetarët e Kosovës gjatë luftës.

“Qytetërët e Kosovës e vlerësojnë lartë ndihemën e SHBA-ve. Ne ndjejmë mirënjohje dhe përgjgjësi të thellë për gjithë atë që SHBA-të kanë bërë për Kosovën. Kosova është shtet i të gjithë qytetarëve, është vend multietnik. Pas marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, ne po presim liberalizimin e vizave”, ka thënë Kryeministri Mustafa.

Mustafa tha se marrëveshjet me Malin e zi dhe Serbinë do të argumentohen nga Komisionit profesionale dhe Gjykata Kushtetuese.

Ai tha se jemi të vendosur të luftojmë korrupsionin dhe krimin e organizuar.

“Qeveria e Kosovës po punon projektin e Ndërtimit të Kosovës së re, për të pasur energji trë mjaftueshme, po krijojmë kushte për tërheqjen e investimeve direkte sidomos nga SHBA-të dhe ngritjen e nivelit të Arsimit”, tha Kryeministri Isa Mustafa.

Ai ka vlerësuar përkrahjen e SHBA-ve, për Kosovën në marrëdhënie të ngushta me NATO-n për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Nga ana e tij, Sekretari Kerry ka falënderuar Kryeministrin Isa Mustafa për pritjen e ngrohtë, të Qeverisë së Kosovës.

“Mendova se është shumë e rëndësishme, meqenëse jam duke shkuar në Beograd, dëshirova që të flas me të dyja palët e dialogut. Në emër të Presidentit Obama ju sjella përshëndetjet e tij dhe përkrahjen e SHBA-ve për Republikën e Kosovës. Me kryeministrin Mustafa dhe zëvendëskryeministrat tha se kemi folur për sfidat e Kosovës”, ka thënë ai.

Sekretari Kerry, theksoi se Kryeministri Mustafa dhe zëvendëskryeministri Thaçi janë në rrugë të duhur për të krijuar vende pune.

“Unë kam ardhur këtu që të them se edhe Kryeministru edhe zëvenëskryeministri janë në rrugë të duhur për të krijuar vende pune. Ka shumë mundësi të mira nëse punojmë bashkërisht. Nënshkrimi i kohëve të fundit i MSA-së paraqet një hap të rëndësishëm në këtë drejtim”, u shpreh ai.

Sekretari Kerry, potencoi se SHBA nuk mbështet asnjë marrëveshje që e cenon sovranitetin e Kosovës.

“Unë jam këtu sot për tju përcjell respektin e Presidentit Obama dhe popullit amerikan për lidershipin tuaj. Ne i mbështesim këto përpjekje. Nuk do të mbështesnim asnjë marrëveshje që kërcënon sovranitetin dhe të ardhmen dhe territorin e Kosovës, pasi që ne kemi investuar shumë për pavarësinë e Kosovës", u shpreh ai.

Ai theksoi se debati lidhur me mospajtimet për marrëveshjet duhet të bëhet në Kuvend.

“Kosovarët kanë arritur shumë vitet e fundit por nevojitet edhe më shumë përparim nga ana e të gjithë qytetarët për lirinë e shprehjes dhe protesta paqësore por dhuna është papranueshme. Debati duhet të bëhet me demokraci në veçanti në Kuvend, i cili është tempulli i Demokracisë. Kuvendi Nuk është vendi ku duhet të hidhet gazlotsjellës”, u shpreh sekretari Kerry.

Sipas tij, një e ardhme demokratike për Kosovën, kërkon që çdo qytetar të trajtohet në mënyrë të drejtë.

“Kërkojmë po ashtu që të përmbushen zotimet për Gjykatën Speciale, dhe të hetohen të gjitha rastet korruptive”, nënvizoi ai.

Ai tha se është krenar të theksoj se kombi i tij, ka investuar pothuajse 1 miliard dollar për Kosovën.

“Ata që dhurojnë para duan ta dinë se ku shkojnë ato”, tha ai.

Po ashtu, Skeretari Kerry theksoi si të rëndësishëm ndërtimin e Termocentralit të Kosova e re.

“Ne jemi të përkushtuar që të gjitha bizneset e reja të kenë qasje për energji të ripërtritshme. Besojmë se Kosova e re duhet të prodhoj më pak gazra të dëmshme. Pra Kosova e re do të jap kontributin e saj në ndryshimet klimatike. Pra ka të bëjë edhe me atë se shumë të rinj që kanë studiuar jashtë të kthehen dhe të ndihmojnë në zhvillimin e Kosovës”, tha ndër të tjera Kerry.

Gjithçka gati për konferencën e sekretarit Kerry

Salla për konferencën ku do të flasë sekretari amerikan i shtetit, John Kerry është gati.

John Kerry arrin në Kosovë

Sekretari Kerry ka zbritur nga aeroplani i tij në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, ku është pritur nga ambasadori amerikan, Greg Delawie dhe nga kryeministri Isa Mustafa.

Kryeministri Isa Mustafa i uroi mirëseardhje në Kosovë sekretarit amerikan John Kerry

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka pritur sot në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, sekretarin amerikan të Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, John Kerry.

Sekretari Kerry, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Kosovë, u prit me nderime të larta dhe ceremoni shtetërore nga Garda e Nderit e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Duke i uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, kryeministri Mustafa, e falënderoi sekretarin Kerry për vizitën, dhe i shprehu njëkohësisht mirënjohjen e Qeverisë dhe të qytetarëve të Kosovës për mbështetjen që SHBA-të kanë dhënë dhe po vazhdojnë të japin për Kosovën.

Kryeministri Mustafa, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Jashtëm, Hashim Thaçi dhe zëvendëskryeministri Branimir Stojanoviq, do të zhvillojnë takim bilateral me sekretarin Kerry dhe delegacionin e SHBA-ve.

Pas takimit, kryeministri Isa Mustafa dhe sekretari John Kerry, do t’i drejtohen gazetarëve të pranishëm.

Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry sapo ka arritur në Kosovë. Ai është pritur me nderime të larta shtetërore nga Kryeministri i Republikës së Kosovës Isa Mustafa dhe Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Greg Delawie, nën përcjelljen e Gardës së nderit të FSK-së.
Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry, ka nisur takimin me Kryeministrin Isa Mustafa dhe Ambasadorin Delawie.

Në hapësirat e aeroportit ndërkombëtar të Prishtinës, ai fillimisht do të mbajë një takim me zotin Mustafa, zëvendës-kryeministrin e parë, Hashim Thaçi, dhe zëvendës-kryeministrin tjetër, Branimir Stojanoviq.

Temë diskutimesh pritet të jetë lufta kundër terrorizmit, reformat demokratike dhe bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, të cilat zhvillohen me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Zoti Kerry do të takohet edhe me të rinjtë e Kosovës që kanë marrë pjesë në programet arsimore dhe këmbimore amerikane. Në fund të vizitës, ai do t’u drejtohet mediave nga aeroporti ndërkombëtar i Prishtinës.

Prej andej, sekretari amerikan i shtetit do të niset për në Beograd, për të marrë pjesë në takimin e Këshillit Ministror të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian.

Vizita e zotit Kerry në Kosovë ndodhë në kohën e një krize politike në Kosovë, për shkak të raporteve të tensionuara ndërmjet pushtetit dhe opozitës. Kjo e fundit po kundërshton ashpër marrëveshjen për ngritjen e asociacionit të komunave të banuara me shumicë serbe dhe atë për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, duke i cilësuar si të dëmshme për tërësinë territoriale të Kosovës.

Ardhja e sekretarit të shtetit amerikan John Kerry, ka shtyrë Qeverinë e Kosovës që të bëjë përgatitje të veçantë për pritje.

Në aeroportin e Prishtinës, aty edhe ku është vendi i vetëm që do të ndalet sekretari Kerry, janë thirr vetëm kameramanët dhe fotoreporterët e jo edhe gazetarët.

Ata, janë kontrolluar në detaje përderisa janë bërë gati të hynë brenda, në sallën ku Kerry do të mbajë fjalim.

Sekretari i shtetit do të takohet me kryeministrin Isa Mustafa, dhe dy zëvendësit e tij Hashim Thaçi dhe Branimir Stojanoviq.

Kosova gati për Kerryn

Ndryshe, politikani amerikan, gjatë vizitës në Kosovë do të takohet me liderët e shtetit, takim ky që zhvillohet në aeroportin “Adem Jashari”, në Prishtinë.

Gjatë qëndrimit gati dyorësh në vendin tonë, Kerry në aeroport takohet me kryeministrin, Isa Mustafa, dhe dy zëvendësit e tij, Hashim Thaçi e Branimir Stojanoviq.

Por, ai nuk do ta shohë presidenten Atifete Jahjaga, e cila ditë më parë u takua me zëvendëspresidentin amerikan, Joe Biden.

Sekretari amerikan i shtetit do të ketë takim edhe me disa studentë shqiptarë që kanë studiuar në Shtetet e Bashkuar të Amerikës.

Pas takimeve, Kerry do të prononcohet për media, por në adresimin e tij nuk do të lejohen pyetjet.

Zyrtari i lartë amerikan, që në Kosovë do të vijë me përfaqësuesit më të lartët të departamentit të shtetit, në fjalën drejtuar kosovarëve do të tregohet përkrahës për dialogun me Serbinë në Bruksel, dhe do të flas për mbështetjen që SHBA-të i japin Kosovës në luftën e saj kundër terrorizimit.

Po ashtu, Kerry, do t’ia japë disa porosi Qeverisë së Kosovës.

Menjëherë pas vizitës së shkurtër në Prishtinë, ai udhëton për në Beograd.

Kerry sot viziton Kosovën

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, do të qëndrojë të mërkurën për një vizitë në Kosovë, në kuadër të një turneu që përfshinë disa vende evropiane. Vëzhguesit thonë se vizita e tij do të jetë në funksion të mbështetjes së procesin të shtet-ndërtimit, të forcimit të sundimit të ligjit dhe bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Sekretari Kerry do të diskutojë me zyrtarët e Kosovës edhe çështjen e përfshirjes së qytetarëve të saj në luftërat në Lindjen e Mesme, para se të shkojë në Beograd, për të marrë pjesë në takimin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, ku pritet të mbizotërojë gjendja në Siri, përballja me grupin militant Shteti Islamik dhe kriza e refugjatëve e shkaktuar nga gjendja në Lindjen e Mesme.

Vizita e zotit Kerry në Kosovë, ndodhë në një periudhë kur vendi po përballet me krizë politike për shkak të protestave të partive opozitare kundër marrëveshjeve me Serbinë dhe asaj për shënimin e kufirit me Malin e Zi. Partitë opozitare bllokuan shumë herë seancat e parlamentit të Kosovës, ndërsa akuzuan qeverinë për vendosje të shtetit policor për shkak të masave që janë ndërmarrë ndaj deputetëve opozitar. Pesë prej tyre janë në paraburgim ose nën masën e arrestit shtëpiak, ndërsa dy të tjerë janë në arrati për shkak të urdhër arresteve kundër tyre.

Partitë opozitare thonë se nuk do të lejojnë normalizimin e gjendjes përderisa nuk anulohet marrëveshja për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, që sipas tyre, ndan Kosovën nga brenda si dhe asaj për kufirin me Malin e Zi, që sipas opozitës bën që Kosova të humb rreth 9 mijë hektarë tokë.

Qeveria ndërkaq thotë se është e gatshme për të biseduar rreth shqetësimeve të subjekteve opozitare. Ajo tha se është duke pritur interpretimin e Gjykatës Kushtetuese për Marrëveshjen për krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, si dhe ka iniciuar ekspertizë ndërkombëtare për procesin e përkufizimit të vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.

Marrëveshjet me Serbinë që çuan në shtim të tensioneve politike në Kosovë, ishin pjesë e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve që janë edhe kusht për afrimin e tyre me strukturat evropiane. Ato i siguruan Serbisë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa Kosovës Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, e cila u nënshkrua me 27 tetor.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat