Kryetari Veseli ngushëllon homologun e tij turk, İsmet Yilmaz

Kosova

Kryetari Veseli ngushëllon homologun e tij turk, İsmet Yilmaz

Më: 12 janar 2016 Në ora: 16:11

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, nëpërmjet një telegrami, ka ngushëlluar kryetarin e Kuvendit të Madh Kombëtar të Turqisë, İsmet Yilmaz, deputetët dhe të gjithë popullin turk, pas sulmit të sotëm terrorist në Stamboll, i cili shkaktoi vdekjen dhe plagosjen e dhjetëra qytetarëve.
Në telegramin e kryetarit Veseli thuhet:

“Lajmi për sulmin shkatërrues terrorist në zemër të zonës turistike të Stambollit, që shkaktoi humbjen e jetëve dhe u plagosjen e shumë të tjerëve, shumica e tyre të huaj, u prit në Republikën e Kosovës me dhimbje të thellë.

Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe populli i Kosovës bashkohet me mua për t’i shprehur Shkëlqesisë Suaj, Kuvendit të Madh Kombëtar të Turqisë si dhe familjeve të afërmeve të të vdekurve dhe viktimave, keqardhjen e thellë dhe ngushëllimet e sinqerta.

Me këtë rast shumë të trishtuar, në këto çaste të rënda për Juve dhe qytetarët e Republikës së Turqisë, më lejoni të shpreh dhimbjen time të thellë për Ju dhe vendin tuaj, duke bashkëndjerë dhembjen me familjarët e viktimave.

Ju siguroj, që Republika e Kosovës ka mbështetur dhe mbështet angazhimet e përbashkëta të botës demokratike, me përkushtim të plotë në luftën kundër të gjitha formave të terrorizmit dhe ekstremizmit kudo që shfaqen në botë.
Ju lutem, shkëlqesi pranoni konsideratën time më të lartë për Ju dhe për vendin tuaj”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat