AAK shpreh keqardhje për mospjesëmarrjen e Vetëvendosjes në protestën e sotme

Kosova

AAK shpreh keqardhje për mospjesëmarrjen e Vetëvendosjes në protestën e sotme

Më: 14 maj 2016 Në ora: 11:33

Zyrtarët e AAK’së janë shprehur të rezervuar të thonë kritikë për Lëvizjen Vetëvendosje, e cila ka vendosur t’i bojkotojë protestat e Opozitës. Anëtari i Kryesisë së AAK’së, Smajl Latifi ka thënë se i vjen keq që VV s’është pjesë e kundërshtimit të Qeverisë. Madje, ka thënë se keqardhja shtohet kur dihet se zyrtarët e Vetëvendosjes vazhdimisht kanë mbajtur bajrakun e protestave kundër Qeverisë ndërsa tash kanë vendosur të heshtin.

Lëvizja Vetëvendosje përfundimisht ka vendosur të mos jetë pjesë e protestave të AAK’së dhe NISMA’s pasi vendimi i tyre për protestë ishte marrë pa u konsultuar me “shefat e VV’së”.

Ky veprim i Vetëvendosjes po shihet me keqardhje nga udhëheqësit e Aleancës për Ardhshmërinë e Kosovës.

Në Partinë e Ramush Haradinajt hezitojnë të thonë ndonjë kritikë për veprimet e Vetëvendosjes derisa konsiderojnë se të vetëm do të vazhdojnë kauzën për rrëzimin e Qeverisë dhe shkuarjen në zgjedhje të reja.

“Na vjen keq që Vetëvendosje s’po i përkrahë protestat”, ka thënë Smajl Latifi, anëtar i Kryesisë së AAK’së.

Latifi ka thënë se protesta e sotme do të jetë dinjitoze, paqësore e demokratike.

“Vazhdim i kundërshtimit të Qeverisë antikushtetuese, kundër keqqeverisje, krimit të organizuar në shkallë endemike, pastaj, kundër kapjes së shtetit dhe për zgjedhje të lira të jashtëzakonshme si dalje e vetme e mirë e mundshme që mandati t’i kalojë qytetarit”, ka shtuar ai.

AAK po vazhdon të mbetet në opozitë prej një dekade. Ishte afër të merrte udhëheqjen e Qeverisë pas zgjedhjeve të fundit, por marrëveshje me LDK’në dështoi dhe përsëri mbeti jashtë pushtetit.

Protesta e tyre fillon, sot, në orën 14 dhe është e para e organizuar ndonjëherë nga AAK.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat