Ndotja e ambientit nga emetimi i gazrave të automjeteve shqetësuese

Kosova

Ndotja e ambientit nga emetimi i gazrave të automjeteve shqetësuese

Më: 9 korrik 2016 Në ora: 13:38
Ilustrim

Kujdesi ndaj ambientit është obligim ligjor që kanë të gjitha kompanitë në Kosovë. Në të kaluarën, kujdesi ndaj ambientit ka qenë vullnetare, mirëpo, tashmë shumë direktiva të BE-së dhe ligje të vendit, janë strikte sa i përket ndotjes së ambientit duke përfshirë ajrin, tokën dhe ujin.

Lidhur me këtë në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, thonë se vetëdijesimi i kompanive në ruajtjen e mjedisit është prioritet për ta, pa përjashtuar edhe pronarët individual të automjeteve.

MMPH ka një divizion për edukim dhe ndërgjegjësim për mjedisin, në kuadër të departamentit për mbrojtjen e mjedisit, i cili vazhdimisht organizon ngjarje për të ngritur vetëdijen e publikut lidhur me mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetit të njeriut.

Udhëheqësja e Divizionit të Mbrojtjes së Mjedisit, në kuadër të MMPH, Nezakete Hakaj për Kp thotë se të gjitha automjetet të cilat dalin në qarkullim duhet t’i plotësojnë standardet për lirimin e gazrave.

Hakaj: Kushtet teknike për lirimin e gazrave duhet t’i plotësojnë edhe kompanitë

“Të gjitha veturat të cilat dalin në qarkullim ato bëjnë ndotjen disa më tepër disa më pak, pra varësisht prej moshës së automjetit por edhe prej gjendjes teknike... ne nuk bëjmë dallim a është automjet i kompanisë apo është veturë vetanake, por kushtet teknike për lirimin e gazrave vlejnë njësojë për të gjithë. Ndaj, të gjitha automjetet të cilat dalin në qarkullim duhet t’i plotësojnë standardet për lirimin e gazrave”, theksoi Hakaj.

Sipas saj, në rast se nuk plotësohen kushtet dhe standardet për lirimin e gazrave, Qendra e Kontrollit Teknik nuk guxon t’ia jep certifikatën për qarkullim.

Hakaj thotë se ka ndotje të ambientit nga automjetet të cilat po lirojnë gazra dhe kjo ministri ka përgatitur Udhëzimin Administrativ, ku janë përcaktuar kushtet dhe përgjegjësitë për institucionet dhe për personat të cilët bëjnë regjistrimin e automjeteve.

Hakaj: Ka ndotje të ambientit nga automjetet

“Ka, nuk mundem me thënë që nuk ka, por nuk mundemi ta veçojmë ne specifikisht vetëm me automjetet, sepse përveç veturave që ne i kemi në komunikacion ne kemi edhe industri përreth, pastaj kemi rrugë të cilat kanë pluhur për shkak se ende nuk është plotësuar infrastruktura në vendet rurale dhe në vendet urbane...Kur flasim për Prishtinë kemi edhe Termocentralet të cilat deshëm s’deshëm e kanë ndikimin e vet varësisht prej kahes së erës. Ndaj, janë disa komponentë që neve po na i ndotin më tepër ajrin. Mirëpo, unë po e shohë në kohë të fundit mundemi me thënë se krahasuar me vitin 2001-2002 dukshëm është reduktuar kjo sasi, por problem kemi me pluhur”, thotë Hakaj.

Një nga projektet që po diskutohet në aspektin ambiental është ndërtimi i termocentralit të ri. Në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik thonë se projekti i Termocentralit “Kosova e Re”, do të ndërtohet duke u bazuar në direktivat më të reja të BE-së sa i përket ambientit.

“Kujdesi ndaj ambientit na obligon që të vazhdojmë me ritëm të shpejtë për ta finalizuar projektin, pasi që ky projekt do të ndërtohet me një teknologji super-kritike, e cila aktualisht është teknologjia me e re e testuar në botë”, thonë zyrtarë të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik.

Sipas tyre me projektin e Termocentralit “Kosova e Re”, edhe gazrat do tË reduktohen deri në 80 përqind, me një efiçiencë të gjenerimit në 40 përqind, e që mund të rritet deri në 43 përqind.

“Ky termocentral do të shpenzojë sasi shumë më të vogël të thëngjillit për sasi të njëjtë të prodhimit të energjisë. Kur ia shtojmë kësaj se me hyrjen në gjenerim të TCKR ose pak më parë do të rehabilitohet edhe Kosova B, atëherë, rrjedhimisht çështjet e mbrojtjes së ambientit do të jenë nën nivelet e përcaktuara nga Direktivat e BE-së”, deklaruan në MZHE.

Qasje të përgjegjshme me investime ndaj mbrojtjes së mjedisit, thonë se kanë edhe Kompania kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike (KEDS). Këta të fundit dy vite më parë kanë blerë gjithsej 150 vetura të reja Renault, duke i hequr nga përdorimi veturat e trashëguara nga KEK-u.

Automjetet e blera nga KEDS kane motorin Emission Euro 6, standard dhe ekologjike.

Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala tha se korporatat e mëdha e kanë edhe për obligim që të jenë miqësore ndaj ambientit që ndikojnë pozitivisht në shoqëri dhe të jenë shembull sesi duhet të ruhet ambienti, e jo të shkaktojnë ndotje.

Buzhala: KEDS ka ulur koston e dhe ka reduktuar lirimin e gazrave nga automjetet

“Ky veprim i KEDS për blerjen e 150 veturave ka ulur kostot sikurse ka reduktuar në mënyrë të ndjeshme edhe Emissionin në ambient përkatësisht në ndotjen e ambientit që është shkaktuar më herët nga veturat paraprake. Sigurisht që është politikë e KEDS që të vazhdoi në atë drejtim, ku kemi vazhduar me blerjen e makinerive tjera dhe sot Emissioni i KEDS nga automjetet është dukshëm më i vogël, e cila tregon edhe përgjegjësinë e korporatës ndaj komunitetit dhe ambientit që e rrethon”, theksoi Buzhala.

Ai thekson se pjesa dërmuese e veturave janë të reja dhe ekologjike. Sipas tij këto automjete kanë një ndikim të madh në ruajtjen e mjedisit.

Një investim të ngjashëm e ka bërë edhe “ProCredit Bank”, ku ka blerë 10 vetura të reja “Mitsubish Miev”, të cilat punojnë 100% me energji elektrike dhe nuk e ndotin ambientin.

Nga ProCredit Bank, Albena Çerkaxhiu, thotë se pasurimi i flotës me këto vetura konfirmon përkushtimin e bankës në ruajtjen e mjedisit. “Pa dyshim që këto vetura reflektojnë orientimin e bankës ProCredit në ruajtjen e mjedisit. Përmes këtyre veturave, ne kemi vë në pah lidhjen mes emetimit të dioksid karbonit dhe ndotjes urbane”, theksoi Çarkaxhiu. Ajo thotë se veturat janë shumë ekonomike dhe shpenzojnë përafërsisht 12.5 kWh në 100 km.
Emission Euro 6, është standardi më i lartë i motorëve sa i përket lirimit të gazrave, standard ky i aprovuar në vitin 2014 nga organet e Bashkimit Evropian.

Edhe veprimi i Komunës së Prishtinës për blerje të autobusëve të rinj është parë si hap për ruajtjen e ambientit, pasi autobusët që qarkullojnë aktualisht nëpër qytet nuk i përmbushin as për së afërmi standardet e kërkuara për emetim gazrash.

Rreth 300 mijë automjete janë të regjistruara në Kosovë, dh e ndotja e ajrit në Kosovë po trajtohet si një shqetësim serioz.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat