Emini: Aktivistja Idrizi, shembulli më i përsosur i gruas intelektuale që përpiqet shumë për vendin dhe shoqërinë në tërësi

Kosova

Emini: Aktivistja Idrizi, shembulli më i përsosur i gruas intelektuale që përpiqet shumë për vendin dhe shoqërinë në tërësi

Më: 18 korrik 2016 Në ora: 15:59
Foto nga takimi

Kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Njomza Emini, priti sot në takim aktivisten e shoqërisë civile nga Mitrovica, njëherësh drejtoreshë e Rrjetit të Organizatave të Shoqërisë Civile, Platforma CIVIKOS, Valdete Idrizi, e cila kohë më parë ka fituar çmimin ndërkombëtar për paqe “The WIFTS Peace Award 2016”.

Ky çmim ndahet nga fondacioni që promovon dedikimin me pasion dhe integritet e barazi, me qendër në Los Angjelos dhe Londër, organizatë kjo e cila mbledh gratë nga mbarë bota, nga të gjitha sferat e jetës, të dedikuara me pasion në fushën e tyre.

Kryetarja e komisionit, Emini, i shprehu urimet më të mira znj. Idrizi, si dhe mirënjohjet më të larta për punën e saj të palodhshme. Ajo e konsideroi atë shembullin më të përsosur të gruas intelektuale që përpiqet shumë për vendin dhe shoqërinë në tërësi.

“Ju s’keni reshtur së punuari për një jetë sa më të dinjitetshme për të gjitha komunitetet në Mitrovicë, si një nga përkrahëset më të denja të të drejtave të njeriut dhe ithtare e pakompromis e shkollimit dhe edukimit të grave”, tha Emini.

Aktivistja Idrizi, nga ana e saj, falënderoi kryetaren Emini për pritjen, duke shprehur përkushtimin e saj për të vazhduar angazhimin dhe aktivitetin në promovimin e të drejtave të njeriut, drejtave të grave, e në veçanti të vajzave dhe grave te reja, për të cilat tashmë një kohë bashkëpunojnë në nismën "Follow Us", e cila promovon bashkëpunimin e grave nga sektorë të ndryshëm në rajon.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat