AAK: sëmundja e gjedheve po merr përmasa të një epidemie

Kosova

AAK: sëmundja e gjedheve po merr përmasa të një epidemie

Më: 24 gusht 2016 Në ora: 11:04
Ilustrim

Departamenti për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural i AAK-së ka reaguar lidhur me sëmundjen gungore të lëkurës tek gjedhet, duke thënë se nëse nuk parandalohet atëherë mund të dëmtojë fondin e gjedheve.

Në një njoftim për media nga ky departament thonë se përhapja e kësaj sëmundje në të gjitha zonat e vendit po merr përmasa të një epidemie.

“Pavarësisht se Kosova ka rreth 270.000 krerë gjedhe, këto ditë sëmundja gungore e lëkurës së gjedheve, është duke u përhapur në të gjitha zonat e vendit dhe po merr përmasat e një epidemie. Ky trend tragjik, nëse nuk parandalohet, mund ta dëmtojë seriozisht fondin e gjedheve, këtë kategori shumë të rëndësishme të kafshëve shtëpiake, nga të cilat sigurojmë qumështin, mishin dhe shumë produkte të tyre”, thuhet në njoftimin e tyre.

Më tej nga Departamenti për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural i AAK-së, konstatohet se përhapja e kësaj sëmundjeje tek gjedhet, është alarmuese për fermerët vendor, të cilët ekzistencën e tyre e sigurojnë nga kultivimi i gjedheve në fermat e tyre.

“Ekspertët e Departamentit për Bujqësi Pylltari dhe Zhvillim Rural të AAK-së, kanë vizituar mbi 160 ferma, me ç’rast kanë konstatuar se mbi 2600 krerë gjedhe janë të prekura nga sëmundja gungore e lëkurës së gjedheve, prej të cilave mbi 300 krerë gjedhe janë me shenja klinike të qarta dhe 50 gjedhe janë të ngordhura. Për këtë kërkojmë nga Qeveria e Kosovës që brenda një periudhe sa më të shkurtër kohore, të sigurohen vaksinat përkatëse për të parandaluar këtë sëmundje. Nëse sëmundja nuk mjekohet me vaksina, atëherë ngordhja e kafshëve është e pashmangshme. Qeveria e Kosovës, duhet ta angazhojë Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës që të realizojë vaksinimin masiv për gjedhet e të gjitha zonave të vendit, sepse 25 mijë dozat e vaksinave të para të cilat ishin siguruar nga Komisioni Evropian, u shpërndan për gjedhet në Komunën e Kamenicës, e cila u identifikua si zona e parë, ku shpërtheu kjo sëmundje. Ësh të alarmuese kjo gjendje për fermerët, duke pasur parasysh gjendjen socio-ekonomike të tyre, andaj Departamenti për Bujqësi Pylltari dhe Zhvillim Rural i AAK-së, kërkon një mobilizim institucional për t’iu dale në ndihmë fermerëve, drejtë angazhimit që në kohë sa më të shpejtë dhe në afat sa më të shkurtër, të sigurohen vaksinat”, thuhet më tej në njoftim.

Nga Departamentit për Bujqësi i AAK-së, ftojnë dikasterët shtetëror që sa më parë të identifikojnë numrin e kafshëve të prekura nga sëmundja gungore e lëkurës së gjedheve. Për gjedhet e sëmura të udhëzohet se si duhet të intervenohet, ndërsa gjedhet e ngordhura të groposen, në mënyrë që mos të vijnë në kontakt me gjedhet tjera, duke ndalur rritjen e rrezikut manifestues në terren. Krahas kësaj, urgjentisht Qeveria e Kosovës me anekse ligjore,duhet të realizojë kompensimin e bagëtive të ngordhura.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat