Hyseni: Kosova s'ka shënuar progres në luftën kundër trafikimit me qenie njerëzore

Kosova

Hyseni: Kosova s'ka shënuar progres në luftën kundër trafikimit me qenie njerëzore

Më: 24 gusht 2016 Në ora: 13:56
Pamje nga takimi

Ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, ka thënë se Kosova nuk ka shënuar asnjë progres në luftën kundër trafikimit me qenie njerëzore.

Hyseni këto deklarata i ka bërë gjatë takimit që ka mbajtur sot me përfaqësues të sigurisë të komunave të rajonit të Prishtinës.

Situata me luftën kundër trafikimit me qenie njerëzore, sipas ministrit Hyseni është e njëjta sikurse vitin e kaluar, ashtu siç edhe kishte raportuar Departamenti Amerikan i Shtetit.

Ai ka thënë se duhet të bëhet më shumë në luftimin e kësaj dukurie tek të rinjtë.

 I pari i Ministrisë së Punëve të Brendshme tha se parandalimi i këtyre dukurive, ka qenë qëllimi kryesor i organizimit të këtyre tryezave të fushatës.

Sipas tij, parandalimi është më pak i kushtueshëm se pasojat.

Hyseni: Parandalimi është më pak i kushtueshëm

“Parandalimi është shumë më pak i kushtueshëm, më pak i dhimbshëm dhe me shumë ma pak pasoja sepse duke parandaluar, ne bëjmë që institucionet e zbatimit të rendit dhe ligjit, të mos kenë nevojë të aplikojnë masa ndëshkuese dhe Policia e Kosovës, nuk do të ketë shumë nevojë të merret shumë me pasojat që shkaktojnë qoftë trafikimi me qenie njerëzore apo përdorimi me narkotikë e të mos flasim për pasojat që mund të shkaktoj radikalizmi”, tha Hyseni.

Hyseni tha se përdorimi i drogave është kthyer në dukuri shqetësuese, sidomos tek të rinjtë, nën moshën 16 vjeçare, andaj sipas tij, është e rëndësishme që të ndërmerren hapa nga gjithë institucionet, për parandalimin e kësaj dukurie.  

Sipas Hysenit, ashtu siç edhe thuhet në raportin e DASH-it, Kosova nuk ka shënuar progres në luftën kundër trafikimit me qenie njerëzore.

Hyseni:Nuk ka progres në trafikim me qenie njerëzore

“Në raportin e fundit, Kosova është renditur aty ku ka qenë edhe vitin e kaluar, dhe vitin e kaluar nuk ka qenë mirë Kosova e renditur, që do të thotë që brenda një viti nuk kemi pas progres në këtë fushë, nuk kemi shënuar përparim dhe ne këtë gjendje duhet ta konstatojmë pa e bërë as përpjekjen ma të vogël që ta kthejmë tabu temë e cila nuk bënë të trajtohet. Sepse diskutimi i hapur konstatimi i saktë i një gjendje në këtë fushë, na krijon edhe parakushtin themelor si shoqëri dhe institucion që ta luftojmë ma suksesshëm dhe të mbërrijmë rezultatet e duhura’, theksoi Hyseni.

 Hyseni tha se prapa trafikimit të qenieve njerëzore qëndrojnë kriminelët, të cilët duhet dënuar.

E për këtë, Hyseni tha se duhet të punohet më shumë që të denoncohen këta kriminelë dhe të sjellën para drejtësisë, për të marrë dënimin e merituar dhe jo dënimet simbolike e ato qesharake.

Edhe në Prishtinë, Hyseni përmendi luftën ndaj terrorizmit, që sipas tij, është situatë për të cilën duhet krenuar.

Lidhur me këtë çështje, sipas Hysenit është bërë një punë e mirë nga institucionet e sigurisë, por edhe nga bashkësitë fetare.

Por, sipas tij, terrorizmi është dukuri tinëzare, andaj asnjë vend nuk është i siguruar njëqind për qind.

Hyseni: Terrorizmi, dukuri tinëzare

“I vetmi garancion, që unë si ministër i Punëve të Brendshme mund ta jap, është që nuk kemi indikacion të brendshëm që mund të ndodh këtu ose aty, sot apo nesër, sepse është lehtë kur kemi indikacion. Por institucionet edhe të inteligjencës dhe policia janë duke bërë punë të madhe që të jemi më të përgatitur, por sigurisht që asnjëherë nuk ka siguri totale...terrorizmi është dukuri tinëzare që godet në mënyrë shumë të papritur dhe ndonjëherë është gati e pamundur që të parandalohet si akt. ..asnjëherë nuk guxojmë të mos jemi shuam vigjilent dhe të mobilizuar që të shtrijmë ndikimin tonë pozitiv kundër radikalizmit gjithandej ku mundemi”, tha Hyseni.

Edhe përfaqësuesi i Policisë së Kosovës, Rexhep Sejarina tha se policia është duke bërë punë të madhe dhe është udhërrëfyes i mirë i strategjive që po bëhen.

Sejarina: Policia po bënë punë të madhe

“Policia e Kosovës në rajonin e Prishtinës është duke bërë një punë të madhe dhe mendoj se ka qenë udhërrëfyesi ose pjesë ku jemi marrë shembull për të krijuar strategji tjera...ne jemi zotuar se në përpikëri do t’i zbatojmë strategjitë e hartuar nga ministria”, tha Sejarina.

Në këtë tryezë në të cilën u diskutua për dukuritë negative, atë të drogës, trafikimit me qenie njerëzore dhe terrorizimi, ishte edhe kryetari i komunës së Obiliqit, të Podujevës, si dhe përfaqësues tjerë të komunave.

Ndryshe, Hyseni tha se po bëhet punë për të rregulluar statusin e forumeve, atë legal dhe të identifikohen rrjedhimisht. Por, theksoi që brenda mundësive financiare të Republikës së Kosovës do të bëhet edhe statusi financiar i këtyre forumeve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat