Flasin avokatët e të arrestuarve për sulmin në Kuvend

Aktuale

Flasin avokatët e të arrestuarve për sulmin në Kuvend

Më: 30 gusht 2016 Në ora: 15:08
Armet e konfiskuara nga policia gjatë bastisjeve të kryera në shtëpitë e të arrestuarve

Atdhe Arifi, Astrit Dehari, Adea Batusha, Egzon Haliti, Petrit Ademi dhe Frashër Krasniqi janë gjashtë të arrestuarit e sotëm me dyshimin se kanë sulmuar Kuvendin e Kosovës me datën 4 gusht 2016.

Atdhe Arifi, Astrit Dehari, Adea Batusha, Egzon Haliti, Petrit Ademi dhe Frashër Krasniqi janë gjashtë të arrestuarit  e sotëm me dyshimin se kanë sulmuar Kuvendin e Kosovës me datën 4 gusht 2016.

Emrat e të arestuarve i konfirmoi për Kallxo avokati i Petrit Ademit Tomë Gashi.

Gashi tha se të gjithë këta persona po dyshohen për veprën penale të terrorizmit.

“Në bazë të njoftimit të prokurorisë speciale të gjithë këta dyshohet për veprën penale të terrorizmit dhe ka të bëjë sipas tyre në lidhje me gjuajtjen me granata hedhës që ka ndodhur me datën 4 gusht të këtij viti në Parlamentin e Kosovës” tha ai.

Sipas Gashit, klienti i tij Petrit Ademi nuk ka dhënë  ende asnjë deklaratë.

“Ai nuk ka dhënë asnjë dëshmi për shkak se është pak trishtuese që një djalë si ai që është jurist me profesion të hetohet për kësi vepra penale”, tha ai.

Ndërsa Naim Rudari, avokat i zëdhënësit të Lëvizjes Vetëvendosje Frashër Krasniqi, tha se Policia i ka ofruar mundësinë Krasniqit që të deklarohet në lidhje me rastin.

Edhe Rudari konfirmoi se arrestimet janë bërë për dyshime në lidhje me sulmin në Kuvend.

“Fillimisht policia e ka potencuar se bëhet fjalë për atë rast”, tha ai.

Njësoj u deklarua edhe avokati Naser Sopjani i cili mbron Atdhe Arifin. Edhe Sopjani tha se i mbrojturi i tij e ka shfrytëzuar të drejtën e mbrojtjes në heshtje.

Arrestimi i tyre është bërë sot në mëngjes në një aksion të përbashkët të Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës pas një hetimi intensiv lidhur me sulmin në Kuvendin e Republikës së Kosovës të kryer më 4 gusht 2016. –

Me anë të një komunikate, Policia e Kosovës thotë se ky hetim kompleks është trajtuar me teknika dhe masa të specializuara të hetimit dhe sot me urdhëresë të Gjykatës Themelore në Prishtinë është kryer kontrolli i 6 (gjashtë) lokacioneve në Prishtinë, ku janë arrestuar gjashtë të pandehur dhe janë shoqëruar dy persona tjerë.

Gjatë zbatimit të urdhër-kontrollit, në cilësinë e provave materiale, janë sekuestruar: gjashtë armë zjarri, tre pushkë automatike, 2 revole, një karabinë, municion,  si dhe dëshmi tjera materiale që ndërlidhen me rastin. Sendet e sekuestruara do të ekzaminohen nga ekspertët e fushave përkatëse, thuhet në komunikatën e policisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat