Në Podujevë do të ndërtohen shtëpi tjera në Lagjen e Dëshmorëve

Kosova

Në Podujevë do të ndërtohen shtëpi tjera në Lagjen e Dëshmorëve

Më: 20 shtator 2016 Në ora: 16:19
Arban Abrashi, Agim Veliu

Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu dhe ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, janë dakorduar që të vazhdohet me projektin e ndërtimit të shtëpive për familjet e dëshmorëve dhe atyre me gjendje të rëndë sociale, të strehuara në kontejnerët e lagjes së Dëshmorëve në Balloc të Podujevës.

Për këtë qëllim kryetari Veliu dhe ministri Abrashi nënshkruan marrëveshjen për vazhdimin e financimit të Projektit për ndërtimin e shtëpive sociale në Lagjen e Dëshmorëve, në fshatin Balloc të Podujevës.

Në bazë të marrëveshjes së nënshkruar, projekti i ndërtimit të shtëpive, në shumën prej 100 mijë euro, do të financohet nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, kurse Komuna e Podujevës siguron infrastrukturën ligjore për ekzekutimin e projektit, harton projektin detaj për ndërtimin e shtëpive sipas standardeve dhe legjislacionit në fuqi dhe zhvillon procedurat e prokurimit në pajtim me Ligjin për Prokurimin Publik.

Me rastin e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, kryetari Veliu tha se zgjidhja e çështjes së banimit për familjet e strehuara në kontejnerë dhe atyre me gjendje të rëndë sociale vazhdon të jetë një nga prioritetet në politikat sociale të Komunës së Podujevës.

Ministri Abrashi shprehu bindjen se ky investim nuk do të jetë i fundit në Lagjen e Dëshmorëve.

Me investimin e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe në bashkëpunim me komunën e Podujevës deri tash në Lagjen e Dëshmorëve janë ndërtuar 50 shtëpi për familjet e dëshmorëve dhe atyre me gjendje të rëndë sociale e që ishin të strehuara në kontejnerët e lagjes.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat