Në Drenas mbahet kampanja e fushatës kundër kancerit të gjirit

Kosova

Në Drenas mbahet kampanja e fushatës kundër kancerit të gjirit

Më: 21 tetor 2016 Në ora: 16:27
Pamje nga takimi

Komiteti Konsultativ për Barazi Gjinore në bashkëpunim me organizatën Qendra për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve në Drenas, qendrës Kosovarë për Luftimin e Kancerit të Gjirit "Jeta Vita" dhe Shoqatës së Onkologëve të Kosovës, në Drenas kanë mbajtur tryezën ne kuadër të fushatës kundër kancerit të gjirit, ku kanë diskutuar me onkologët dhe gratë e pranishme për luftimin e kancerit të gjirit.

Në këtë takim, kryesuesi i Kuvendit, Naim Bazaj ka përshëndetur takimin, ndërsa udhëheqësja për Drejtat e Njeriut, Zahrije Podrimqaku-Subashi ka folur për rastet të cilat i ka ndihmuar Komuna me mjete financiare për rastet e diagnostifikuara me kancer të gjirit.

Gratë pjesëmarrëse, kanë pasur mundësinë të njoftohen nga ana e mjekëve të shoqatës së onkologëve me rrezikun që paraqet kjo sëmundje, diagnostifikimin dhe mënyrën e trajtimit të saj.

Gjatë prezantimit nga ana e onkologëve, u tha se sa me herët të diagnostifikohet kjo sëmundje, aq me i shpejt është kurimi i saj.

“Sëmundja e kancerit të gjirit, e cila më së shumti i prekë gratë, përben një shqetësim me përmasa globale”, tha doktori Ardian Millaku.

Shoqata e Onkologëve të Kosovës, në këtë ligjëratë kanë kërkuar nga gratë që të rrisin nivelin e vetëdijesimit për rrezikun që paraqet kanceri i gjirit dhe rritjen e nivelit të vetëkontrollit sidomos tek gratë e moshës së mesme.

Pas përfundimit të pjesës ligjëruese nga ana e mjekëve të onkologjisë, pjesa tjetër e takimit është zhvilluar në formë të debatit, ku gratë pjesëmarrëse kanë shprehur interesimin për të ditur sa më shumë rreth sëmundjes së kancerit të gjirit./BS

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat