(E plotësuar) - Kryetari i Komunës së Drenasit Nexhat Demaku, ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë.
Ai tha se vendimi i Gjykatës nuk është vendim i drejt e as vendim gjyqësor, por vendim i misionit dhe vendim politik.
Demaku u shpreh se nuk ka informata se kush do të jetë pasardhësi i tij, por u shpreh se një gjë e tillë do të bëhet e ditur pas shpalljes së zgjedhjeve.
Ai tha se pas kësaj do ti drejtohet edhe Gjykatës Supreme për të parashtruar ankesë ndaj vendimit në fuqi.
Dorëheqja e Demakut vjen pas vendimit të Gjykatës së Apelit e cila la në fuqi vendimin e Gjykatës Themelore ku e e shpalli atë fajtor me tri vjet heqje lirie.
***
Demaku konferencë për media në orën 14, paraqet dorëheqjen
Kryetari i Drenasit sot jep dorëheqje nga posti i kryetarit. Nexhat Demaku do të mbajë një konferencë për media në orën 14, në të cilën pritet që të bëjë publike dorëheqjen nga kjo pozitë.
Vendimi për dorëheqje ka ardhur pasi që dje Gjykata e Apelit ia konfirmoi dënimin e shkallës së parë me të cilën në maj të vitit 2015 Demaku ishte dënuar me tri vjet burg për krime lufte.
Dorëheqja e Demakut e çon Drenasin në zgjedhje të reja komunale.
Dorëheqjen e tij e ka konfirmuar dje kryetari Demaku i cili ka thënë se sot do të jap dorëheqje nga pozita e kryetarit të komunës dhe kryetarit të degës së PDK-së në këtë komunë.
Apeli dje ka konfirmuar dënimin për të gjithë të akuzuarit në rastin Drenica II.
Në këtë rast të akuzuar janë Sylejman Selimi, Isni Thaçi, Jahir, Zeqir, Fadil dhe Nexhat Demaku dhe Bashkim, Selman, Driton dhe Agim Demaj.