Let’s Do It Kosova largon 20 kamion me mbeturina nga Mitrovica

Kosova

Let’s Do It Kosova largon 20 kamion me mbeturina nga Mitrovica

Më: 25 tetor 2016 Në ora: 16:18
Aksioni

Lëvizja Mjedisore “Let’s Do It Kosova”, në kuadër të fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën” ka realizuar sot tri aksione pastrimi, për eliminimin e deponive ilegale të mbeturinave në Komunën e Mitrovicës.

Fillimisht është pastruar deponia në hyrje të Mitrovicës (afër varrezave të komunitetit serbë), për të vazhduar pastaj me deponinë tek lokacioni i ashtuquajtur “Parku i Solanes”, aksion i cili kishte filluar në orën 12:00.

Po ashtu, vullnetarët e “Let’s Do It Kosova” kanë larguar një sasi të mbeturinave edhe nga Lumi Trepça, tek hapësirat afër Universitetit.

Në tri lokacionet, janë larguar 20 kamionë me mbeturina, ndërsa pjesëmarrës kanë qenë afër 50 vullnetarë, të cilët kanë kontribuar në pastrimin e këtyre lokacioneve.

“Let’s Do It Kosova” falënderon ndërmarrjen “Uniteti”, e cila ka ofruar makinerinë për largimin e mbeturinave, ndërsa “Let’s Do It Kosova” ka ofruar mjete si thas, dorëza, maska dhe karburant për makineritë e ndërmarrjes.

Aksionet e sotme janë vetëm fillimi i aksioneve që janë paraparë të realizohen gjatë kësaj jave.

Aksioni i ardhshëm është planifikuar të mbahet nesër, më 26 tetor, në Komunën e Vushtrrisë, i cili do të fillojë në orën 10:00.

“Let’s Do It Kosova” njofton se gjatë javëve në vazhdim do të organizojë aksione pastrimi, të cilat kanë për qëllim ngritjen e vetëdijës për përgjegjësitë që kanë si qytetarët, ashtu edhe institucionet, në ruajtjen e ambientit.

Po ashtu, u bëjmë thirrje qytetarëve për mobilizim në aksione të pastrimit, në mënyrë që të gjithë së bashku të kontribuojmë në mbrojtjen e ambientit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat