Reshjet e vazhdueshme të shiut e rëndojnë gjendjen në komunën e Podujevës

Kosova

Reshjet e vazhdueshme të shiut e rëndojnë gjendjen në komunën e Podujevës

Më: 9 nëntor 2016 Në ora: 15:08
Reshjet në Pdujevë

Reshjet e pandërprera të shiut dhe prurjet e mëdha të lumenjve dhe rrjedhave, kanë bërë që në disa fshatra të Komunës së Podujevës, uji të shkaktojë vështirësi në qarkullim dhe të depërtojë edhe nëpër shtëpi dhe të vërshojë rrugë dhe prona bujqësore.

Si pasojë e gjendjes së krijuar, ekzekutivi i komunës ka ngritur Shtabin emergjent, kurse ekipet emergjente vazhdimisht janë në terren për të përcjellë gjendjen.

Drejtori i Drejtorisë për Shërbime Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim, Faik Muçiqi, thotë se reshjet e shiut  e kanë vështirësuar gjendjen  në shumicën e fshatrave, përgjatë rrjedhës së lumenjve duke shkaktuar vërshime.

“Ekipet tona vazhdimisht janë në terren për të përcjellë gjendjen dhe po intervenojnë atje ku është e mundur. Uji ka depërtuar nëpër oborre dhe bodrume të shtëpive pranë lumenjve dhe rrjedhave të ujit. Janë vërshuar edhe rrugë dhe prona bujqësore”, tha drejtori Muçiqi.

Drejtori Muçiqi thotë se ekipet janë duke inspektuar stabilitetin e urave dhe infrastrukturën e rrugëve.

“Me përjashtim të disa kalesave (urave) familjare të ndërtuara nga materiali i dobët, urat e tjera janë në gjendje të mirë. Ka dëme ne infrastrukturë rrugore dhe kanalizime, të cilat do te vlerësohen nga  komisioni përkatës”, tha drejtori Muçiqi.

Lumi Kaçanolli ka dëmtuar rrugën në Popovë, kurse në rrugën Pollatë- Reçicë ka shembje të dheut.

Ekipi emergjent i Komunës dhe Shërbimi i  Zjarrfikëseve dhe Shpëtimit vazhdimisht janë në teren, për të intervenuar aty ku është e mundur në hapjen e rrjedhave të ujit dhe largimin e ujit nga bodrumet.

Në disa lokalitete është vështirësuar qarkullimi, kurse në Shkollën “Pavarësia” në Siboc është ndërprerë mësimi, për shkak të rrezikut që paraqet kalimi i nxënësve mbi tri ura në fshat. Në shkollat e tjera mësimi po zhvillohet normalisht. Edhe ambulanca në Halabak ka ndërprerë punën, si pasojë e depërtimit të ujit në oborrin e këtij objekti shëndetësor.

Furnizimi me ujë të pijshëm nga Ujësjellësi i Batllavës është i rregullt, kurse si masë preventive është ndërprerë furnizimi nga puset e Ujësjellësit në Peran, prej ku furnizohet me ujë një pjesë e qytetit.

“Përveç vërshimeve, për banorët e Komunës së Podujevës në dy ditët e fundit gjendjen e bën edhe më të vështirë ndërprerjet e gjata të energjisë elektrike. Kompania “Pastrimi” është duke i kryer shërbimet me rregull në grumbullimin e mbeturinave dhe pastrimin e qytetit”, thuhet në njoftimin e Komunës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat