Kandidatët për kryetar të Drenasit bëjnë fushatë tek varrezat e Jasharajve

Kosova

Kandidatët për kryetar të Drenasit bëjnë fushatë tek varrezat e Jasharajve

Më: 28 nëntor 2016 Në ora: 12:10
Kandidatët për kryetar të Drenasit duke bere homazhe tek varrezat e Jasharajve

Kandidatët për kryetar të komunës së Drenasit, kanë shfrytëzuar 28 Nëntorin dhe homazhet tek kompleksi memorial “Adem Jashari”, për të bërë fushatë.

Xhavit Drenori, kandidat i pavarur tha se kanë vendosur që fushatën ta fillojnë pikërisht tek kompleksi i Jasharajve, duke u betuar që amanetin e të rënëve për liri, ta jetësojnë me një qeverisje të mirë për Drenasin.

“Me që rastisi sot hapja e fushatës zgjedhore në Drenas me 28 Nëntor, ne me ekipin tonë vendosëm që në këtë datë të shënuar,  fushatën pikërisht ta bëjmë tek Kompleksi i Jasharajve, meqë lidhen tri data të rëndësishme të historisë së kombit tonë. Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë, ditëlindja e komandantit Adem Jashari si dhe dalja publike në skenë e UÇK-së.  Jemi këtu të përulemi para veprës dhe sakrificës sublime të komandantit legjendar dhe familjes së tij dhe të gjithë dëshmorëve dhe të rënëve të luftës brez pas brezi dhe për tu betuar se amanetin e tyre për bërjen e shtetit do ta vazhdojmë me një qeverisje të mirë në Drenas”, tha ai.

Edhe Vehbi Berisha, kandidat nga  Partia “Fjala” tha se ka vendosur që fushatën ta hap tek kompleksi “Adem Jashari”, pasi që nga ky vend frymëzohet për të vazhduar më tej.

“Unë sot e bëra hapjen e fushatës në kompleksin memorial Adem Jashari në Prekaz. Për shkak se ky vend është frymëzim për ne dhe nga ky vend  kanë filluar të gjitha ndryshimet e mëdha të kombit tonë, e cila u kurorëzua me Republikën e Kosovës me shpalljen e pavarësisë së vendit. Ajo çka duhet me thanë,  sepse nga ky vend gjithmonë marrim frymëzim për të vazhduar tutje me vizionin e ri dhe kështu që ne frymëzohemi me ndryshime të reja direkt nga kompleksi memorial Adem Jashari”, tha ai.

E kandidati i PDK-së, për kryetar të Drenasit Ramiz Lladrovci tha se në këtë ditë të shenjtë, kujtojnë sakrificën e gjeneratave ndër shekuj.

“Në këtë ditë të shenjtë kujtojmë sakrificën e gjeneratave ndër shekuj. Vetëm unik e të bashkuar mund ta qojmë këtë vend. Iu uroj festat e nëntorit”, tha ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat