Sesione informuese për MSA-në në komuna

Kosova

Sesione informuese për MSA-në në komuna

Më: 29 nëntor 2016 Në ora: 18:38
Foto nga konferenca

Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS) në bashkëpunim me Grupin për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) sot mbajti konferencën e parë informuese në kuadër të projektit “Marrëveshja e Stabilizim Asociimit – Kontrata jonë për të ardhmen” në komunën e Gjilanit.

Kjo konference është pjesë e një serie te takimeve që do të mbahen në komuna të ndryshme të Kosovës, si një fushatë informuese për nivelin komunal lidhur me rëndësinë, përfitimet dhe obligimet që rrjedhin nga MSA-ja. Pjesë e kësaj konference ishin edhe komunat e tjera të regjionit të Anamoravës.

Në konferencë morën pjesë kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, i cili tha që MSA-ja paraqet një rëndësi të veçantë për Kosovën dhe për mirëqenien e qytetarëve. Haziri ceku që roli i komunave në zbatimin e kësaj marrëveshjeje është mjaft i madh, por që zbatimi i plotë i saj në nivel komunal kërkon angazhim gjithëpërfshirës të institucioneve të nivelit lokal dhe qendror.

Leonora Kryeziu, drejtoreshë ekzekutive e PIPS-ës, foli mbi nevojën e informimit të komunave lidhur me MSA-në, për shkak se zbatimi i kësaj marrëveshje do të jetë pjesë qenësore e punës së komunave në vitet e ardhshme.

Kurse Felix Rathie, përfaqësues i Zyrës së BE-së në Kosovë, diskutoi mbi reformat që priten të ndërmerren në vitet e ardhshme si pjesë e procesit të Stabilizim Asociimit, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit, luftimit të korrupsionit dhe zhvillimit ekonomik të Kosovës. Po ashtu, Rathie përmes projekteve konkrete tregoj mbështetjen që BE-ja do të vazhdojë ta jap për Kosovën, në rrugën e integrimit të saj.

Venera Ramaj, këshilltare politike në  Ambasadën Holandeze në Kosovë, tregoi për punën e Ambasadës Holandeze në përkrahje të Kosovës në rrugën e saj evropiane. Sipas saj, në këtë kohë, fokus primar i Kosovës duhet të jetë adresimi i reformave të parapara në MSA. Ajo njoftoi se Ambasada e Mbretërisë së Holandës, përmes projekteve konkrete do të jap mbështetje për institucionet e Kosovës  në zbatimin e programit të MSA-së.

Albana Merja, hulumtuese në GLPS, foli mbi reformat, të cilat parashihen të ndërmerren si pjesë e këtij procesi, me fokus në rëndësinë, përfitimet dhe obligimet që rrjedhin nga MSA-ja, veçanërisht për nivelin komunal. Pjesë me kryesore e prezantimit të saj, ishte çështja e sundimit të ligjit, e cila e pengon avancimin e Kosovës në rrugën e saj evropiane, e për me keq në zhvillimin e saj ekonomik dhe tërheqjen e investimeve të huaja.

 Folës i fundit i kësaj konference ishte Jeton Karaqica, nga Ministria për Integrim Evropian, i cili diskutoi në terma me konkrete mbi detyrimet që dalin nga MSA-ja. Karaqica ofroi një pasqyre mbi reformat që parashihen në çdo kapitull të MSA-së dhe përshtatjen e legjislacionit me atë të BE-së.

Pjesë me kryesore e diskutimit ishte aspekti i harmonizimit ekonomik dhe reformat, që parashihen në këtë, me qellim të avancimit të pozitës ekonomike të Kosovës.

Gjithashtu u vlerësua se komunat do të jenë qenësore në zbatimin e programit të MSA-së, prandaj ato duhet ti zhvillojnë posaçërisht resurset humane për t’iu përgjigjur nevojave që dalin nga MSA-ja, e po ashtu për të përfituar nga fondet e BE-së.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat