Sivjet 10 raste me HIV, një i vdekur

Kosova

Sivjet 10 raste me HIV, një i vdekur

Më: 1 dhjetor 2016 Në ora: 11:02
Foto nga prezantimi i situatës epidemiologjike të HIV/AIDS në Kosovë.

(E plotësuar)- Në Ditën Ndërkombëtare të Luftës Kundër Sidës, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, Ministria e Shëndetësisë dhe Njësia Menaxhuese e Projektit të Fondit Global, prezantuan situatën epidemiologjike të HIV/AIDS në Kosovë.

Me këtë rast u prezantua se gjatë vitit 2016 në Kosovë janë shënuar 10 raste me HIV/AIDS, ku pesë raste kanë qenë me HIV dhe pesë raste me AIDS, që krahasuar me vitet e kaluara është një rritje.

Zëvendësministri i Shëndetësisë, Izet Sadiku, tha se me këto statistika është një rritje pasi që viteve të kaluara Kosova ka pasur tri deri në katër raste.

“Prandaj, ne këtë vit kemi dhjetë raste që është numër i vogël por realisht me i krahasu statistikat tona ky numër është më i madh se vitet tjera gati qind për qind, për arsye se vetëm në vitin 2001 kemi pasur 11 raste, ndërsa në vitet tjera gjithmonë Kosova ka regjistruar tri deri në katër raste në vit, këtë vit është numri 10 që tregon për një numër më të madh”, tha Sadiku.

Po ashtu, zëvendës ministri i Shëndetësisë, Izet Sadiku, tha se Kosova ka arritur të ruajë numrin e vogël të rasteve me HIV/AIDS krahasuar me shtetet tjera, mirëpo kjo sipas tij nuk do të thotë që është fituar lufta kundër HIV/AIDS-it.

Drejtori i Institutit Kombëtarë të  Shëndetit Publik të Kosovës, Naser Ramadani, bëri të ditur se Kosova gjatë vitit 2016 ka pasur 10 raste me HIV/AIDS, ku 5 raste kanë qenë me HIV dhe 5 raste me AIDS, ku një rast ka përfunduar me vdekje.

“Rasti i parë i AIDS-it në Kosovë është regjistruar në vitin 1986 dhe deri më sot Instituti Kombëtar ka regjistruar gjithsej 110 raste me HIV dhe AIDS, prej tyre 67 raste janë me AIDS dhe 43 raste me HIV infeksion, 44 raste janë raportuar si të vdekur dhe regjistruar si pasoj e AIDS-it. Në vitin 2016 kemi regjistruar 10 raste 5 me HIV dhe 5 me AIDS, prej të cilave një ka përfunduar fatalisht”, tha Ramadani.

Sipas Ramadanit Kosova klasifikohet si vend me shkallën më të ulët të epidemisë dhe si faktorë kryesorë që mund të nxisin përhapjen e shpejtë të epidemisë së HIV-it janë shkalla e lartë e varfërisë, sfidat socio-ekonomike dhe politike me të cilat përballet Kosova.

“Kosova klasifikohet si vend me shkallë të ulët të epidemisë, në 1 përqind të popullatës së përgjithshme dhe me 5 përqind të grupit me rrezik të lartë. Kosova si vend përballet me sfida të mëdha socio ekonomike dhe politike me shkallë të lartë të varfërisë dhe papunësisë, rritjes së përdorimit të drogave, sjelljeve seksuale me rrezik të lartë, komunitetet të stigmatizuar, lëvizshmëri të shpejtë të kosovarëve për dhe nga vendet me ekuivalencë të lartë dhe të gjithë këta faktorë mund të nxisin një përhapje të shpejtë të epidemisë së HIV-it, nëse ato nuk adresohen në mënyrë të drejtë”, tha Ramadani.

Ndërsa, shefi i zyrës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Skender Syla, tha se HIV-i vazhdon të mbetet sfidë madhore për shëndetin publik dhe se kjo epidemi deri tani u ka marrë jetën 35 milionë personave në tërë botën

“HIV-i vazhdon të mbetet sfidë madhore për shëndetin publik global dhe aspekteve shoqërore dhe zhvillimore të vendeve në gjithë botën. Deri më tani kjo pandemi u ka marrë jetën rreth 35 milionë individëve, vetëm në vitin 2015 rreth 1.1 milionë individë kanë vdekur nga shkaqe të ndërlidhura me infeksionin e HIV-it”, tha Syla.

Dita Ndërkombëtare e Luftës Kundër Sidës (HIV/AIDS), 1 dhjetori, është njëri nga aktivitetet më të mëdha në botë, pasi miliona njerëz në mbarë botën përballen me këtë sëmundje që njihet edhe si “murtaja e bardhë” që ende nuk ka gjetur shërimin final, duke bërë që mijëra njerëz të vdesin.

HIV/AIDS vrau një dhe preku 10 persona këtë vit në Kosovë

Shënohet sot Dita Ndërkombëtare e Luftës Kundër Sidës, 1 dhjetori, me ç’rast Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, Ministria e Shëndetësisë dhe Njësia Menaxhuese e Projektit të Fondit Global, prezantuan situatën epidemiologjike të HIV/AIDS në Kosovë.

Drejtori i Institutit Kombëtar i Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani, në hapje të takimit me media  bëri publike moton e aktiviteteve që është ‘Duart Lartë për Parandalimin e HIV-it’. Ramadani tha se Kosova është vendi me numrin më të vogël të të prekurve me HIV/AIDS, ku gjatë vitit 2016 në Kosovë janë shënuar 10 raste, 5 me HIV dhe 5 me AIDS, dhe vetëm një rast ka përfunduar me vdekje.

Zëvendës ministri i Shëndetësisë, Izet Sadiku, tha se Kosova është një ndër vendet që ka arritur ta të ketë numrin më të vogël të të prekurve me këtë virus. Megjithatë, ai tha se kjo nuk është arsye që të mos punohet më shumë në parandalimin dhe vetëdijesimin e njerëzve ndaj kësaj sëmundjeje vdekjeprurëse.

Nga ana tjetër, shefi i zyrës së OBSh-së, Skënder Syla, tha se ende në Kosovë mbetet problem  mungesa e diagnostikimit me këto sëmundje.

Dita Ndërkombëtare e Luftës Kundër Sidës (HIV/AIDS), 1 dhjetori, është njëri nga aktivitetet më të mëdha në botë, pasi miliona njerëz në mbarë botën përballen me këtë sëmundje që njihet edhe si “murtaja e bardhë” që ende nuk ka gjetur shërimin final, duke bërë që mijëra njerëz të vdesin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat