PDK-ja mbyll fushatën në Drenas

Kosova

PDK-ja mbyll fushatën në Drenas

Më: 2 dhjetor 2016 Në ora: 21:00
Kadri Veseli, Ramiz Lladrovci

Partia Demokratike e Kosovës, ka përmbyllur fushatën e saj në Drenas në një takim të mbajtur në sallën e sporteve në Poklek të Ri.

Kandidati i kësaj partie, Ramiz Lladrovci, u ka premtuar qytetarëve se çështjet jetike për Drenasin do t’i zgjidhë pa asnjë mëdyshje.

“I falënderoj qytetarët që në qindra lagje, shtëpi, oda dhe shkolla, na pritën dhe na përcollën me mesazhin se Drenasi ishte, është dhe do të mbetet bastion i pathyeshëm i zemrës së Kosovës, i shpirtit të UÇK-së dhe Partisë Demokratike të Kosovës”, është shprehur ai.

Ai u ka thënë qytetarëve se zgjedhjet e së dielës, nuk janë vetëm hedhje e një fletëvotimi në kuti, por sipas tij janë besim, shpresë dhe vizion.

“Vizioni ynë i dha Republikës së Kosovës të arriturat e paimagjinueshme nga subjektet e tjera politike. Vizioni ynë solli pavarësinë, rritjen e mirëqenies dhe njohjen ndërkombëtare të shtetit tonë të ri. Këto zgjedhje do ta rikonfirmojnë fuqinë tonë edhe për pesë vjetët e ardhshme. Vota jonë do të rikonfirmojë se Drenasi ishte dhe është me luftëtarët e vet”, ka thënë Lladrovci.

“Drenasi ia dha djemtë e vajzat e veta, ia dha bukën e ujin, ia dha shtegun e lirisë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Të dielën, Drenasi do ta japë edhe votën për të dëshmuar se ashtu si dje, edhe sot e nesër është me vizionin e trashëgimtares së UÇK-së, me Partinë Demokratike të Kosovës”, ka shtuar ai.

Lladrovci është shprehur se kësaj komune do t’ia ofrojë 70 milionë euro investime kapitale, në atë që ai e ka quajtur “mandat pesëvjeçar”. Ai ka folur për investime për rrugë, shkolla, çerdhe, kanalizim, ujë të pijes, ashtu si edhe në arsim, shëndetësi dhe bujqësi, ndërsa ka siguruar se investimet kapitale do të jenë në shërbim të qytetarit të Drenasit për të krijuar vende të reja të punës.

Ai u ka premtuar qytetarëve se nëse ai zgjedhet për kryetar, vëmendje të veçantë do të ketë edhe ngrohja qendrore, të cilën ai ka thënë se do e sigurojë nga Ferronikeli, me mbështetje të Ministrisë për Zhvillim Ekonomik dhe Komisionit Evropian.

Me punë dhe përkushtim, me vepra dhe jo fjalë,Lladrovci ka thënë se do t’i bëj krenarë qytetarët e Drenasit, sepse, sipas tij, historikisht kanë qenë krenaria e Kosovës.

“UÇK-ja, PDK-ja dhe Drenica janë trinom përjetësisht i bashkuar. Këtë do ta dëshmojmë edhe më 4 dhjetor”, ka thënë ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat