AKR premton vende të reja pune dhe hapje të fabrikave në Drenas

Kosova

AKR premton vende të reja pune dhe hapje të fabrikave në Drenas

Më: 2 dhjetor 2016 Në ora: 21:42
Tubimi i AKR-së në Drenas

Aleanca Kosova e Re (AKR) sonte ka përmbyllur fushatën elektorale për kryetar të Drenasit, duke u premtuar qytetarëve hapje të fabrikave dhe vende të reja pune.

Kandidati i Aleancës Kosova e Re për kryetar të Drenasit, Elmi Thaçi u bëri thirrje qytetarëve që ta përkrahin AKR-në dhe vizionin e saj për zhvillim, dhe shtoi se programi konkret i AKR-së për Drenasin, është një shpresë e re, e cila i është paraqitur qytetarëve të këtij rajoni.

Ai u premtoi se do të jetë gjithmonë në krye të detyrës, duke i zbatuar të gjitha planet dhe projektet e Aleancës Kosova e Re për zhvillim të Drenasit.

Presidenti i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli tha se Elmiu nuk do të përfitojë nga qytetari i tij dhe se ai do të jetë aty ku qytetari ka nevojë.

“AKR-ja e ka zgjedhur Elmiun dhe ai ka një përkrahje të madhe nga unë. Ka aq shumë punë për të bërë dhe ne do ta harmonizojmë këtë gjë duke i angazhuar njerëzit nëpër fabrikat që jemi duke i ndërtuar tashmë. Ju do të bindeni shumë shpejtë me synimet e AKR-së. Ne e duam punën dhe suksesin, ne kemi dëshmuar që mundemi prandaj qytetarë të dashur zgjedhja është e juaja, votoni AKR-në, votoni numrin 10”, është shprehur lideri i AKR-së.

Pacolli ju premtoi qytetarëve se do të jetë promotori kryesor i Elmiut dhe se do të jetë përkrah tij për të ndërtuar dhe zhvilluar këtë rajon të mrekullueshëm, që gjendet në mes të Kosovës.

“Besoj se edhe vet ju nuk do ta lëshoni këtë shansë, me AKR-në perspektiva e Kosovës do të jetë e ndritshme. Prandaj të dielën, mos ja leni votën dikujt tjetër, mos lejoni që ajo të manipulohet shkoni dhe votoni”, ka shtuar Pacolli.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat